"Turp", "fjalë më pak" - qysh u përplasën Abdixhiku e Mustafa për të kaluarën e LDK-së?
Një përplasje e re nga distanca ka lindur në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Lumir Abdixhiku, kryetar aktual i LDK-së, duket se e ka shqetësuar "gardën e vjetër” të partisë, përfshirë Isa Mustafën, dikur lider i partisë më të vjetër të Kosovës e tash veç kryetar nderi i LDK-së.
Madje, në këtë debat, u përdorën edhe fjalë pak më të ashpra, teksa Abdixhiku e cilësoi si turp rënien e LDK-së në 12% gjatë udhëheqjes së Mustafës.
Njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se ky debat i brendshëm, ndonëse nga distanca, konfirmon se LDK-ja është një parti me demokraci të brendshme të zhvilluar.
Madje ata paralajmërojnë se “reformat e ndërmarra nga Abdixhiku” nuk do ta kursejnë as të kaluarën politike të partisë, gjatë së cilës Mustafa ishte kryetar i LDK-së.
“Fjalë më pak e më shumë punë”
Dje, në një intervistë në RTV Dukagjini, z.Abdixhiku e quajti turp gjendjen e LDK-së, e cila mori vetëm 12% të votave.
“Partia jonë mburret me rugovizëm. Njerëzit vijnë e shkojnë dhe secili lë gjurmët e veta brenda kohës së shkurtër që ka. Mua më turpëron fakti që një parti si LDK-ja ka mbetur në 12% në Kuvendin e Kosovës. Unë po angazhohet që partinë e Ibrahim Rugovës ta kthej ku e ka vendin”, theksoi Abdixhiku.
Këto deklarata janë një kundërpërgjigje ndaj Mustafës, i cili theksoi kohë më parë se udhëheqësit e LDK-së turpërohen me të kaluarën e partisë së tyre.
“Vetëvendosje e ka mbjellë farën e tyre edhe te LDK-ja, edhe te njerëzit e LDK-së, të cilët sot, në një formë, turpërohen nga ajo që ka punuar LDK-ja në të kaluarën. Këtë shtet, për 20 vjet nuk e ka bërë VV-ja, ka punuar vetëm në shkatërrimin e tij, ka qenë edhe kundër shpalljes së pavarësisë, edhe kundër marrëveshjes së Vjenës.”, deklaroi Mustafa për Tëvë 1.
Abdixhiku ishte i qartë edhe në përgjigjen e tij ndaj këtyre deklaratave të Mustafës, duke thënë se ai pret më shumë kontribute e më pak kritika ndaj LDK-së.
“Nuk besoj se ka njerëz që turpërohen prej të kaluarës së LDK-së. Unë po shoh njerëz të përkushtuar në LDK. Ne kemi njerëz që po bëjnë çmos që partinë ta kthejnë në vendin e vet. Presim më shumë kontribute e më pak kritika ndaj LDK-së”, tha Abdixhiku në RTV Dukagjini.
Analisti e publicisti, Halil Matoshi, beson se e gjithë kjo përplasje është një konfirmim që në LDK-ja ka demokraci të etabluar, e cila, që nga themelimi, ka ndryshuar disa kryetarë.
“Është partia e vetme me demokraci të brendshme të etabluar, që në zgjedhje të liderit shkon me kundërkandidatë. Secila parti politike i ka edhe dobësitë e veta, që manifestohen në qeverisje Dhe kjo, natyrisht, prodhon debat, pra debati në LDK nuk ka munguar asnjëherë. Isa Mustafa edhe vetë e di se ka veprime e zyrtarë të LDK-së për turp, siç ka edhe merita e meritorë, kurse rënia në 12% nuk është turp, por aksident zgjedhor, sepse qeverisja e kastës politike që fitoi 51% të votave, është më për turp se secila qeverisje e LDK-së në të kaluarën”, tha Matoshi për Nacionale.
Ndërsa analistja dhe aktivistja, Zana Avdiu, debatin në distancë mes Abdixhikut e Mustafës e sheh si shenjë që LDK-ja ka ndryshuar nga brenda, duke theksuar se ajo “nuk pastrohet me lojë fjalësh, por me veprime konkrete”.
“LDK-ja ka vendosur të duket e re, edhe nëse nuk ka ndryshuar nga brenda. Dhe rënia e LDK-së më së shumti e rëndon Isa Mustafën dhe sigurisht që z. Abdixhiku nuk do ta kursejë as atë, pavarësisht që Isa Mustafa ia ka hapur rrugën drejt LDK-së. Por, para se kryetari i tanishëm i LDK-se ta godasë dikë që është pensionuar, le të merret me figurat që i ka aktive në parti e të cilat kanë qenë pjesë e gardës së vjetër të LDK-së. Pra LDK-ja nuk pastrohet me lojë fjalësh, por me veprime konkrete”, theksoi zonja Avdiu.
Kujtojmë që LDK-ja ka shënuar rritje në sondazhe, duke u dyfishuar që nga përfundimi i zgjedhjeve të 14 shkurtit, kur partia e ish-presidentit Ibrahim Rugova e shënoi rezultatin më të dobët elektoral që nga ekzistenca e saj.


