"Tentim-vrasje": Lista Serbe me akuza të ashpra pas plagosjes së qytetarit Milan Jovanoviq në veri të Mitrovicës
Lista Serbe ka reaguar për rastin e plagosjes së një qytetari serb në veri të Mitrovicës, duke thënë se policia tentoi që ta vrasë serbin Milan Jovanoviq. Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka hedhur poshtë këto pretendime.
Përmes një reagimi në Facebook, Lista Serbe ka kërkuar që të tërhiqen Njësia Speciale nga veriu.
“Lista serbe dënon ashpër tentativën për vrasjen e serbit Milan Jovanoviq nga forcat speciale të Kurtit në Urën e Bistricës, në rrugën Kosovska Mitrovicë - Leposaviq dhe kërkon tërheqjen urgjente të të gjitha njësive speciale që janë të pranishme ilegalisht në veri të vendit.” – thuhet në reagim.
Më tej, aty thuhet se pika e kontrollit e Policisë së Kosovës është shndërruar në simbol të represionit mbi serbët dhe se ndaj “sulmeve” fshihen autoritetet e larta të Kosovës dhe ministri, Xhelal Sveçla.
Ata kanë bërë thirrje ndaj ndërkombëtarëve që të dënojnë këto raste.
“U bëjmë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që urgjentisht të dënojnë egërsinë e këtyre njësive parapolicore që po shtypin qytetarët e thjeshtë dhe të kërkojnë tërheqjen e tyre nga veriu i Kosovës, për të rivendosur paqen në këtë zonë dhe për të parandaluar rrezikimin e jetës por edhe të paqes dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve.” – përfundon reagimi i tyre.
Në anën tjetër policia ka demantuar shkrimet e mediave serbe se janë përfshirë në shkëmbim me armë zjarri apo plagosjen e qytetarit serb.
Policia ka thënë e nuk dihet shkaqet e plagosjes se personit dhe se policia nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo gjuajtjes me armë zjarri, në asnjë lokacion në veri të Kosovës
“Andaj edhe shkrimet, apo pyetjet e adresuara Policisë së Kosovës nga disa mediume serbe, se kinse Policia e Kosovës është përfshirë, apo në formën e pyetjes se a është përfshirë në gjuajtje me armë dhe plagosje të një personi te ura e Bistricë në komunë të Leposaviqit, ju informojmë dhe njëherit ritheksojmë se Policia e Kosovës, nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo gjuajtjes me armë zjarri, në asnjë lokacion në veri të Kosovës, përfshirë edhe lokacionin e apostrofuar.” – thuhet në reagimin e tyre.
