Administrata në duar të ushtruesve të detyrës, këto 8 ministri dhe 29 agjenci s`kanë titullarë të rregullt
Praktika e mbajtjes së pozitave drejtuese në administratë publike me ushtrues të detyrës është bërë një fenomen shqetësues në Qeverinë Kurti.
Për gati një vit, 8 ministri dhe 29 agjenci ekzekutive kanë ushtrues detyre ose zëvendësues në pozitën drejtuese.
Gazeta Nacionale ka siguruar emrat e ministrive dhe agjencive që nuk kanë titullarë të rregullt për një kohë të gjatë.
Me ushtrues detyre është edhe Zyra e Kryeministrit.
Pozitat e sekretarëve të përgjithshëm me ushtrues detyre i kanë edhe këto ministri: Ministria e Financave Punës dhe Transferve; Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë; Ministria e Zhvillimit Rajonal; Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; Ministria për Komunitet dhe Kthim, dhe Ministria e Mbrojtjes.
Kjo e fundit fillimisht ka zgjedhur në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm Gafurr Dugollin, por Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte vlerësuar se emërimi i tij është bërë pa përfunduar shqyrtimi i ankesave në këshill. Për këtë arsyeje, këshilli kishte kërkuar shfuqizimin e vendimit për emërimin e tij nga Qeveria, derisa të shqyrtohen ankesat.
29 agjencitë ekzekutive
Më në të njëjtën gjendje janë edhe 29 agjenci ekzekutive, të cilat funksionojnë në kuadër të Zyrës se Kryeministrit dhe ministrive të caktuara.
Aktualisht Zyra e Kryeministrit i ka dy agjenci që funksionojnë me titullarë jo të rregullt.
Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) dhe Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm në Republikën e Kosovës, funksionojnë me ushtrues detyre.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka 7 agjenci që udhëheqësit e tyre janë zëvendësues. Agjencitë janë këto: Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve Kosovare, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit të Kosovës, Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, Agjencia Kosovare e Standardizimit, Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, Agjencia për Pronësi Industriale.
Hiq më mirë nuk qëndron as Ministria e Financave Punës dhe Transferve, e cila ka katër agjenci me ushtrues detyre: Administrata Tatimore e Kosovës, Njësia për Inteligjencë Financiare e Kosovës, Agjencia Qendrore e Prokurimit dhe gjencia e Punësimit të Kosovës.
E njëjta situatë qëndron edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Katër agjenci të kësaj ministrie funksionojnë me u.d: Akademia e Kosovës për Siguri Publike, Agjencia për Regjistrim, Agjencia e Kosovës për Forenzikë dhe Agjencia e Shoqërisë së Informacionit.
Edhe Ministria e Drejtësisë ka katër institucione me ushtrues detyre: Avokatura Shtetërore, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, Instituti për Mjekësi Ligjore, dhe Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë UD Drejtori Ekzekutiv.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka dy agjenci pa titullarë të rregullt: Agjencia Pyjore e Kosovës dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë.
Në ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit janë dy institucione në këtë situatë: Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve dhe Qendra e Studentëve.
Edhe Ministria e Shëndetësisë me u.d. e ka Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicionale dhe Inspektorati Shëndetësor.
Ministria e Ekonomisë me u.d. e ka Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, kurse Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit me ushtrues detyre e ka Agjencinë anti-doping.
Kërkohet që të shpallen konkurset për këto pozita
Një praktikë e tillë kishte shkaktuar një bllokadë në administratë publike në javën e kaluar dhe në fillim të kësaj jave. Kjo pasi Ligji për Zyrtarët Publikë ka vendosur disa afate kohore sa i përket ushtruesve të detyrës.
Sipas këtij ligji, maksimumin e ushtrimit të një pozitë me ushtrues detyre është 6+6 muaj apo 1 vit. Në këtë mënyrë, më 26 shtator 2024 gjithë ushtruesve të detyrës iu kishte skaduar afati. Kjo bllokadë në administratë kishte bërë që të vonohet ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë, sepse edhe pozita e drejtohet të Thesarit ishte me ushtrues detyre, i cili më nuk kishte mandat për ekzekutimin e pagave.
Vetëm këtë javë, Ministri e Punëve të Brendshme, gjegjësisht Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (DMZP) ka lëshuar një opinion ligjor, ku tregon se si duhet të veprojnë institucionet në fjalë.
Në këtë opinion, kërkohet që të gjitha ministritë dhe agjencitë t`i shpallin konkurset për pozitat me ushtrues detyre.
Gjithashtu, në këtë opinion kërkohej se u.d. të sigurojnë funksionimin e institucioneve.
“Në mënyrë urgjente të shpallen procedurat e rekrutimit për të gjitha pozitat e lira të kategorive drejtuese, në mënyrë që të plotësohen pozitat siç parashihet në LZP. Titullarët e institucioneve si dhe zyrtarët kryesorë administrativ të institucioneve, duhet të sigurojnë funksionimin e institucioneve, duke caktuar në mënyrë të përkohshme në këto pozita zëvendësues, që do të sigurojnë se institucionet funksionojnë normalisht”, rekomandohet në opinionin ligjor DMPZ-së.
Aty kërkohej që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë të miratohet sa më shpejt nga Kuvendi i Kosovës.
“Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë i miratuar nga Qeveria më 8 mars 2024, duhet të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës sa më parë. DMZP u bën thirrje të gjitha institucioneve që urgjentisht të vlerësojnë situatën e tyre aktuale të burimeve njerëzore, dhe të sigurohen se për pozitat e lira të punës të kategorive drejtuese të fillojnë procedurat e rekrutimit sa më parë, dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të përfunduar emërimet e zyrtarëve në këto pozita. Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë, mbetet e gatshme të ofrojë mbështetje dhe udhëzime gjatë këtij procesi. Presim që institucionet të veprojnë me përpikëri për të siguruar funksionimin e të gjitha institucioneve të administratës publike”, thuhet në opinionin ligjor, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale.