Sondazhi i fundit: VV në rënie të lirë, LDK me rritje masive – AAK befason me rezultatin e saj - NACIONALE

Sondazhi i fundit: VV në rënie të lirë, LDK me rritje masive – AAK befason me rezultatin e saj

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Është publikuar edhe sondazhi i radhës politik në Kosovë. I kryer nga kompania PIPOS dhe shpalosur nga Rubikon me Adriatik Kelmendin, u mësua shumëçka nga disponimi aktual politik i qytetarëve të Kosovës.

Ata u pyetën në lidhje me preferencën e tyre partiake dhe për liderët më të pëlqyer. Por, pati edhe pyetje të tjera interesante.

Qytetarët u përgjigjen edhe rreth partisë me të cilën do të donin që partia e tyre e preferuar të bënte koalicion.

Nuk pati shumë ndryshime nga sondazhet e fundit. Ajo që u vërejt edhe javë më parë, u rikonfimuar edhe kësaj radhe nga sondazhi i publikuar në Klan Kosova.

Lëvizja Vetëvendosje është e para, ndoënse përkrahja për të ka rënë dukshëm nga zgjedhjet e kaluara.

E dyta, si zakonisht në sondazhe, ka dalur LDK, ndërsa treta PDK. Befasues ishte rezultati i AAK.

Çfarë tregojnë rezultatet?

Lëvizja Vetëvendosje në vendin e parë. Megjithatë jo me përqindje të lartë. 33.2%. Kuptohet, gjithmonë sipas matjeve të PIPOS.

Në pozitën e dytë radhitet LDK-ja, që shënon një rritje të ndjeshme, duke kaluar kështu në 21.60%.

Partia Demokratike pozicionohet e treta me 18.30%, kurse AAK zë vendin e katërt me 10.10%.

Me këto matje, AKR do të ishte më lartë se Lista GUXO, kurse të dyjat bashkë, përfshirë edhe Nismën, nuk do ta kalonin pragun.

Partia e preferuar për koalicion

Sipas këtyre matjeve, LDK-ja është partia më e preferuar për të bërë koalicion nga anketuesit kosovarë që veçse kanë një parti të preferuar.

Duke hequr mundësitë “Asnjërën” dhe “Nuk e di”, LDK-ja prin me 14%, kurse në pozitën e dytë gjendet PDK-ja. VV e treta, teksa AAK fare në fund, si më pak e preferuara.

Lideri i preferuar sipas notës mesatare

Vjosa Osmani e ka kaluar Albin Kurtin në renditjen e liderëve kosovarë, nëse për bazë merret nota mesatare. Presidentja aktuale, sipas këtyre numrave, gëzon notë mesatare prej 3.02.

Kryeministri i Republikës, Albin Kurti është në vendin e dytë me notë 2.80, kurse në tri pozitat e radhës janë Lumir Abdixhiku, Memli Krasniqi e Ramush Haradinaj.

Sondazhi i publikuar nga Nacionale dy javë më parë

Afro dy javë më parë, Gazeta Nacionale publikoi një tjetër sondazh, që u bë nga kompania e njohur, UBO.

Ashtu siç edhe kemi raportuar, në pyetje: “Duke përdorur shkallën e vlerësimit 1 deri në 5, ku 1 nënkupton “shumë negativ” dhe 5 nënkupton “shumë pozitiv”, si dhe 88 nuk e njoh/pp, ju lutem na tregoni se çfarë mendimi keni për personat e përmendur më poshtë?”, u arritën këto rezultate:

Kryeministri Albin Kurti ka marrë një notë mesatare prej vetëm 2,98. Pak më poshtë se Kurti, është kryetari i partisë opozitare LDK, Lumir Abdixhiku, që ka një notë mesatare prej 2,92. Ndërkohë, lideri tjetër opozitar Memli Krasniqi (PDK) ka një notë prej 2,60, që megjithatë është bindshëm më lartë se Ramush Haradinaj me 2,38.

Politikani me notën më të lartë nga personat e anketuar është presidentja Vjosa Osmani. Ajo është notuar mesatarisht me 3,37. Në vend të dytë është kryekuvendari Glauk konjufca që ka marrë një notë prej 3,06.

Osmani dhe Konjufca janë dy politikanët e vetëm që kanë arritur të kalojnë notën prej mbi 3.

Në anën tjetër, lideri me më së paku pëlqyeshmëri në publik është Fatmir Limaj i partisë Nisma për Kosovën që ka marrë një notë prej 2,13. Ai është më poshtë edhe se Behgjet Pacolli (2,33) dhe Donika Gërvalla 2,39.

Lajme të ngjashme