Komente tmerruese: Mbi 90% e ndjekësve të Konjufcës në “Facebook” e përkrahin dhunën ndaj Valon Sylës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka qenë nder politikanët e parë që ka dënuar sulmin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Valon Syla. Madje, deri më tani, është zyrtar i vetëm i larë shtetëror që ka reaguar ndaj dhunës së ushtruar ndaj gazetarit.
Por, ajo që shihet në komentet e statusit të tij në “Facebook” është e tmerrshme.
Në reagimin e tij, i pari i Kuvendit ka marrë qindra komente.
Mbi 90 për qind e tyre, janë shprehur pro dhunës ndaj gazetarit.
Shumica nga ta kanë marrë guximin për ta interpretuar se çka është liria e shprehjes e çka jo.
“Liria e shprehjes ka edhe kufirin e vet, e jo me ofendu hoxhën dhe me u tallë me fenë islame. I kalon atij, nuk e ka "sefte", është mësu. E shpresoj që një ditë do ta kupton që liria e shprehjes e ka kufirin e vet”, ka shkruar Labinot Egzona Goca.
Në komente është kritikuar Konjufca se pse ka reaguar për këtë rast.
“Jo i nderum kryeparlamentar, liria e shprehjes eshte gjer ne ate pike sa nuk i cenon ndjenjat shpirterore dhe morale te kujdoqofte,ne momentin kur cenon ndjenjat shpirterore dhe morale te nje personi ose me shum personave ateher nuk kemi te bejm me liri te shprehjes por kemi te bejm me nje njeri te pa ndërgjegjshëm”, shkruan një komentues tjetër.
Aty nuk kanë munguar as fyerjet nga gazetarit Valon Syla.
Sipas shumë prej tyre, Syla e njeh vetëm gjuhen e forcës.
“Liria e fjales nuk do te thot se garantohet edhe ateher kur shpif ose perqesh te tjeret. Fjala e thene ka pergjegjesi… e ky taraki Valon Syla nuk njeh pergjegjesi, por vetem dajak….”, ka shkruar Elbasan Z. Mustafa
“Sulmi ndaj ati qen bir qeni është një bukuri natyrore e cila i knaq zemrat e shqiptarve”, ka shkruar Benyy Une
Disa nga ta kanë uruar sulmuesit ndaj gazetarit.
“Liria e fjales nuk do te thot se garantohet edhe ather kur perqesh apo ofendon te tjeret.Edhe ato qe e kan rreh ne ket rast jan shpreh me vepra e jo me fjal.Ju lumshin duart❤️Respekt per ty Kryetar”, Abdullah Demiri.

Kurse, disa komentues gjë të njëjtë u kanë “uruar” edhe atyre që e përkrahin gazetarin Syla.
“Thojne se Stupcii prej Xhenetit u dale sidemos per ata qe lypin!”, ka shkruar Kushtrim Fazliu.
Shumë të pakt janë ata që kanë përkahur Konjufcën .
“Organet dhe institucionet shtetërore nuk duhet të jenë indiferente kur forcat që rrezikojnë demokracinë rrezikojnë të drejtat themelore të garantuara me kushtetutë. Bravo”, ka shkruar Xhevdet Mula.

Çka tha Konjufca?
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sulmin ndaj gazetarit Syla e ka cilësuar si sulm të rëndë ndaj lirisë së shtypit.
Sipas tij, sulmi ndaj gazetarëve është një krim i cili nuk përkon me traditën shqiptare.
“Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla është një shkelje e rëndë e lirisë së shtypit dhe e të drejtave të njeriut, dhe nuk mund të tolerohet kurrsesi në një shoqëri demokratike. Ata kanë të drejtën e garantuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë për të kryer detyrën e tyre profesionale pa frikë dhe pa ndonjë censure apo presion të jashtëm. Sulmi ndaj tyre është një krim i cili nuk përkon as me kulturën dhe as me traditën tonë shqiptare. Kërkohet që organet kompetente të ndërmarrin hapat e nevojshëm për t'i sjellë autorët e sulmit para drejtësisë! Solidarizohemi me Valonin dhe i dëshirojmë shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Konjufca.
Ndaj sulmit ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë fjalës hyrëse në mbledhjen e qeverisë, Kurti ka thënë se sulmi ndaj Sylës është i patolerueshëm dhe i papranueshëm.
“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës.” – ka thënë Kurti.
Deri me tani për rastin ka heshtur vetëm presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Dhuna ndaj gazetarit Syla është dënuar edhe nga liderët opozitarë dhe shoqatat vendore dhe ndërkombëtare të gazetarëve.
Kush janë sulmuesit?
Të martën mbrëma është sulmuar fizikisht gazetari dhe analisti i politikës, Valon Syla. Ai mori trajtim mjekësor dhe se sulmi ndaj tij u dënua fuqishëm nga gazetarët, politikanët e anëtarë të tjerë të shoqërisë.
Ai nga QKUK-ja ka folur për RTV Dukagjinin ku ka treguar se kush e ka sulmuar.
Syla ka thënë se ishin tre persona sipas tij “islamik fanatikë”.
“Po… sulmi, dmth… tre islamikë fanatikë më kanë sulmu. Shpejt e shpejt ka ndodh dhe kanë ikë.” – ka thënë Syla.
Ndryshe, analisti Valon Syla gjatë ditës së djeshme kishte bërë disa reagime lidhur me dhurmin e një veture “Mercedes” dhuratë për një hoxhë në Prizren, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava.
Syla kishte kritikuar ashpër këtë gjest të hoxhollarëve, duke i quajtur “mulla mercedesa”.
Deri me tani, Policia e Kosovë ende nuk e ka arrestuar askënd për sulmin.

