Ushtruesve të detyrës u "zgjatet jeta" edhe me ligj - Qeveria kritikohet për kapje të administratës shtetërore - NACIONALE

Ushtruesve të detyrës u "zgjatet jeta" edhe me ligj - Qeveria kritikohet për kapje të administratës shtetërore

8 muaj më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Qeveria Kurti në vazhdimësi ishte kritikuar për mbajtjen e pozitave të larta udhëheqëse me ushtruesit e detyrës. Shumica e Sekretarëve të Përgjithshëm nëpër ministri janë ushtrues të detyrës anipse në disa raste ishin kryer procedura rekrutuese. Pavarësisht kësaj, Qeveria Kurti tashmë me ligj ka zyrtarizuar që ushtruesit e detyrë të ushtrojnë detyrën për kohë edhe më të gjatë. E ky veprim është kritikuar dhe është parë si kapje dhe mbajtjen e pozitave të larta me “nëpunës civil të përshtatshëm”.

Kuvendi i Kosovës të mërkurën miratoi në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë. Ky Projekligj parasheh që ushtruesit e detyrës të qëndrojnë edhe më gjatë, aq sa i duhet pushtetit në atë pozitë.

Ndërkohë, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar pas miratimit të Projekligjit për Zyrtarët Publik, duke thënë se miratimi i tij e thellon edhe më shumë problemin me ushtruesit e detyrës.

Në reagimin e tyre, GLPS thotë se tashmë është ligjësuar praktika negative për funksionim më ushtrues detyre dhe mbajtjen e tyre për politika ditore.

Në projektligjin e dërguar nga Qeveria në Kuvend në qershor, afati për mbajtjen e pozitave me ushtrues të detyrës ka qenë 2 vite. Në procedura parlamentare është shtuar një amandament i cili është integruar në ligjin e miratuar dje, ku afati për mbajtjen e pozitave me ushtrues të detyrës ka ndryshuar nga 2 vite sa ishte propozuar fillimisht në 1 vit por me mundësi zgjatje pa ndonjë kufizim kohor nën kushtin ligjor nëse procedurat e rekrutimit janë shpallur por që për arsye objektive pozita nuk është plotësuar. Ky rregullim lejon hapësirë që pozitat me Ushtrues Detyre të mbahen në kohë të gjata siç është bërë praktikë kohëve të fundit. Kjo praktikë negative tash e ligjësuar edhe me ligj i jep mundësi dhe nxit politikën ditore për të mbajtur në pozita të lira ushtrues detyre me “nëpunës civil të përshtatshëm” duke minuar komplet mekanizmin e rregullt ligjor për plotësimin e këtyre pozitave në pajtim me rregullat dhe procedurat që garantojnë meritokracinë.” – thuhet në reagimin e tyre.

GLPS-ja u ka bërë thirrje të gjitha palëve kompetente që ta dërgojnë projektligjin e miratuar në Gjykatën Kushtetuese.

Gjithashtu edhe shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar duke thënë se është formalizuar shkatërrimi i administratës së shtetit. Tahiri ka thënë se tashmë ushtruesit e detyrës kanë të drejtë dy vjet të ushtrojnë detyrën e pozitave të larta.

Ai këtë ndryshim të ligji e ka parë si shkatërrim të administratës shtetërore dhe si legalizim të konceptiti “parti shtet”.

Sot, u formalizua shkatërrimi i Administratës së Shtetit. Sot, Qeveria e legalizoi partizimin e shtetit me nenin që e normon Ushtruesin e Detyrës me dy vjet në ushtrimin e detyrës në pozita të larta. Sot, me një e-mail emërohesh Sekretar i Përgjithshëm dhe në të njëjtën ditë me një e-mail tjetër shkarkohesh. Sot, është legalizuar koncepti 'Parti Shtet'.” – ka shkruar ai në Facebook.

Kritikat e Raportit të Progresit

Qeveria e Kosoëvs është kritikuar në Raportin e Progresit që u publikua të mërkurën bash për këtë çështje.

Në Raportin e Progresit thuhet se aktivitetet e integrimit në BE u ndikuan negativisht nga administrat e dobtë si dhe mbajtja e posteve kryesire me ushtrues të detyrës.

Aktivitetet e integrimit në BE u ndikuan negativisht edhe nga kapaciteti i dobët administrativ dhe nga fakti që një sërë postesh kyçe në administratën publike mbahen nga zyrtarë që shërbejnë si ushtrues detyre.” – thuhet në raport.

Kujtojmë se Nacionale kishte raportuar për Sekretarin e Ministrisë së Kulturës, Xheladin Krasniqi që është ushtrues i detyrës në këtë pozitë anipse Qeveria kishte kryer proces rekrutues për këtë pozitë.

Ndërkohë, Nacionale kishte raportuar për bllokimin e pagave për zyrtarët publikë për shkak që personat kompetet për t’i kryer transferet ishin ushtrues detyre dhe se ligjërisht nuk kanë të drejtë të marrin një vendim të tillë.

Klikoni në këtë LINK për të kuptuar sa pozita janë më ushtrues të detyrës.

Lajme të ngjashme