Tenderi 4 milionë euro: A po i vjen fundi pritjes së qytetarëve për pasaporta? - NACIONALE

Tenderi 4 milionë euro: A po i vjen fundi pritjes së qytetarëve për pasaporta?

3 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), do të nënshkruajë kontratë me vlerë 4 milionë euro për furnizim me pasaporta, letërnjoftime dhe patentë-shoferë. Në anë tjetër qytetarët tash e sa muaj janë duke pritur për pajisije me këto dokumentet.

Siç bëhet e ditur, kompania gjermane “Veridos Gmbh” do të realizojë furnizimin me material me pasaporta.

Kontrata mban titullin “Furnizim me dokumente blanko, pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferë”.

MPB për nënshkrimin e kësaj kontratke ka ndjekur procedurën e negocimit dhe pa publikimit të njoftimit për kontratë, lloj ky që nuk preferohet të aplikohet në prokurim publik.

Qytetarët në pritje

Ndërkaq, ende edhe pas nënshkrimit të kësaj kontrate, nuk dihet se kur do të marrë fund pritja e qytetarëve. Njejtë qysh nuk po e dinë as qytetari N.H nga komuna e Gjakovës, i cili po pret që gati dy muaj për marrjen e pasaportës.

N.H (emër i njohur për redaksinë) ka thënë për Nacionalen se është në pritje të pasaportës që nga 14 tetori. Akoma nuk ka pranuar mesazh të cilin zakonisht e dërgon Ministria e Punëve të Brendshme në momentin kur bëhet pasaporata apo dokumenetet e tjera.

Prej 14 tetorit jam në pritje, hala kurrgja nuk më kanë njoftu dhe nuk dihet kur ka më ndodhë kjo.”, ka thënë shkurtimisht ai pa dashur të lëshohet në komente negative ndaj udhëheqesve të kësaj ministrie.

Të njejtën ankesë e kishin edhe qytetarë të tjerë të Kosovës të cilët për Nacionalen rrëfyen për mungesën e pajisjes me pasaportë dhe pritjet e gjata të tyre.

Çka kishte deklaruar ministri Sveçal?

Në këtë muaj, në tjetrin muaj, sot e nesër, ishin fjalët që shpeshherë i dëgjonim nga udhëheqësit e institucioneve gjegjëse.

Njejtë kishte vepruar edhe Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, i cili në një seancë të Kuvendit, ka treguar arsyet se pse ka mungesë të pajisjet me letërnjoftim, pasaporta dhe me patent-shoferë.

Ai kishte thënë se situata e krijuar për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë ka vështirësuar furnizimin me lëndën e parë për prodhimin e këtyre dokumenteve.

Ka vështirësuar furnizimin më lëndë të parë... Për shkak të mungesë së lëndës së parë, furnitori ka kërkuar afat shtesë.”, ka thënë ai.

Sveçla theksoi se në fund të muajit dhe pas dy muajve do të ketë furnizime, mirëpo fundi i muajit nuk ka prodhuar ndonjë të re.

Në fund të këtij muji do të furnizohet me patentë shoferë e leternjoftimi dhe pas dy muajve me pasaporta, gjithsej 73 mijë copë”, ka thënë ai.

Sveçla atë ditë në Kuvend u akuzua nga deputetët e opozitës të cilët ngritën dyshime se mungesa e materialit për prodhimin e dokumentetve nuk ka të bëjë me furnizimin e lëndës së parë, por me tenderin.

Është e çuditshme qysh lufta në Ukrainë nuk e ka shfaqur këtë mungesë në Maqedoni apo Shqipëri. Nuk e di a është problem sigurimi i furnizimit të lëndës së parë, apo është problem tenderomania në ministrinë tënd, të lutëm më shpjego”, i kishte thënë deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

Nacionale para një muaji kishte raportuar se mungesa e dokumente personale ishte problem për shak të skadimit të kontratës mes kompanisë furnizuese me materiale e ministrisë së Sveçlës.

Kjo po ndodh, sepse kompanisë që e ka furnizuar ministrinë me këto materiale, i ka skaduar kontrata", kishte treguar ky burim në kushte anonimiteti për Nacionalen.

Tani materiale për patentë shoferi nuk ka. Për pasaporta ka pak material dhe ai material ruhet vetëm për raste emergjente, për raste mjekësore”, kishte thënë ky burim.

Muajve të fundit qindra qytetarët janë shprehur të shqetësuar se nuk po mund të pajisen me pasaporta e letërnjoftime.

Aktualisht me pasaportë mund të pajisen vetëm rastet urgjente dhe rastet që kanë nevojë për mjekim.

Lajme të ngjashme