Ndërlidhja e vizave me veriun, padrejtësia e radhës që BE-ja e bën ndaj kosovarëve - NACIONALE

Ndërlidhja e vizave me veriun, padrejtësia e radhës që BE-ja e bën ndaj kosovarëve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian sot edhe zyrtarisht e ka konfirmuar se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është i ndërlidhur me procesin dialogun Kosovë-Serbi.
Anëtaret e vendeve të BE-së, duke hequr prej agjendës çështjen e vizave nga takimi i sotëm i ambasadorëve, vulosi padrejtësinë e radhës ndaj kosovarëve.

Presidenca çeke ka treguar se arsyeja e shtyrjes së kësaj çështje ka qenë situata në veri.

“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve] nuk është ideale”, është thënë në njoftimin e Presidencës çeke.

Njohësit e integrimeve evropiane e kanë vlerësuar si të padrejtë ndërlidhjen e dy proceseve.

Violet Haxholli, hulumtuese në KDI, ka vlerësuar se liberalizimi do të varet nga sjellja e Kosovësnë dialog.

“Tashmë edhe zyrtarisht liberalizimi i vizave për Kosovën duket se është i lidhur ngushtë me dialogun Kosovë-Serbi. Në mungesë të një karrote/shkopi tjetër për shkak të mos njohjes së 5 vendeve, është ruajtur liberalizimi si ndëshkim dhe shpërblim varësisht nga qasja e Kosovës në dialog”, ka shkruar ajo në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas saj, në këtë mënyrë po i bëhet një padrejtësi e madhe ndaj kosovarëve.

Kjo është padrejtësi e madhe duke qenë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave sipas udhërrëfyesit, më shumë se të gjitha vendet e rajonit që u është hequr moti regjimi i vizave, sepse ka pasur shumëfish më shumë kushte”, ka shkruar Haxholli.

Edhe politologu Agon Maliq ka thënë se tani Serbia ka filluar ta përdor “shkopin” ndaj Kosovës.

“Pas prezantimit të kornizës së dialogut nga ana e perëndimit, duket se ka filluar edhe periudha e karotave dhe shkopinjve disciplinues për palët. Me nismën e paralajmëruar dje në parlamentin europian, kërcënimi ndaj Serbisë është se nëse vazhdon ta zhagisë dialogun do t'i suspendohen negociatat me BE, përfshi këtu edhe fondet. Kosovës paralelisht po i hapet dera për vizat, por vështirë të mos shihet edhe kjo si e ndërlidhur me kushtin publikisht të pathënë të dialogut”, ka shkruar ai.

Edhe pushteti e opozita të shqetësuar

Ndërlidhja e këtyre dy proceseve nuk është pritur mirë nga zyrtarët e pushtetit dhe ata të opozitës.

Hysamedin Feraj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka lenë të kuptohet se BE-ja për këtë proces po i kërkon Kosovë te heq dorë nga shteti.

Sipas këshilltarit të Kurtit, që është edhe aktivist i VV-së, pretendon se BE po e shantazhon Kosovën.

E qartë kristal: Nuk kishit shtet, nuk kishit viza. Hiqni shtetin, heqim vizat. E dimë sa serbë, të shohim sa shqiptar janë dakord”, ka shkruar ai.

Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e ka cilësuar si të padrejtë ndërlidhjen e liberalizimit të vizave me procesin e dialogut.

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, vendim që pritej të merrej sot, është hequr nga agjenda e ambasadorëve të vendeve të BE-së me arsyetimin mbi situatën e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës për targat. Tash, përtej ndërlidhjes politike të liberalizimit nga ana e BE-së, që është plotësisht e padrejtë, rikthimi i nivelit të dialogut tek targat nga ana e Qeverisë po i sjell vetëm dëme vendit. Sikur të dëgjoheshin në fillim SHBA-të për shtyrje të afatit për targat për 10 muaj, sot gjendja do të ishte ndryshe. Keq – shumë keq”, ka shkruar ajo.

Paralajmërimi i Borrellit

Veprimi i anëtareve të BE-së ka ardhur vetëm disa ditë pasi shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell, kritikoi Kosovën për sjelljen e saj në dialog.

Pas takimit të gjatë, ku Kurti dhe Vuçiq nuk arritën një pajtueshmëri për targat, Borrell deklaroi se Kosova nuk e pranoi propozimin e BE-së për zgjidhjen e çështjes së targave.

Madje, ai ka thënë se për sjelljen e Kosovës në këtë proces do t`i informojë gjithë anëtaret e BE-së.

Do t’i informoj shtetet anëtare dhe partnerët për sjelljet e palëve dhe për mungesën e respektit për obligimet legale ndërkombëtare, sidomos nga Kosova. E di që kjo dërgon sinjal shumë negativ politik (për Kosovën)”, pati thënë Borrel pas takimit Kurti-Vuçiq.

Pas propozimit të presidence çeke, që në grupin punës për viza të Këshillit të BE-së të vazhdohet me vendimmarrje në këtë proces, Franca dhe disa vende tjera kishin kërkuar që e drejta e kosovarëve për të lëvizur pa viza të ndërlidhet me sistemin ETIAS. Për shkak se zbatimi i këtij sistemi ishte shtyre disa herë, presidenca çeke kishte kërkuar që të caktohen një datë se kur mund të lëvizin kosovarët pa viza.

Në fund, ishte arritur pajtimi që ambasadorët e vendeve të BE-së të u propozohet që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të fillon të zbatohet nga 1 janari i vitit 2024.

Deri me tani, Komisioni Evropian ka konstatuar disa herë se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.

Lajme të ngjashme