Dështimi i Ministrisë së Brendshme: nuk ka material për pasaporta, qytetarët në pritje - NACIONALE

Dështimi i Ministrisë së Brendshme: nuk ka material për pasaporta, qytetarët në pritje

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Liberalizimi i vizave nuk po ndodh, ndonëse një e drejtë e mohuar për qytetarët në mes të Evropës. Arsyetimi për të bartet sa te një proces e sa te tjetri, por kjo nuk del të jetë “shkelja” më e rëndë. Në Ministrinë e Brendshme nuk ka material për pasaporta dhe, për pasojë, kjo ka shkaktuar shumë probleme për qytetarët.

Dafina Idrizi, qytetare e Kosovës, ia kishte mësyrë më 29 shtator Ministrisë së Brendshme. Aty kishte shkuar për të aplikuar për ta marrë pasaportën. Megjithatë, përpjekja i shkoi huq, sepse zyrtarët në sportel i thanë se nuk kanë material për pasaporta.

Unë isha këtu, në Prishtinë, me apliku për pasaportë, me datë 29 shtator. Më thanë “kemi mungesë të letrës, vetëm nëse aplikon me urgjencë, me procedurë të përshpejtuar”, e cila ishte dukshëm më e kushtueshme sesa procedura e rregullt, 80 euro, nëse nuk gaboj”, ka rrëfyer Dafina Idrizi për gazetën Nacionale.

Ajo thotë se pasaporta i duhet për udhëtim jashtë vendit dhe se është e detyruar që patjetër të gjejë një alternativë.

Pasaporta më duhet patjetër, kam me udhëtu për në Kanada dhe afat në pasaportë kam vetëm deri në muajin prill, kështu që më duhet patjetër. Nuk kam zgjidhje tjetër, më duhet me ndjek procedurën me urgjencë, sepse ndryshe nuk mundem me udhëtu”, tha Idrizi.

Edhe qytetarja Sh. Sh. i ka shkruar gazetës Nacionale, duke rrëfyer për të njëjtën situatë.

“Shkova me apliku për pasaportë, në sportel më thanë se nuk ka material, nuk ka letër, vetëm kaq. Pas insistimit tim, sepse më duhej patjetër pasaporta, për vizë, më thanë se ekziston një mënyrë e përshpejtuar, për të cilën duhet të paguaj 80 euro. Pagova, nuk kam çka të bëj, më duhet patjetër pasaporta. U detyrova”, thotë qytetarja që deshi të mbetej anonime.

“Në fakt, mu duk tepër absurde. Në njërën anë thonë se nuk ka material, e në anën tjetër, me procedurë të përshpejtuar, ta lëshojnë, që i bie se material ka. Nuk e di, e çuditshme”, tregon më tutje ajo.

Kjo nuk është hera e parë që përsëritet e njëjta situatë. Për javë të tëra, ministria disa herë kishte mbetur pa material për letërnjoftime si pasojë e vonesave nëpër tenderë.

Kush ka faj për këtë situatë?

Burime të gazetës Nacionale brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë treguar se problemi qëndron te skadimi i kontratës mes kompanisë furnizuese me materiale e ministrisë.

"Kjo po ndodh, sepse kompanisë që e ka furnizuar ministrinë me këto materiale, i ka skaduar kontrata", ka treguar ky burim në kushte anonimiteti për Nacionalen.

Ndërkohë, sipas të njëjtit burim, tash e tutje, me pasaportë mund të pajisen vetëm rastet urgjente dhe rastet që kanë nevojë për mjekim.

“Tani materiale për patentë shoferi nuk ka. Për pasaporta ka pak material dhe ai material ruhet vetëm për raste emergjente, për raste mjekësore”, tha burimi.

Këto pohime të burimit të Nacionales konfirmohen edhe nga qytetarja M.B, e cila dje, me datë 7 tetor, ka provuar të aplikojë për pasaportë në mënyrë të përshpejtuar, por një gjë e tillë i është mohuar.

Ministria, “çele, gur, gojën”

Gazeta Nacionale tash e disa ditë ka dërguar shkresë elektronike në Ministrinë e Brendshme e në disa adresa të tjera, në mënyrë që të ketë një informacion zyrtar në lidhje me këtë problematikë, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pasur asnjë përgjigje nga ministria.

Ku i harxhoi mbi 7 milionë euro MPB-ja? - Dukagjini

Tash duket se nuk ka më material, as për procedurë të rregullt e as për atë të përshpejtuar, ndërsa qytetarët nuk kanë asnjë informacion zyrtar në lidhje me këtë situatë.

Gjatë javës së fundit, në redaksinë tonë kanë ardhur shumë mesazhe me shqetësimin se nuk po mund të pajisen me pasaporta dhe se po presin më shumë se një muaj edhe për patentë shoferi e dokumente të tjera.

Lajme të ngjashme