"Ish komunisti me tetëvjeçare": Pasi sulmit të Robellit ndaj Escobarit, studiuesi pro-Kurtit sulmon 'brutalisht' Lajçakun - NACIONALE

"Ish komunisti me tetëvjeçare": Pasi sulmit të Robellit ndaj Escobarit, studiuesi pro-Kurtit sulmon 'brutalisht' Lajçakun

1 vit më parë

nga NACIONALE

Duket që sulmet e njerëzve që mbështesin pushtetin ndaj diplomatëve amerikanë dhe evropianë do të vazhdojnë. I fundit është Agim Morina, studiues në Londër, që po ashtu mbështet Kurtin dhe së fundi ka sulmuar ashpër Mirosllav Lajçakun, përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Gazetari Enver Robelli me anë të një shkrimi në Facebook para disa ditësh, thuri sulme brutale ndaj përfaqësuesit të ShBA-ve për dialogun, z. Gabriel Escobar. Ai e lidhte Escobarin si pro-serb përmes lidhjes që i bënte ish ambasadorin William Montgomery me krimin e organizuar serb.

Studiuesi shqiptar që jeton në Londër e që mbështet Kurtin, Agim Morina, ka bërë një sulm të ngjashëm por kësaj here drejtuar përfaqësuesit të BE-së për dialogun, z. Mirosllav Lajçak.

Ky shkrim është shpërndarë nga portali RrugaPress ditën e sotme, portal që shpërndahet zakonisht nga aktivisti i VV-së Elvis Hoxha nga Shqipëria.

Ai titullohet “Lajçaku – ish komunisti i zellshëm “me tetëvjeçare” derisa thuren sulme mbi personalitetin e tij.

“Miroslav Lajčáku mun me qenë shembulli më i mirë i asaj thënieje qengji i mirë – dhe kalkulant – thith dy nëna. Një karrierist nuk ka shenjë ma të dallueshme sesa kur e sheh se si i ndërron bindjet brenda nate, për me mujtë me thithë edhe ma shum se dy nëna, nëse i shfaqet një shans i tillë.” – janë fjalët hyrëse të z. Morina.

Sulmet personale ai i vazhdon duke e akuzu për karrierizëm.

“Si djalosh ambicioz, megjithëse në horizont kishte nisë me u nëpërdukë lëkundja e regjimit komunist, me 1982, djalë 19-vjeçar, bëhet anëtar i Partisë Komuniste të Çekosllovakisë, i asaj partie kukull sovjetike që ia shkeli atdheun me tanke, kur aj ishte 5 vjeç. Natyrisht, e bëri këtë jo për shkak se kishte bindje të thella politike, por për shkak se e dinte se kështu do të mund të ngjitej shkallëve të karrierës politike. Kjo nuhatje prej langoi ka me i shërby mirë edhe në të ardhmen...” – vazhdon ai.

Ai sulmon Lajçakun për atë që në të vërtetë e kërkon Bashkimi Evropian, të cilin e përfaqëson diplomati sllovak.

“Lajčáku me lehtësinë më të madhe kërkon asociacionin për serbët në Kosovë, kërkon ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës me qëllim që t’i përshtatet synimeve shoviniste të Serbisë...” – thotë mes tjerash Morina.

Në mënyrë konspirative, z. Morina lidh Lajçakun edhe me shtetin e Spanjës – shtet mosnjohës i Pavarësisë së Kosovës.

“Por, vërjani mendjen, aj ka një lidhje interesante edhe me Spanjën. Nis me shefin e tij të dikurshëm, Javier Solanan dhe vazhdon edhe sot me Joseph Borrelin. Rastësi? Mirë, dy rastësi e më shum nisin e bëhen rregull apo jo? Dhe jorastësisht këto dy shtete nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. A bën vaki që na jemi të panafakë dhe kundërshtarët tanë gjithmonë bahen bashkë?” – shkruan më tej ai.

Duhet të kujtojmë se Bashkimi Evropian po ashtu mban qëndrim neutral sa i përket Pavarësisë së Republikës së Kosovës, për shkak të pesë shteteve mosnjohëse. Qëndrimi i z. Lajçak, e edhe i z. Borrell, është në fakt sa i përket roleve që bartin, qëndrim i Bashkimit Evropian.

Por, Morina i bën Lajçakut edhe një sulm shumë të sforcuar pasi pretendon se tregon pro-serbizmin e tij përgjigja që jep në akuzat se ai “i urrente serbët”, e që natyrisht është një gjë të cilën e ka mohuar ashtu siç e ka mohuar ta zëmë, kryeministri Albin Kurti.

“E paskan zgjedhë temën e gabuar dhe njeriun e gabuar. Në asnjë mënyrë nuk jam armik i serbëve. Ata që më akuzojnë se jam – gënjejnë! Asnjë nga masat që kam marrë nuk kanë qenë të drejtuara kundër Republikës Serbe apo serbëve, dhe nuk kam ndëgju asnjë argument që kish me tregu të kundërtën. Ndërsa në vetë Serbinë ka me qindra njerëz të cilët më njohin mirë dhe të cilët askush nuk mundet me i bindë që jam armik i serbëve.”

Por, të gjithë duhet të ndalen dhe të mendojnë se si erdhi puna që Lajçak të akuzohej si anti-serb, dhe si çojnë këto akuza në konkluzën se ai mund të jetë pro-serb. E vështirë, shumë e vështirë për t’u kuptuar.

Duhet të kujtojmë se Mirosllav Lajçak është politikan dhe diplomat sllovak 59 vjeçar që ka shërbyer edhe si Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovakisë.

Lajçak ishte emëruar Përfaqësues Special i BE-së për dialogun në fillim të muajit 2020.

Duhet theksuar që z. Agim Morina është një gjuhëtar, studius e poet që jeton dhe vepron në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.

Ftojmë lexuesit që të lexojnë shkrimin e plotë të z. Morina duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme