U pranua gjithçka që u refuzua dy ditë më parë, por VV s'e pranon dështimin: Ku është fitorja sipas tyre? - NACIONALE

U pranua gjithçka që u refuzua dy ditë më parë, por VV s'e pranon dështimin: Ku është fitorja sipas tyre?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mbrëmë u arrit një marrëveshje për targat që efektivisht eviton përshkallëzimin e mëtejmë të situatës në veri të Kosovës. Por, kjo marrëveshje është/duket e njëjtë me atë që ishte refuzuar nga Kurti vetëm dy ditë më parë. E megjithatë, Vetëvendosje po gjen hapësirë për të mos pranuar humbjen. Çka fitoi Kosova sipas VV-së?

Të lëmë anash për një çast dëmtimin e imazhit ndërkombëtar të Kosovës dhe dëmtimin e procesit të integrimit të serbëve kosovarë në institucionet tona. T’i biem shkurt për atë se çka ndodhi dhe për atë se çka pretendon Vetëvendosje se ndodhi.

Më 21 nëntor, Josep Borrell – shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian – në një konferencë për medie njoftoi se kishte dhënë një propozim i cili ishte pranuar nga Serbia por ishte refuzuar nga Kosova.

Cili ishte ai propozim? Meqë takimi urgjent ishte thirrur për shkak se po skadonte afati i qortimit dhe po hynim në afatin e gjobitjes, Borrell kishte ftuar Kurtin dhe Vuçiqin për të diskutuar pikërisht këto çështje. Dhe, propozimi ishte për këto çështje: Serbia të ndalonte lëshimin e targave ilegale dhe Kosova të ndërpriste fazat e mëtejme.

Kosova pranoi një gjë të tillë, siç dëshmoi po atë mbrëmje ambasadori në Bruksel Agron Bajrami. Por, ajo donte diçka më shumë: nisjen e procesit të bisedimeve bazuar në propozimin e fundit franko-gjerman.

Fitorja e VV-së

Dhe, pikërisht në këtë pikë Vetëvendosje pretendon të ketë korrur fitore në Bruksel. Do të nisin bisedimet për propozimin franko-gjerman.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte pretenduar se Josep Borrell kishte hequr dorë në takimin e 21 nëntorit nga ky propozim dhe madje edhe nga normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Madje, gjatë ditës së djeshme ai shkoi edhe më larg duke pretenduar se Borrell po i shërbente agjendës së Serbisë pasi – siç u shpreh – nuk kishte thirrur takime me liderët as në muajin shtator e as në muajin tetor siç ishin marrë vesh në gusht për takime mujore.

“A e mbani në mend se në gusht jemi marrë vesh për takime të rregullta mujore (me Vuçiqin). Kam pritur në shtator s’më kanë ftuar, kam pritur në tetor s’më kanë ftuar... Nëse Parisi Berlini e Brukseli me mbështetjen e Washingtonit sjellin një propozim, dhe dy muaj të mos ketë takim...” – tha dje kryeministri.

Problem i shpikur?

Por, problemi ishte se ky problem dukej i shpikur. Bashkimi Evropian madje edhe para se të arrihej marrëveshja e mbrëmshme kishte përgënjeshtruar deklarimet e kryeministrit Kurti se Borrell kishte hequr dorë nga normalizimi i marrëdhënieve.

Në një përgjigje për Nacionalen, zëdhënësi i BE-së Peter Stano, kishte thënë këto fjalë:

“Çdo pretendim se BE-ja po heq dorë nga propozimi i saj për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili mbështetet nga Gjermania, Franca dhe SHBA, është i pavërtetë. BE-ja vazhdon të qëndrojë plotësisht prapa këtij propozimi dhe inkurajon palët të bien dakord.”

As ShBA, as Franca e as Gjermania nuk kishin mbështetur pretendimet e kryeministrit Kurti, ndërkohë që kishin mbështetur ato të Josep Borrellit.

Por, Vetëvendosje vazhdon të insistojë.

Një nga analistët që mbështet Vetëvendosjen, Demush Shasha, mbështeti pretendimet e kryeministrit megjithatë duke thënë se marrëveshja e 21 nëntorit ishte ekskluzivisht e fokusuar te targat ndërkohë që kjo e 23 nëntorit jo.

Po ashtu, edhe Zv. Kryeministri Besnik Bislimi e vuri theksin pikërisht te nisja e bisedimeve intenzive mbi propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

Çka thotë marrëveshja?

Sipas ujdisë së djeshme në Bruksel, Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me denominimet e qyteteve serbe, dhe Kosova do të pezullojë çdo veprim të lidhur me targat ilegale.

Matanë targave, në paragrafin e tretë të deklaratës së dhënë nga Josep Borrell thuhet ndërkohë edhe fjalia shqetësuese si vijon: “Palët kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kalaura në Dialog duhet të zbatohen.”

Çka fitoi Kosova, atëherë? Nëse përnjëmend BE-ja – sado tragjika e komike të tingëllojë kjo - nuk po besonte te propozimi i BE-së, atëherë fitorja është te kthimi i besimit të BE-së te propozimi i BE-së.

Lajme të ngjashme