Menduam se është më lehtë: Kosovarët presin deri në 5 vjet për të marrë pasaportën e Shqipërisë, politikanët favorizohen
Pasaporta e Shqipërisë, radhitet si pasaporta e 51-të më e fuqishme në botë. Më posedimin e kësaj pasaportë mund të vizitosh hiç më pak se 116 shtete pa pasur nevoje që të pajisesh më vizë. Por, kush janë kosovarët që e kanë këtë mjet udhëtimi?
Ndoshta është një ndër pasaportat më të dëshiruara nga kosovarët, mirëpo për ta marrë duhet të presësh të paktën 5 vite.
Për të fituar nënshtetësinë, duhet të ndjekësh disa mos të themi dhjetëra procedura brenda këtij harku të gjaaaatë kohor.
Sigurimi shëndetësor, posedimi i një prone, një kontratë punë, janë vetëm disa nga kushtet që duhet plotësuar në momentin e aplikimit.
Mirëpo gjithmonë ekziston mundësia edhe më e lehtë, një investim prej të paktën 100 mijë eurosh në shtetin shqiptar për t’u pajisur menjëhershëm më këtë pasaportë.
Meqë po flasim për këtë pasaportë, duhet thënë që dje Dua Lipa u pajis me një të tillë.
Rrjetet sociale të presidentit dhe kryeministrit të Shqipërisë, ishin të mbushura më video e fotografi të momentit të aplikimit të këngëtares më famë ndërkombëtare, gjersa fotografohej e jepte betimin e shtetësisë.
Madje edhe mediat ndërkombëtare i kushtuan disa artikuj se si Dua Lipa, ishte bëre më nënshtetësi shqiptare.
“Lali Eri” siç njihet ose Erion Veliaj siç i shkruan në pasaportë, para mediave tha se i ka kërkuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës si dhe presidentit, që t’i mundësohet të gjithë qytetarëve të Kosovës, pajisja më një pasaportë të Shqipërisë.
Por për cilët qytetarë e kishte fjalën?
Qytetarët e rëndomte apo për kastën e elitës politike e biznesore? Këta të fundit, shumica prej tyre, tashmë kanë pasaporta të tilla duke mos ndarë fatin e qytetarëve të zakontë kosovarë që sorollaten – folur me fjalorin e Adem Demaçit – poshtë e përpjetë, andej këndej, nëpër ambasada.
Lista e politikaneve të cilët janë pajisur me pasaportë të Shqipërisë është shuuuumë e gjatë, dhe asnjë parti politike nuk bën përjashtim.
Po fillojmë me kryeministrin e Kosovës, njëherësh edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, i cili tash e disa vite është i pajisur më pasaportë të Shqipërisë, e në zgjedhjet e fundit në prill 2021 madje edhe votoi për kandidatët e tij për deputetë.
Nga partia Vetëvendosje, me pasaportë shqiptare është edhe deputetja Mimoza Kusari-Lila, kryeparlamentari Glauk Konjufca, deputeti Sami Kurteshi e shumë të tjerë.
Në kohën sa ishin në Vetëvendosje, pasaportë shqiptare kishin edhe ish deputetët Dardan Molliqaj, Aida Derguti, Visar Ymeri etj. etj. etj.
Në radhët e PDK-së, kemi kryetarin Memli Krasniqi, deputetin Mërgim Lushtaku dhe të tjerë.
Edhe Ramush Haradinaj me bashkëshorte po ashtu kanë pasaportë shqiptare. Në LDK ndërkohë, ka deputeti Arben Gashi, shef i grupit parlamentar.
Ish-deputeti dhe kryekuvendari Jakup Krasniqi, ishte pajisur me pasaportë të Shqipërisë më tërë familjen. Edhe ish-ministri i Infrastrukturës Fatmir Limaj gjithashtu posedon një pasaportë të tillë.
Lista është aq e gjatë sa herë që ndërrohet kasta politike, ndërrohen edhe personat të cilët presin për një pasaportë të Shqipërisë.
Vlen të theksohet se më anë të një dekreti ish presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta iu kishte dhënë shtetësinë mijëra kosovarëve kryesisht nga skena politike dhe biznesore.
Edhe ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Dakaj, e ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhnui, kanë marrë një pasaportë të tillë përmes dekretit presidencial.
Nga ky dekret në shumë raste kishin përfituar edhe familjarët e politikanëve.
Pse është ngritur si çështje në prag të festës së flamurit?
Tash e 13 vite nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, plotësimi i dhjetëra kushteve si dhe premtimeve të shumta, Kosova ende mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka të drejtën e lëvizjes së lirë.
Pasaporta e Kosovës, renditet si e 98-ta në botë për nga rëndësia. Me të mund të udhëtohet në vetëm në rreth 40 shtete të botës pa vizë.
Nevoja për të lëvizur pa viza si dhe për të mos shpenzuar qindra euro, në viza njëmujore, ka bërë që shumë qytetarë t’i drejtohen Shqipërisë apo vendeve të tjera fqinje.
“Jemi në proces të marrjes së dokumentacionit shqiptar tash e 4 vite, kemi menduar se është më lehtë mirëpo ka dalë shumë më e vështirë se sa kemi menduar,” - i tha Rina nga Prishtina, Nacionales, që ka aplikuar bashkë me familjen.