Nivel rekord i ulët i ujit në Danub, mbyllet centrali i vetëm bërthamor i Hungarisë - NACIONALE

Nivel rekord i ulët i ujit në Danub, mbyllet centrali i vetëm bërthamor i Hungarisë

2 orë më parë

nga NACIONALE

Centrali i vetëm bërthamor i Hungarisë do të jetë i detyruar të mbyllet tërësisht për herë të parë për shkak të nivelit rekord të ulët të ujit në Lumin Danub, tha kryeministri Peter Magyar.

Centrali i periudhës sovjetike “Paks” e shfrytëzon ujin e Danubit për ftohje, por niveli i ujit është aq i ulët, saqë gypat thithës nuk mund ta arrijnë atë, raporton televizioni BBC.

Magyari paralajmëroi se furnizimi i Hungarisë me energji mund të bëhet kritik nga e hëna për shkak të mbylljes së centralit “Paks” dhe valës së vazhdueshme të vapës, e cila pritet të sjellë temperatura rreth 37 gradë për një javë.

Njësoj si një pjesë e madhe e Evropës, Hungaria ka pasur sasi shumë të vogël të reshjeve dhe temperatura të larta për një pjesë të madhe të verës.

Niveli i ujit në Danub ka rënë në pikën më të ulët në 30 vjet në shtatë shtete, përfshirë Rumaninë e Serbinë.

Magyari u kërkoi hungarezëve që t’i kufizojnë aktivitetet që kërkojnë konsum të lartë të energjisë në kohën e ngarkesës, nga ora 17:00 deri në orën 22:00, përfshirë rimbushjen e veturave elektrike dhe përdorimin e pajisjeve për klimatizim.

Në Rumani, njëri nga vetëm dy reaktorët bërthamorë të vendit është mbyllur në centralin “Cernavoda”, i cili ofron rreth 20 për qind të energjisë elektrike për vendin.

Në Bullgari, lundrimi i anijeve në Bullgari në këtë lumë është ndërprerë, ndërsa policia kufitare u desh të evakuonte 186 pasagjerë nga anija “Viking Ullur” më herët këtë javë./Nacionale

Lajme të ngjashme