Shefja e UNMIK-ut shkon në Beograd për “raportin” mbi Kosovën, çuditshëm lavdëron edhe Ballkanin e Hapur
Shefja e misionit të tejkaluar të UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Zijadeh, u prit në qeverinë serbe këtë të hëne nga kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, me të cilën kanë diskutuar për raportimin e çdogjashtëmuajshëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e UNMIK-ut. Ky raportim në Këshillin e Sigurimit do të mbahret më 27 prill të këtij viti, ndërsa personin e parë që Zijadeh e njofton rreth përmbajtjes së këtij raporti ishte Brnabiq.
Brnabiq ndoqi linjat e zakonshme të diskursit serb për kinse rrezikun në të cilën janët të ekspozuar serbët në Kosovë derisa u ankua edhe për mosthemelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.
Çka bie veçanërisht në sy, po qe se i besohet komunikatës së Kabinetit të Kryeministrisë së Serbisë (UNMIK-u ende nuk ka lëshuar komunikatë për takimin Zijadeh-Brnabiq) është se shefja e UNMIK-ut lavdëron nismën e Ballkanit të Hapur, ndonëse nuk dihet se në çfarë cilësie, duke qenë se misionin të cilin ajo e udhëheq ka rol pothuajse inekzistent dhe nuk e përfaqëson më Kosovën për kohë të gjatë që nga shpallja e pavarësisë.
“Përfaqësuesja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Shefja e UNMIK-ut në Kosovë tha se qëllimi është ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe veçanërisht lavdoi inciativën e Ballkanit të Hapur si një mundësi për integrim më të mirë ekonomik të rajonit”, thuhet në komunikatën e kryeministrisë serbe.
UNMIK-u vazhdon të pretendojë të përfaqësojë Kosovën në forume rajonale dhe marrëveshje tregtare.
Serbia vazhdon të llogarisë në UNMIK-un
Siç shkroi dje Nacionale UNMIK-u është mision që nuk dihet më se për çfarë shërben. Koha e saj ka perënduar që moti. Kosova ka institucionet e veta, por, megjithatë, ky mision vazhdon të operojë ende në Kosovë.
Serbia insiston në ekzistencën e misionit të UNMIK-ut në Kosovë ngase mirëmban ende iluzionin për validitetin e Rezolutës 12/44 në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, organ ky në të cilin UNMIK-u raporton çdo gjashtë muaj mbi gjendjen dhe “të gjeturat” e tyte në vend. Këto takime/mbledhje Serbia insiston të jenë çdo gjashtë muaj dhe i fundit ishte më 18 tetor ku morri pjesë Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.
Muajin e kaluar Zijade u prit në Shtërpcë nga Kryetari Dalibor Jevtiq, ku shefja e UNMIK-ut thotë t’i ketë shprehur mbështetjen “për marrëdhëniet ndëretnike” derisa edhe e siguroi “për përpjekjet e qëndrueshme të UNMIK-ut për të ndërtuar mirëbesim ndaj të gjitha komuniteteve”.
Ka ndarje të thella midis Anëtarëve të Përhershëm të KS OKB-së ndaj UNMIK-ut. Në mesin e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Franca, Britania e Madhe dhe SHBA-ja e njohin pavarësinë e Kosovës dhe mbështesin qeverinë kosovare; Kina dhe Rusia nuk e njohin pavarësinë dhe mbështesin fuqishëm pozicionin e Serbisë dhe pretendimin e saj për “integritet territorial”.
Shtatë anëtarë të zgjedhur (Shqipëria, Gaboni, Gana, Japonia, Malta, Zvicra dhe Emiratet e Bashkuara Arabe) e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa tre (Brazili, Ekuadori dhe Mozambiku) jo.
Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë bërë kaherë thirrje për përfundimin e mandatit të UNMIK-ut në Kosovë, duke e vlerësuar madje edhe për “shpenzim kot parash”.
Ambasadori amerikan Jeffrey DeLaurentis shprehej se UNMIK-u nuk pati kurrëfar roli në zgjidhjen e konfliktit të fundit midis Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave. Përkundrazi, atij roli u shërbeu më mirë KFOR-i i udhëhequra nga NATO.
DeLaurentis argumentoi se UNMIK-u e ka përmbushur qëllimin e tij dhe misioni duhet të mbyllet, në mënyrë që burimet e tij të ridrejtohen atje ku janë më të nevojshme.