Dyshime për dallavere: Qysh e mori Valdrin Sahiti me 719 tjerë pasaportën diplomatike në Kosovën e izoluar? - NACIONALE

Dyshime për dallavere: Qysh e mori Valdrin Sahiti me 719 tjerë pasaportën diplomatike në Kosovën e izoluar?

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Dizajneri Valdrin Sahiti ka pasaportë diplomatike. Ky është fakti me të cilin do t’i duhet të jetojë secilit qytetar të Kosovës, përfshirë edhe ata qindra-mijëra që duan të ikin nga Kosova e nuk munden. Si e qysh është pajisur Sahiti me pasaportë diplomatike - mbetet e paqartë. Por për t’u pajisur me një të tillë, ka procedura, të cilat do t’i tregojmë në këtë shkrim.

720 pasaporta diplomatike janë aktive aktualisht në Kosovë. Kështu kanë konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës [MPJD].

Domethënë, 720 kosovarë udhëtojnë më lehtë se të tjerët dhe ndajnë problemet e zakonshme të shumicës së qytetarëve.

Sipas MPJD-së, 269 aplikime janë bërë vetëm gjatë vitit 2021, ndërsa vetëm për 5 muajt e parë të viti 2022, për pasaportë diplomatike kanë aplikuar 66 persona.

Pasaporta Diplomatike aktive janë 720; për Pasaporta Diplomatike në vitin 2021 janë bërë aplikime gjithsej 269 (ri-aplikime dhe aplikime për herë të parë); për Pasaporta Diplomatike në këta 5 muaj të vitit 2022 janë bërë aplikime 66 (ri-aplikime dhe aplikime për herë të parë). Pajisja me pasaportë Diplomatike bëhet bazuar në Ligjin mbi dokumentet e Udhëtimit (Ligji Nr. 03 L-037) dhe vendimin për lëshimin e pasaportave diplomatike dhe zyrtare (Vendimi i qeverisë nr. 11/32, datë 20.02.2018. Të drejtë të pajisen me pasaportë Diplomatike kanë të gjithë ata që përfitojnë sipas legjislacionit më lart!”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Po në këtë mes është edhe Sahiti, i cili nuk është as president, as kryeministër, as deputet, dhe as person që me ligj i lejohet posedimi i pasportës diplomatike.

Çka thotë ligji?

Dhënia e pasaportave diplomatike është e paraparë me Ligjin për dokumentet e Udhëtimit (Ligji Nr. -3 L-037), ku parashihet qartë se kush mund ta ketë një të tillë.

Me pasaporta diplomatike pajisen politikanët e vendit, duke nisur nga presidentja, kryeministri, kryeparlamentari, deputetët, ambasadorët e konsujt dhe familjarët e tyre.

Pasaporta diplomatike i lëshohet: Kryetarit të Republikës së Kosovës, Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministrit dhe anëtarëve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kryetarit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Avokatit të Popullit, punëtorëve të përfaqësive diplomatike dhe konsullore, si dhe misioneve të Republikës së Kosovës jashtë shtetit, që kanë emërimet diplomatike, shërbimeve konsullore, si dhe punëtorëve të ministrisë për punët e jashtme, që kryejnë punët diplomatike dhe konsullore dhe kanë emërimet diplomatike, prijësit të delegacioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, personave që me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës shkojnë për punë në organizatat ndërkombëtare si funksionarë të rangut diplomatik në organizatat e përmendura, korrierëve diplomatikë dhe personave të tjerë të caktuar, nëse kjo është në interes të Republikës së Kosovës”, thuhet në Nenin 10 të Ligjit për dokumentet e Udhtëtimit.

Po ashtu, sipas Ligjit, pasaporta diplomatike mund të lëshohet edhe për familjarë të ngushtë, mirëpo në rastin e Sahitit nuk duket se ka lidhje familjare.

Pasaporta diplomatike mund t’i lëshohet edhe anëtarit të ngushtë të familjes së punëtorëve të përfaqësive diplomatike dhe konsullore të misioneve të Republikës së Kosovës jashtë shtetit dhe anëtarëve të familjes të personit, që me vendimin e qeverisë shkojnë për punë në organizatat ndërkombëtare, nëse me ta jetojnë në bashkësi familjare të përbashkët jashtë shtetit, si dhe anëtarit të ngushtë të familjes të personit nga paragrafi 1 i cili e shoqëron në udhëtimin zyrtar jashtë shtetit”, thuhet në pikën 10.2 të Nenit 10.

Sipas Nenit 17 të po këtij ligji “pasaporta diplomatike dhe pasaporta zyrtare lëshohet për kohën e kryerjes së detyrës, por afati i vlefshmërisë së tyre nuk mund të jetë më shumë se 5 vjet”.

“Të hetohet dhënia e pasaportës diplomatike”

Ndërkohë, pajisja e Sahitit me pasaportë diplomatike ka nxitur reagime të shumta pasi po dyshohet se kjo është bërë në mënyrë të paligjshme.

Njohësi i sistemit të drejtësisë në Kosovë, Durim Berisha, ka kërkuar që të hetohet mënyra se si është pajisur me pasaportë diplomatike, dizajneri Valdrin Sahiti.

Kategoria e personave të cilëve u lëshohet pasaporta diplomatike përcaktohet më Ligjin per dokumentet e udhëtimit. Kushdo që ka ndihmuar dikë që të pajiset jashtëligjshëm me një pasaportë të tillë, ka kryer vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Prokuroria e Shtetit duhet ta hetojë pajisjen potenciale të Valdrin Sahitit me pasaportë diplomatike. Ndoshta kur ta kontaktojë prokuroria, nuk mendon që do ta pyesin për ndonjë sfilatë”, ka shkruar ai në Facebook.

Berisha ka kërkuar nga ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla, që të mos heshtë ndaj këtyre skandaleve, anipse sipas tij, mund ta hidhërojë presidenten Osmani që ka afërsi me Sahitin.

“E ministresha e tanishme e MPJD-së që në emër të evitimit të kundërligjshmërisë, mbylli jashtëligjshëm edhe ambasada të Kosovës, në vend që të heshtë ndaj këtyre skandaleve - bën mirë që ta njoftojë vetë Prokurorinë e Shtetit, edhe nëse e hidhëron pak presidenten dhe ish-ministren e MPJD-së, të cilat njihen për shoqni t'mirë me Valdrinin”, përfundon shkrimi i tij.

Në anën tjetër profesori dhe njohësi i mediave, Abit Hoxha, ka ironizuar me pajisjen e Sahitit me pasaportë diplomatike, duke thënë se kohë më parë ka sugjeruar që krejt Kosova të bëhet me pasaporta diplomatike.

“Moti kam sugjeru që krejt Kosova me u pajisë me pasaporta diplomatike. Edhe ashtu krejt jemi kryetar, nënkryetar, sekretar, anëtar, ministra apo - sidomos zâvendësministra apo këshilltar… pasaporta diplomatike për të gjithë”, ka shkruar ai në Twitter.

Kujtojmë se Sahiti për mediat nuk e ka konfrimuar nëse është pajisur me pasportë, anipse emri i tij figuron në listën e atyre që kanë pasaporta diplomatike.

Së fundi, presidentja Osmani ishte e pranishme në një sfilatë të organizuar nga Sahiti në Prishtinë mes shumë e shumë yjesh të estradës së Kosovës.

Lajme të ngjashme