E mora natën me kamion: I biri drejtor i Kulturës nga VV nuk ia merr pianon nga shtëpia babait nga LDK - NACIONALE

E mora natën me kamion: I biri drejtor i Kulturës nga VV nuk ia merr pianon nga shtëpia babait nga LDK

1 vit më parë

nga Trina Zuka

Si përfundoi një piano e dhuruar si donacion në shtëpinë e ish drejtorit të Kulturës në Podujevë nga LDK, që sot e ka djalin po drejtor të Kulturës në Podujevë por nga Vetëvendosja?

Nëse iu është lodhur mendja nga ryshfeti marramendës që u publikua në episodin e tretë të Ditarit të Buzhalës dje në Nacionale, atëherë ja ku e keni një rast më banal keqpërdorimi.

Një piano i ishte dhuruar si donacion shkollës “Shefki Kuleta”, në fshatin Tërrnavë të komunës së Podujevës, para disa viteve.

Por e njëjta piano shumë pak u shfrytëzua për nevojat e kësaj shkolle, pasi këtë instrument muzikor e kërkoi ish-drejtori i Kulturës gjatë asaj kohe, Nexhmi Balaj, që ta shfrytëzonte për një manifestim në kuadër të drejtorisë së Kulturës gjatë kohës sa ishte në pushtet.

Pianoja gjatë vitit 2014, pas përfundimit të këtij manifestimi, nuk ishte kthyer në shkollën ku edhe ishte marrë, bëjnë me dije burime të Nacionales, por edhe vetë ish-drejtori Balaj.

FOTO 1: Piano brenda shtëpisë së Balajve

Ajo kishte qëndruar në shtëpi të kulturës në Podujevë për disa muaj, e më pas pianon e cila ishte donacion i shkollës, e kishte dërguar në shtëpi ish-drejtori Balaj. Merreni me mend, në shtëpi.

Balaj në një përgjigje telefonike për Nacionalen, e pranon se e ka marrë këtë piano për një manifestim. Shkaku i moskujdesjes së duhur në Shtëpine e Kulturës, siç thotë ai, të njëjtën kishte vendosur ta blinte dhe ta dërgonte në shtëpi.

“Pianon e kam marrë në Tërrnavë, natën, vetë me një kamion, për një lëvizje kombëtare. Ka pasë këngë klasike dhe ato nuk këndohen pa piano. E kam mbajtë një kohë, ua kam kthy, e pastaj e kam ble atë,” tha Nexhmi Balaj që shef e kishte në atë kohë Agim Veliun.

Balaj mohon se kishte njohuri që pianoja ishte donacion. Madje arsimtari nga i cili Balaj e kishte blerë pianon 500 euro, pretendon ai, i kërkoi atij që ta merrte falas.

Nuk e di që ka qenë donacion, e kam pagu me para personale, 500 euro. Arsimtari ma ka dhënë pianon, une ia kam dhënë paratë. Bile ma pat ba merre falë krejt,” thotë Balaj për Nacionalen.

Ish-drejtori i Kulturës - në qeverinë komunale të Agim Veliut që sot e ka djalin drejtor kulture në qeverinë komunale që erdhi pas kundërshtimeve të Agim Veliut - tha se nuk i kujtohet emri i arsimtarit i cili kishte marrë para për pianon, për të cilën burimet e Nacionales thonë se ishte donacion.

Por, djali i Balajt, Pajtim Balaj, i cili ka pozitën e drejtorit të Kulturës, të ngjashme me të babait dikur, veçse i rreshtuar pas partisë së Shpejtim Bulliqit nga Vetëvendosje, blerjen e pianos si donacion e konsideron më se normale.

Ai Nacionales i thotë se fajin këtu e ka personi i cili e ka shitur pianon – emri i të cilit nuk po i kujtohej babait të tij – andaj nuk do t’ia merrte nga shtëpia duke e adresuar shkeljen.

“Nuk kam informacion. Po ti paske folë me babën apo? E ai të paska thanë që e ka ble me pare të veta; çka ka këtu? Ai që e ka shitë duhet me qenë përgjegjës, jo ai që e ka ble me pare të veta. Sepse çdosecili mundet me dalë në treg me ble, e nuk e din a është e vjedhur a qysh është. E kjo nuk është përgjegjësi e individit përderisa blen me pare të veta”, pretendoi Pajtim Balaj.

FOTO 3: Drejtori i Kulturës Pajtim Balaj, militant i Vetëvendosjes

E drejtori i shkollës në Tërrnavë, Xhemajl Kuleta, pretendon se nuk ka ide për rastin. Ai thotë që nuk ka marrë donacion asnjëherë piano, gjatë mandatit të tij të cilin e ushtron që 8 vjet.

FOTO 2: Hapësira brenda shkollës "Shefki Kuleta"

“Prej që e kam marrë detyrën në këtë shkollë në Tërrnavë, ajo piano s’ka qenë donacion. Te unë nuk figuron askund në letra një donacion i tillë. E për donacione të tjera kur s’kam qenë drejtor, nuk muj me folë se nuk e di. Një temë e tillë asnjëherë nuk është diskutu në shkollën që unë e drejtoj,”- tha Kuleta për Nacionalen.

Ne i kërkuam të na dërgonte të gjitha dokumentet por ai e refuzoi një kërkesë të tillë. Burimi i gazetës në anën tjetër ka ngulmuar se kjo piano ishte donacion,

Para drejtorit të tanishëm, Xhemajl Kuletës, këtë shkollë e drejtonte Halmi Ukaj. Nacionale ka provuar të kontakojë këtë të fundit, por ai ka qenë i paqasshëm.

Kujtojmë se ligji nuk e lejon blerjen apo marrjen e një mjeti, i cili është donacion për një institucion të caktuar.

Lajme të ngjashme