Sulmohen diplomatët, thirrje për manifestime, konspiracione: A po kthehet Kosova në marsin 2020? - NACIONALE

Sulmohen diplomatët, thirrje për manifestime, konspiracione: A po kthehet Kosova në marsin 2020?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zhvillimet e fundit politike të Kosovës kanë rikthyer ankthet e mëparshme. Kurti po përballet me presion të madh ndërkombëtar. Aktivistë e deputetë të VV-së po ofendojnë diplomatë ndërkombëtarë. Dhe, po bëhet thirrje për manifestime "përkrahëse” për kryeministrin. A po kthehemi në marsin e 2020-s?

Populli nuk e vuri Vetëvendosjen në pushtet, por thjesht e hoqi nga opozita pasi bënte shumë zhurmë. Kështu pak a shumë thotë një mendim.

Por, Vetëvendosje përkundër episodeve të një urtësie, nisi të bënte zhurmë sërish kur përballej me presionin ndërkombëtar.

2020

Në marsin e vitit 2020, kryeministri i Kosovës Albin Kurti po përballej me kërkesën amerikane për heqjen e taksës 100% dhe mos-vendosjen e reciprocitetit.

Ish i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e kërkonte ngulmueshëm një gjë të tillë. E përveç tij, edhe Departamenti amerikan i Shtetit.

Kjo e lëkundi edhe Qeverinë Kurti I, që ishte ndërtuar nga një koalicion qeveritar mes Vetëvendosjes dhe LDK-së. Partia që në atë kohë drejtohej nga Isa Mustafa, nuk mundi ta duronte presionin dhe i kërkoi qeverisë të koordinohej me partnerin më të madh të Kosovës. Por, Kurti refuzoi!

Kjo na solli te tenxheret dhe tepsitë e Fitore Pacollit, deputetes së Vetëvendosjes. E më pas, edhe te tenxheret dhe tepsitë e kusitë e shumë përkrahësve tjerë të Albin Kurtit. Netëve, ata dilnin nëpër ballkonet e tyre dhe iu mëshonin këtyre sendeve të metalta.

Kjo fushatë me tenxhere nisi madje edhe para se Albin Kurti të rrëzohej.

#MeKryeministrin

E Fitorja e kishte një vëlla, Fitimin, që bashkë me aktivistë tjerë do të hapnin një grup të madh në mbështetje të kryeministrit Kurti. Quhej “MeKryeministrin” dhe mblodhi rreth vetes mbi 300 mijë profile, të rreme e të vërteta.

Gjatë kohës sa Kurti ishte në Bruksel, më 21 nëntor, dhe prej ku do të vinin fjalë të këqija nga kryediplomati i BE-së Josep Borrell vetëm më pas, deputetë e zyrtarë të shumtë të Vetëvendosjes do të postonin një thurje të ngjashme në Facebook #MeKryeministrin.

Borrell do të njoftonte më pas se Vuçiq e kishte pranuar një propozim të BE-së, ndërsa Kurti e kishte refuzuar. Ai nuk ngurroi ta qortonte ashpër Kosovën, duke thënë edhe se do t’i tregonte partnerëve dhe shteteve anëtare për sjelljen e palëve (sidomos të Kosovës, siç u shpreh).

Manifestimi madhështor

E gjatë ditës së sotme, anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes Boiken Abazi, propozoi mbajtjen e një manifestimi në përkrahje të kryeministrit të Kosovës që po përballej me presion të shtuar ndërkombëtar.

“Mos ka ardhur koha për një manifestim madhor në Prishtinë në mbështetje të Qeverisë Kurti përballë presionit që vjen nga Serbia dhe cilitdo ndërkombëtar, që edhe miqtë tanë të marrin mesazhin qartë...? Nëse organizohet, me dëshirë ndihmoj në koordinimin e autobusëve edhe nga Tirana...” – shkroi z. Abazi në llogarinë e tij në Facebook.

Nuk dihet nëse ka ardhur ose jo koha për një gjë të tillë, por Vetëvendosje ka sulmuar ashpër kryediplomatin e BE-së Josep Borrell. Madje, edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka sulmuar diplomatin spanjoll duke lënë të nënkuptohet se po sabotonte planin franko-gjerman.

“Nuk mund të shkojë kryeministri në Bruksel me prioritet targat. Ata hoqën dorë nga propozimi i Bashkimit Evropian. Kur unë i thashë Borrellit në Paris se (ky është) propozim frankogjerman... ai tha nuk është propozim franko-gjerman por propozim i Bashkimit Evropian. I thashë në rregull z. Borrell, tash e tutje do ta quajmë propozim të Bashkimit Evropian. Si bëhet tash që Bashkimi Evropian thotë, po merremi vesh veç për targat?” – u shpreh sot kryeministri i Kosovës.

A ka ndonjë dallim prej vitit 2020?

Në fakt, situata duket edhe më e keqe pasi në vitin 2020, Bashkimi Evropian dukej më hezitues për të mbështetur ShBA-të. Ndërkohë, në përplasjen e BE-së me Kurtin tash, ShBA i ka dhënë evropianëve mbështetje të plotë.

Madje, ShBA ka bërë presion jashtëzakonisht të madh për shtyrjen e afatit për targa edhe për dhjetë muaj tjerë, por edhe për nisjen e negociatave për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Lajme të ngjashme