Turpërimi që i bëri dje Policia e Kosovës shtetit: Cilat ishin reagimet dhe cili konteksti? - NACIONALE

Turpërimi që i bëri dje Policia e Kosovës shtetit: Cilat ishin reagimet dhe cili konteksti?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës e ka bërë një gabim të rëndë që pritet t’i kushtojë shtrenjtë vendit tonë. Çka ndodhi dhe pse kjo është e frikshme?

Më datën 10 prill, një zyrtar policor dyshohet se kishte gjuajtur me armë zjarri në drejtim të një qytetari te ura e Bistricës në Leposaviq.

Policia e Kosovës bëri një reagim të menjëhershëm, duke insistuar që një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

“...bazuar në informacionet zyrtare, vërtetohet se Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të gjuajtjes me armë zjarri...”thuhet në reagimin e saj ku një gjë e tillë përsëritet plot tri herë brenda të njëjtit shkrim.

Por, gjithçka do të ndryshonte një ditë më pas. Lista Serbe do të pretendonte se qytetari serb me inicialet M. J. ishte qëlluar nga një polic i Kosovës. Dhe fatkeqësisht, Policia do t’i jepte të drejtë.

“... është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri.”thoshte Policia e Kosovës më pak se 24 orë më vonë.

Prej atëherë, polici në fjalë u suspendua dhe u arrestua. Dhe, u suspenduan e arrestuan edhe tre policë tjerë që dyshohet se kanë mbuluar këtë krim.

Reagimet

Jeff Hovenier ishte jashtëzakonisht i ashpër pas një gjëje të tillë, duke përmendur edhe komunikatën e parë të Policisë ku mohohej një gjë e tillë.

“Jemi thellësisht të shqetësuar nga mohimi fillestar që u bë pa kujdesin e duhur,” – u shpreh ambasadori amerikan Jeff Hovenier.

Ai vazhdoi duke thënë se të gjithë qytetarët duhet të kishin besim në transparencën e autoriteteve të rendit dhe të sektorit të drejtësisë.

Për një gjë të tillë reagoi edhe ambasadori gjerman Jorn Rohde.

“Sjellja e keqe e mundshme nga policia duhet të hetohet si çdo rast tjetër.”u shpreh ai.

Për rastin reagoi edhe Zyra e BE-së në Kosovë.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka folur sot në një takim me ambasadorin amerikan Chris Hill duke pretenduar që “situata e serbëve që jetojnë në Kosovë po bëhej më e vështirë çdo ditë...”

“(ata) po ekspozohen thuajse çdo ditë me sulme, arrestime e presione tjera...”

Konteksti

Serbia është në mes të një propagande të intensifikuar kundër Kosovës për shkak të procesit të dialogut dhe zgjedhjeve të 23 prillit që po afrohen.

Lista Serbe madje kishte kërcënuar edhe me kryengritje të përgjithshme pas arrestimit të një qytetari kosovar të etnisë serbe që dyshohet për djegie të veturave. Disa prej veturave të djegura ishin me targa RKS.

Minsitri Sveçla kishte kërkuar që institucionet e pavarura të shqyrtonin edhe kushtetutshmërinë e Listës Serbe. Nacionale ka dërguar pyetje në KQZ dhe në Prokurori por nuk ka marrë deri tash përgjigje.

Në anën tjetër, në fund të muajit prill - në një takim të nivelit të lartë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë - pritet të prezantohet edhe drafti i statutit të të ashtuquajturit Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe.

Kujtojmë se dy javë më vonë, më 27 prill, do të raportohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Kosovën.

Lajme të ngjashme