Lista Serbe paralajmëron “kryengritje të përgjithshme” nëse nuk lirohet serbi i arrestuar - NACIONALE

Lista Serbe paralajmëron “kryengritje të përgjithshme” nëse nuk lirohet serbi i arrestuar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovë ka arrestuar një person serb të dyshuar për sulm ndaj zyrtarëve policorë dhe djegien e tetë veturave me targa të Kosovës. Pas kësaj ngjarje, ka reaguar Lista Serbe ku ndër të tjera ka paralajmëruar “kryengritje të përgjithshme”, nëse serbi i arrestuar nuk lirohet.

Sipas njoftimit të policisë, personi i dyshuar, i cili është një kosovar me nacionalitet serb, dyshohej për përfshirje në sulmin me armë zjarri ndaj njësive të Policisë së Kosovës. Ai është i dyshuar edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar me targa të Kosovës.

Në një njoftim për media, Policia e Kosovës bëri të ditur se kallëzimi penal kundër të dyshuarit përfshin veprat penale "Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar", "Vrasje në tentativë", "Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm" dhe "Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare".

Arrestimi i të dyshuarit mashkull kosovar i nacionalitetit serb (M. B. 1987), është kryer sot rreth orës 17:00, pas hetimeve intenzive të kryera nga njësitet relevante policore. Personi i dyshuar, tanimë i arrestuar dyshohej për përfshirje në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njesisë së Policisë së Kosovës, ku si pasojë dy zyrtarë policor kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit. Lidhur me këtë rast kundër tij ishte ngritur kallëzim penal për veprat penale "Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar", "Vrasje në tentativë", "Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm" dhe "Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare". I njejti, gjithashtu është i dyshuar edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar në targa të Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftimine Policisë së Kosovës.

Në njoftimin e tyre, Lista Serbe ka paralajmëruar kryengritje të përgjithshme, sipas tyre për të "ndaluar represionin e kryeministrit Albin Kurti ndaj qytetarëve të pafajshëm."

Nga kjo parti kanë kërkuar lirimin e serbit të arrestuar, duke e cilësuar si "kidnapim nga forcat speciale të Kurtit"

"Pas mbledhjes së të dhënave për kidnapimin e sotëm të një serbri nga forcat speciale të Kurtit, dëshirojmë të theksojmë se populli serb paralajmëron Prishtinën që në rast se nuk i lirojnë të arrestuarit, të cilin njësitet e Kurtit e rrëmbyen pa të drejtë sot në veri të Kosovës dhe të mos ndalojnë së ngacmuari serbët, popullit se do të provokojnë reagimin e të gjithë serbëve. Për të qenë i qartë, nuk do të jetë një paralajmërim, por një kryengritje e përgjithshme për të ndaluar represionin e Albin Kurtit ndaj qytetarëve të pafajshëm." - thuhet në reagimin e tyre.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se djegia e veturave është e orkestruar nga Beogradi me qëllim të shkaktimit të frikës tek qytetarët tjerë.

Ai tutje ka thënë se çdo individë dhe grup kriminal të dirigjuar nga Beogradi, të cilët kanë kryer akte kriminale në vendin tonë, do të dalin para drejtësisë.

“Djegia e veturave të qytetarëve tanë në veri e orkestruar nga Beogradi me qëllim të shkaktimit të frikës tek qytetarët tjerë është pa dyshim akt i rëndë kriminal. Siç edhe kemi thënë sa herë kanë ndodhur akte të tilla, njësitet relevante policore kanë qenë të angazhuara në identifikimin e kriminelëve që kanë kryer akte të tilla. Njëri nga ta sot është arrestuar dhe i cili përveç që ka qenë i përfshirë në djegien e veturave në veri, si pjesë aktive e strukturës kriminale të të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile”, më parë ai kishte sulmuar me armë Policinë e Kosovës duke i plagosur dy zyrtarë të saj.” – ka shkruar Sveçla mes tjerash.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidencës, Blerim Vela, i cili ka shprehur besimin se komunitetet lokale mund të kenë besim në policinë multietnike të Kosovës dhe ka shtuar se personat që kanë kryer vepra kriminale do të dalin para drejtësisë.

Ai ka shtuar se i dyshuari i arrestuar ka një histori të gjatë kriminale. Reagimi i Blerim Velës erdhi pasi një person i nacionalitetit serb u arrestua për sulm ndaj zyrtarëve policorë dhe për djegien e tetë veturave të serbëve lokal, të regjistruara me targa RKS, të cilat janë djegur në tri ditët e fundit në veri të vendit.

Lajme të ngjashme