2022: Vit i varfërimit e çmimeve të larta, por edhe i “lëvdatave” të Kurtit për rritje ekonomike
Viti 2022 do të mbahet mend për varfërimin e qytetarëve, që erdhi si pasojë e inflacionit të madh përgjatë këtij viti. Inflacioni e preku “tavanin”, duke shënuar 14,2 për qind gjatë korrikut e 14,1 për qind gjatë gushtit, i cili ndikoi në rritjen e çmimeve të produkteve.
Në fakt, ekonomistët dhe qytetarët, që ndanin përvojat e tyre me Nacionalen, e vlerësuan si vit të zorshëm për Kosovën. Por krejt ndryshe mendonte Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, e cila vlerësonte se Kosova ka shënuar rritje ekonomike përkundër inflacionit të madh.
Për përvojave personale, rritjen e çmimeve e deshmojnë edhe raportet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Bazuar në publikimet e përmuajshme, arrihet të kuptohet se jeta për çdo muaj është bërë më e vështirë dhe më e kushtushme për konsumatorët.
“Është e vështirë mbushja e shportës me produkte bazike, le më me produkte të lluksit”, kështu deklaronin qytetarët për Nacionalen saherë që pyetëshin se a po mund t’ia dalin me këto rritje enorme të çmimeve.
“Qytetarët vështirë e përballojnë dhe përjetojnë rritjen e çmimeve të cilat vazhdimisht po rritën dhe nuk po ua mundësojnë atyre që të mbushin shportën e konsumit me produkte të nevojshme, bazë e elementare”, deklaronin njëzëri ekonomistët për Nacionalen, duke theksuar faktin e inflacionit të lartë.
Statistikat...
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar çdo muaj raportet që vlerësonin normat e inflacionit në Kosovë. Herë pas herë, inflacioni shkoi deri në 14,2%, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të produkteve bazike të konsumit.
Sipas ASK-së, norma e inflacionit në janar të vitit 2022 ishte 7.1 për qind, ndërkohë që më pas në muajin gusht ishte rritur në 13 për qind, e më pas në muajin nëntor përjetoi një rënie në 11.6 për qind.

“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.9% në muajin janar 2022, ndërsa norma vjetore e inflacionit ishte 7.1%. Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1.1%, ndërkohë që norma vjetore e inflacionit ishte 7.5%. Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.9% në muajin korrik 2022, ndërsa norma vjetore e inflacionit ishte 14.2%.Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.2% në muajin gusht 2022, ndërkohë që norma vjetore e inflacionit ishte 13.0%.”, thuhej në raportet e ASK-së.
Shtrenjtimi...
Sipas të dhënave të ASK-së rritje më të madhe të çmimit nga janar në nëntor kryesisht u vërejt tek durtë, vaji dhe derivatet, mishi, vezët ndërkohë që rritje ka pasur edhe tek produktet e tjera.
Sipas tyre, çmimi i orizit në janar ishte 1 euro e 43 centë, ndërkohë në nëntor u ngrit në 1 euro e 57 centë. Çmimi i kilogramit të miellit të grurit në janar ishte 66 centë, ndërsa në nëntor u rrit në 82 centë.
Çmimi i bukës së bardhë në janar ishte 42 centë, ndërsa në nëntor u ngrit në 51 centë. Çmimi i mishit të viçit në janar ishte 8 euro e 2 centë, ndërsa në nëntor u ngrit në 9 euro e 77 centë. Çmimi i litrit të qumshtit u rrit në 1 euro e 23 centë në nëntor, nga 94 centë sa ishte në janar.
Edhe çmimi i vezëve përjetoi një rritje të madhe. Nga 3 euro e 2 centë sa ishin në janar, ato u rritën në 4 e 49 centë në muajin dhjetor. Vaji i lulediellit në janar kushtonte 1 euro e 69 centë për litër, ndërsa në dhjetor u rrit në 2 euro e 30 centë.
Çmimi i fasules nga 2 euro e 63 centë sa ishte në janar, në dhjetor u rrit në 3 euro e 42 centë. Kilogrami i sheqerit në janar ishte 87 centë, ndërsa në nëntor shkoi në 1 euro e 18 centë.
