Stoltenbergu “në të vjetrën” dhe ndryshe nga amerikanët, s’e mbështet tranzicionin e FSK-së në ushtri
Prej Prishtine e në Beograd, mesazhet kryesisht i pati të njëjta.
Siguria mbi të gjitha në pjesën veriore të Kosovës dhe se për këtë gjë do të sigurohet NATO-ja, e cila “ka bërë përforcimin më të madh në dekadën e fundit” me shtimin e më shumë se një mijë trupave dhe dërgimit “të armëve edhe më të rënda” në Kosovë, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Kosovës ia rikujtoi se Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) mund ta dërgojë në veri “vetëm me pëlqimin/pajtimin” e NATO-s dhe se aksionet policore në veri “duhet të bëhen me informim paraprak” të KFOR-it në mënyrë që “të mos prishen paqja dhe siguria për të cilën janë bërë përpjekje të mëdha”.
Ndërkaq nga Serbia tha se forcat ushtarake serbe të grumbulluara përgjatë “vijës administrative” (NATO nuk e njeh si kufi ndërshtetëror) Kosovë-Serbi “nuk i ndihmojnë përmirësimti të situatës” për çka u replikua menjëherë nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se “ku dhe kur e dërgojmë ushtrinë, ajo është punë veç e jona”.
Por, Stoltenberg iu rikthye vetes së tij të vitit 2018, për çudinë e shumëkujt: në kohën kur Kosova – me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – e kishte marrë vendimin për tranzicionin dhjetë-vjeçar të FSK-së në forcë të armatosur.
Asokohe – më 2018 – Stoltenberg ishte deklaruar se ky vendim “ishte i gabuar” dhe “i nxituar” dhe i marrë “pavarësisht shqetësimeve të NATO-s”.
Dhe, madje madje kishte paralajmëruar se NATO-ja “do të rishikojë nivelin e angazhimit me FSK-në”; institucion këtij që ia njihte vetëm mandatin paraprak,
“NATO mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas mandatit të saj aktual. Me ndryshimin e mandatit, Këshilli i Atlantikut të Veriut tani do të duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ishte qëndrimi i NATO-s asokohe.
Por, asokohe, Kosova ishte në linjë me ShBA-në me mbështetjen e të cilës e kishte bërë këtë hap madhor; dhe Uashingtoni ishte i palëkundur në aprovimin e FSK-së për kthimin – 10 vjeçar – në ushtri.
Ish-ambasdori amerikan në Prishtinë, Philip Kossnett asokohe bënte me dije se “ShBA i qëndron plotësisht mbrapa” këtij vendimi të Kosovës.
“Ne mendojmë se evoluimi i FSK-së në forcat e armatosura të Kosovës është një hap pozitiv dhe se është e natyrshme që Kosova si vend sovran dhe i pavarur të ketë aftësitë e veta mbrojtëse”, thoshte ai, duke shtuar se SHBA-të kanë investuar para dhe trajnime në zhvillimi i forcës së emergjencës.
“Ky është një proces që do të zgjasë shumë vite,” shtonte ai.
Ndërkaq hiç më larg se sot, Stoltenberg duke qëndruar në Beograd u pyet nga agjencioni serb i lajmeve “Tanjug” rreth kthimit të FSK-së në ushtri dhe armatosjes së saj, në veçanti me dronët turkë Bayraktarë të blerë së fundi.
Stoltenberg tha se “jo”, teksa rikujtoi se kishte qenë kundër në vitin 2018; dhe se në të njëjtën linjë qëndron edhe sot.
“Kemi këshilluar kundër kësaj”, ka thënë ai.
“Qëndrimi i NATO-s dhe imi për vendimin rreth tranzicionit të FSK-së në ushtri ishte gabim për nga koha (i nxituar) dhe këshillim i keq dhe ne këshilluam kundër kësaj. Kjo nuk ka mbështetjen e NATO-s”, ka thënë ai Stoltenberg për Tanjug.
Duke folur për mundësinë e anëtarësimti të Kosovës në NATO, Stoltenberg rikujtoi se “çfarëdo vendimi për anëtarësim të Kosovës në NATO duhet të bëhet nga të gjithë aleatët e NATO-s. Siç e dini në ATO disa aleatë nuk e kanë njohur Kosovën”.
Duke folur për zotimin e Kosovës për të mos e dërguar FSK-në në veri "pa pëlqimin e KFOR-it", Stoltenberg shtoi se Policia e Kosovës nuk futet në këtë dakordim, por se ka kërkuar që "presim koordinim dhe inforim të KFOR-it".
Javë më parë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, në një takim me ministrin kosovar të mbrojtes, Ejup Maqedoni, ia rikonfirmoi mbështetjen e ShBA-së ndaj tranzicionit 10 vjeçar të FSK-së në ushtri.
“Kënaqësi të takoj Ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedoncin këtë pasdite. Pres që vazhdoj bashkëpunimit tonë të ngushtë dhe partneritetin, në veçanti në mbështetje të tranzicionit 10 vjeçar të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në një forcë multi-etnike që ndërvepron me NATO-n për mbrojtje territoriale”, shkroi Hovenier.
Kujtojmë se katër shtete anëtare të NATO-s (Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia) nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa anëtarësimi në NATO bëhet vetëm me vendim unanim të të gjithë shteteve anëtare të NATO-s. Kosova e ka të deklaruar si synim strategjik anëtarësimin në NATO.


