Viti i lëshimeve - Kurti përballë Serbisë: 341 milionë euro importe dhe 3 zmbrapsje në dialog
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjithë karrieren e tij politike e kishte ndërtuar duke kundërshtuar negociatat me Serbinë dhe duke ftuar për bojkotimin e mallrave serbe. Ai përherë ka akuzuar kundërshtarët e tij politikë për lëshimet e shumta që i bënin përball shtetit serb. Nga ardhja e tij në pushtet, duket se Kurti ka harruar kundërshtimet stoike ndaj Serbisë. Pra gjendja në krahasim me qeverisjet e kaluara është e njëjtë, Kosova vazhdon të negoicojë me Serbinë dhe të importojë miliona euro mallra.
Kurti gjatë vitit 2022, ka negocuar dhe ka bërë saktësisht të “njëjtat lëshime” për të cilat ai i akuzonte parardhësit e tij. Me një dallim të vetëm, eksporti i mallrave serbe ka shënuar rekord.
Gjatë muajit nëntor dhe dhjetor të 2022, Qeveria e Kosovës ka pësuar disa disfata të mëdha në raport me Serbinë. Disfata nga të cilat Kryeministri Kurti nuk mund të ndihet krenar.
Lëshimet e Kurtit përballë Serbisë
Kurti ka thyer njërin nga premtimet e tij kryesore me Serbinë: reciprocitetin e plotë ekonomik e tregtar. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, importi nga i mallrave nga Serbia këtë vit shënoi 341 milionë e 637 euro, duke arritur rekordin më të madh ndonjëherë.
Një gjë më të cilën Kurti kishte fituar shumë përkrahje, madje duke kundërshtuar SHBA-në dhe BE-në, ishte shtrirja e sovranitetit në veri. Kjo gjë mendohej se do bëhej me zbatimin e marrëveshjes për targa, mbajtjen e zgjedhjeve sipas afatit kushtetues dhe arrestimin e atyre që kishin hedhur bomba shoku në veri. Por çfarë ndodhi?
Në muajin nëntor, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për targa. Sipas marrëveshjes, Kosova nuk do ta bënte më riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës. E gjithë kjo pasi Kurti insistonte se do ta zbatonte marrëveshjen për targa.
"Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve", kishte thënë Borrell pas marrëveshjes.
Qeveria e Kosovës bëri edhe një leshim këtë vit ndaj Serbisë. Kësaj radhe në çështjen e organizimit të zgjedhjeve. Ato u shtynë. Zgjedhjet për 4 komunat serbe ishin caktuar për 18 dhjetor, por pasi që Lista Serbe nuk kishte kandiduar, zgjedhjet nuk mund të mbahëshin në datën e caktuar sipas ligjit.
Mbajtja e zgjedhjeve u pengua nga serbët lokalë, duke hedhur bomba shoku dhe duke sulmuar zyret e KQZ-në në atë pjesë. Kështu, zgjedhjet u shtyen nga Presidentja për në 23 prill 2023.
“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme”, kishte njoftuar presidentja Vjosa Osmani.
Ndërsa, gjithe muaji dhjetor ishte i tensionuar në veri, përshkak të barrikadave të vendosura nga serbët, të cilët kërkonin lirimin e policit i cili dyshohej se kishte sulmuar zyret e KQZ-së, Dejan Pantiq. Serbët, protesten e tyre e realizuan duke bllokuar rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak. Përkundër se gjatë kësaj kohe ishte plagosur polici kosovar, Ekrem Neziri, Qeveria e Kosovës përsëri u dorëzua duke plotësuar gjitha kërkesat e barrikaduesve serbë.
“Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për zëvendësimin e masës së Sigurisë nga Paraburgimi në arrest shtëpiak. Gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe Dejan Pantiq duke e zëvendësuar masën nga paraburgimin në arrest shtëpiak”, ka thënë për Nacionalen Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Rezistenca e dështuar e Kurtit
Qeveria e Kosovës kishte dalë me një plan për zbatimin e marrëveshjes për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia. Plani parashihte disa faza, deri sa të largoheshin të gjitha targat që nuk janë RKS - Republika e Kosovës.
“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, kishte thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 28 tetor.
Ndërsa, për çështjen e mbatjes së zgjedhjeve Qeveria e Kosovës ishte edhe më e vendosur.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një seance plenare të Kuvendit të Kosovës, deklaronte se s'mund t’i trajtojë ambasadorët e KUINT-it si ministra dhe se zgjedhjet do të mbaheshin me 18 dhejtor.
“Vazhdimisht jemi në bashkërendim me faktorët ndërkombëtarë. Por ju duhet ta kuptoni, edhe ata presin të jemi në nivel të detyrës në vendin tonë. Janë ambasadorë të QUINT-it, por ata s’bëhen dot ministra. Ministra janë qyetarët e këtij vendi, aktualisht në Qeverinë tonë e qeveritë vijnë e shkojnë, por shteti mbetet… Bashkërendimi me faktorët ndërkombëtarë nuk mund të jetë në mënyrën në të cilët ne i trajtojmë ata si ministra, e ne të bëhemi zëvendësit e tyre, sepse as ata nuk e duan këtë gjë. Jemi në një fazë të ndjeshme, por edhe progresive në kuptimin demokratik e civilizues të fjalës”, kishte thënë Kurti.
E, për barrikaduesit, Kurti kishte thënë se shteti që ai udhëheq nuk do të bisedojë e bashkëpunojë me ta, por do t’i arrestojë ata.
“Sa i përket situatës në komunat në veri të Kosovës, veprimeve dhe vendimeve të ligjshme të Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës u janë kundërvënë kriminelët duke e sfiduar organet e zbatimit të ligjit dhe duke cenuar sigurinë. Fatkeqësisht këta kriminelë të sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania po mbështeten nga presidenti dhe Qeveria e Serbisë me qëllim të destabilizimit të rajonit përveç se cenimin e integritetit territorial të Kosovës. Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë e bashkëpunojnë me kriminelë, por do t’i arrestojnë ata”, ka thënë kreu i ekzekutivit.
Në fund, gjithçka u kthye në pikën zero. Kurti bëri përsëri një lëshim, por kësaj radhe nëpërmjet sistemit të gjyqësorit, i cili e liroi ish-policin e dyshuar për terrorizëm, Dejan Pantiq, dhe kështu u hoqën edhe barrikadat. Për më shumë, tashmë ndërkombëtarët dhe shteti serb ka deklaruar se ka një zotim në lidhje me mosndjekjen penale ndaj barrikaduesve.