Çmimi i qajit nga 7 euro e 85 centë, u rrit në 9 euro e 25 centë.

Çmimi i metrit të druve në janar ishte 46 euro e 44 centë, ndërsa në nëntor u rrit në 67 euro e 33 centë. Ndërkohë, çmimi i litrës së benzinës në janar ishte 1 euro e 27 centë, ndërsa në nëntor shkoj në 1 euro e 45 centë, ndërsa çmimi i litrës së naftës ishte 1 euro e 24 centë për litër n muajin janar, ndërkohë që shkoi në 1 euro e 65 centë në nëntor.
Qytetarët...
Gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe me disa qyetatarë me të cilët ka folur për këtë rritjen e çmimeve. Ata thanë se çmimi i vajit ka kaluar të gjitha limitet e shtrenjtimit.
“Nga 89 centë ose 99 centë, çmimi i vajit ëshët rritur në 3 euro gati”, ka thënë Valbona Hoti për Nacionalen.
Hoti gjithashtu përmendi edhe rritjen e çmimit të vezëve këto ditë që sipas saj është prap diçka e papërballueshme.
“Rrogat nuk po rriten, mirëpo çmimet e reja po dalin çdo ditë, bile çmime me rritje ekstreme. Çmimi i vezëve gati ka shkuar në 5 euro nga 2 euro sa ka qenë më herët. Kjo e bënë shumë të vështirë dhe të papërballueshme mbulimin e shpenzimeve për ne si qytetarë”, ka thënë ndër të tjera zonja Hoti.
Ekonomistët...
Ekonomisti Besnik Avdiaj i tha Nacionales se arsyet reale lidhen me shthurjen e zingjirit global të furnizimit si rezultat i pandemisë, pasigurinë e krijuar nga situata në Ukrainë, por në masë të madhe mund t'ja atribuojmë spekulimeve të tregut, keqpërdorimeve dhe manipulimeve.
Sipas tij, në situata të tilla, palët priren t'i shfrytëzojnë për përfitime të shpejta. Tregtarët nuk përbëjnë ndonjë përjashtim.
“Institucionet kanë mekanizma të mjaftueshëm për t'i kontrolluar çrregullimet e tregut, pa pasur nevojë të ndërhyjnë në mënyrë arbitrare në përcaktimin e çmimeve. Ka metoda të ndryshme për të mbrojtur konsumatorin nga manipulimet me çmime, për të siguruar transparencë, tregti të ndershme, për të mbështetur kategoritë me të ardhura më të ulëta, bizneset e vogla... kontrolli i çmimeve nuk e parandalon domosdoshmërisht rritjen e tyre, por krijimi i mjedisit ku kriza shpërndahet tek të gjitha palët, e lehtëson barrën dhe siguron përballim më të lehtë”, ka thënë Avdiaj.
Kurti...
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, vazhdimisht i ka “mëshuar” faktit se Kosova pa pasur rritje ekonomike përkundër inflacionit. Madje hiç më larg se më 28 nëntor, Kurti e rithkesoi narrativën e tij për rritjen ekonomike.
“Rritja ekonomike e këtij viti në Kosovë është 4 për qind e bruto produktit vendor. Kjo sjell optimizëm për ekonominë dhe në të njëjtën kohë mirëqenie për të gjithë qytetarët, sepse me ndihmën e masave sociale do ta shpërndajmë këtë rritje për të gjithë ju dhe mbi të gjitha për ato shtresa të shoqërisë që janë në vështirësi.” – theksoi Kurti.
Po ashtu Kurti edhe gjatë këtij viti vazhdoi të theksonte se ka pasur punësim të njerëzve.
“Pastaj kemi pasur rritje në investimet kapitale 10,3 për qind, i kemi shtuar 25,000 vende të reja në tregun e punës dhe kemi pasur rritje të eksporteve 83, 6 për qind përkundër bazës së ulët, eksportet janë rritur 83,6 për qind, procesimi i lëndëve të drurit, lëkurës, tekstilit, ushqimit, pijeve dhe sektorit të ICT.”, ka thënë tutje Kurti.



