Testi i Asociacionit, partitë opozitare kërkojnë që Statuti të respektojë Kushtetutën e Kosovës - NACIONALE

Testi i Asociacionit, partitë opozitare kërkojnë që Statuti të respektojë Kushtetutën e Kosovës

3 vjet më parë

nga Arta Avdiu

Ascociacioni duket të jetë një nga pikat thelbësore të marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, e cila tashmë me gjasë është afër nënshkrimit. Draft-statuti i publikuar të enjten nga Nacionale, e që u shkrua nga ekspertët gjermanë, u quajt si "fake news" nga presidentja Vjosa Osmani, ndonëse i njëjti u konfirmua se është shkruar nga organizata gjermane FES, që është e afërt me socialdemokratët e Gjermanisë.

Por, sipas aktorëve institucional e njohësve të rrethanave politike, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Njëjtë mendon edhe ministrja për Evropë në qeverinë e Gjermanisë, Anna Lührmann, e cila vlerësoi se Asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca "të plota ekzekutive".

"Edhe për mua duket problematike për t’i dhënë komeptenca të plota ekzekutive. Por, mendoj se është mirë që të ketë bashkëpunim me këto komuna, për të gjetur një rrugë se si mund t’i organizojnë dhe t’i shprehin pikëpamjet e tyre”, ka thënë ajo në një intervistë për Prime Time të Kanal 10.

Ndërsa, partitë opozitare kërkojnë që statuti i Asociacionit të jetë në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjet e Kosovës.

"Asociacioni kushtetues"

Valon Murtezaj, profesor i diplomacisë, njëherësh anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, theksoi se formimi i Asociacionit duhet të bazohet në Kushtetutën dhe në ligjet e Kosovës.

Në një përgjigje për gazeten Nacionale, Murtezaj numëroi ligjet ku duhet të bazohet formimi i ASK-së.

“Dokumenti që kemi parë në medie lidhur Statutin e Asociacionit duhet të themi që është ende i pakonfirmuar. Poashtu ky dokument verehet që është ende dokument në zhvillim, pra është draft-dokument. Formimi i Asociacionit dhe statutit në çfarëdo rrethane duhet të bazohet në disa dokumente madhore: Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Ligji/Legjislacioni respektiv i Republikës së Kosovës, Ligji për ratifikimin e marrëveshjes së vitit 2013, Parimet e negocuara në Bruksel;, Vendimi i Gjykates Kushtetuese lidhur me parime", deklaroi z.Murtezaj.

Tutje, Murtezaj vlerësoi se njohja mes dy shteteve duhet të jetë në qendër të marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se megjithatë Asociacionit s'duhet të ketë kompetenca ekzekutive.

“Si rrjedhim, në çfarëdo rrethane, Asociacioni nuk duhet dhe nuk bën të këtë kompetenca ekzekutive; Nuk duhet të zëvëndësojë kompetencat e komunave; Nuk duhet të këtë sherbyes civile, pra administrata e Asociacionit nuk mund të zëvëndësojë administratën komunale apo institucionet e qeverisë; Statuti i Asociacionit duhet të jetë në harmoni të plotë me ligjin e Republikës së Kosovës; Asociacioni mund të ndërlidhet me marrëveshjen finale, si institucion qe ben ‘veshtrim’ pa kompetenca ekzekutive. Por ne marreveshjen finale, ne qender duhet te jete njohja e shtetit te Kosoves, kjo eshte esenca e çfaredo marreveshjeje finale. Qeveria duhet të jetë shumë e vemendshme dhe të posedojë kapacitetet e nevojshme për të adresuar provizonet e Asociacionit në ‘frymë dhe në germë’ sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ai.

Njëjtë, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi se udhërrëfyesi i vetëm për hartimin e statutit te Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Çitaku një deklaratë për gazetën Nacionale tha se çdo tejkalim kompetencash apo krijim i një niveli të ndërmjetëm të pushtetit do të cenonte rendin kushtetues të Kosovës.

“Udhërrëfyesi i vetëm për hartimin e statutit te asociacionit duhet të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Çdo tejkalim kompetencash apo krijim i një niveli të ndërmjetëm të pushtetit do të cenonte rendin kushtetues”, ka thënë Çitaku.

Deklaratat...dhe Marrëveshja Bazë

Draft-statutin gjerman, të publikuar nga Nacionale, e ka komentuar edhe zonja Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, duke përdorur një term të popullarizuar nga ish-presidenti kontravers amerikan, Donal Trump.

“Është ‘fake news’, nuk është e vërtet që ekziston një draft gjerman që i është dorëzuar Republikës së Kosovës e as nuk do të ketë. Ata nuk thonë vetëm themelojeni Asociacionin, por edhe e përmendim se asnjë veprim i tillë nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Sekretari amerikan Blinken rikonfirmoi se nga Kosova nuk do të kërkohet asgjë që do të bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës, në një përgjigje për Nacionalen, theksoi se qëndrimi i ezkekutivit për Asociacionin është i njohur.

“Qëndrimi jonë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është i njohur, i qartë dhe i njëjtë. Asociacione që karakter themeltar kanë etninë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës sonë dhe vet karakterit e shtetit tonë. Për më tepër, komunitetet jo-shumicë kenë nevojë për integrim, jo izolim. Sa i përket dokumentit që ka qarkulluar sot në media, ai përveçse draft, është pa autor. Në anën tjetër ne jemi Qeveri e Republikës së Kosovës që kemi kushtetutshmëri dhe ligje të cilat i mbrojmë dhe respektojmë”, ka thënë Kryeziu.

Ndryshe, të premten Nacionale publikoi një tekst në lidhje me marrëveshjen bazë, e cila ka gjasa të nënshkruhet në fund të këtij viti.

Një burim i mirëinformuar i gazetës Nacionale, që e ka parë dokumentin e Marrëveshjes Bazë, shpjegoi se në marrëveshje nuk flitet për njohje reciproke. Por bëhet fjalë për një marrëveshje që bazohet në raportet që i kanë shtetet që janë anëtare të OKB-së, e ku citohen disa standarde ndërkombëtare te raporteve në mes të shteteve.

Ndryshe, dje kryeministri Albin Kurti takoi Ramush Haradinajn, kryetar i AAK-së, i cili ishte i vetmi që i shkoi në takim shefit të ekzekutivit. Pas takimit u konfirmua se dy politikanët biseduan për përmbajtjen që duhet të ketë marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajme të ngjashme