Pas Ministrisë së Infrastrukturës, "Daja i Vetëvendosjes" e zhvatë edhe buxhetin e Universitetit të Prishtinës
Daja enigmatik i Vetëvendosjes është bërë përsëri temë e mediave. Halil Jahaj, biznesmeni i aferës “Jaranat e Liburnit”, përveç ryshfetit në Ministrinë e Infrastrukturës, të udhëhequr nga Liburn Aliu, është bërë protagonist edhe në një kontratë të dyshimtë të Universitetit të Prishtinës.
Në një hulumtim të Insajderit, kompania e Jahaj u favorizua nga udhëheqësia e Universitetit Publik, që hapi një tender në shkurt të 2021.
Hulumtimi ka në epiqendër një marrëveshje të dyshimtë të dajës së Vetëvendosjes me UP-në.
Në bazë të të dhënave, ish-sekretari Esat Kelmendi dhe shefi i tenderëve të UP-së Selman Qorri, përkrahën kundërligjshëm këtë anëtar të grupit biznesor të afërt me Liburn Aliun.
Në fillim të vitit 2021, UP njoftojë lidhjen e një kontrate për punë drenazhi në objektet e disa fakulteteve. Kontratë të cilën e fitojë kompania e dajës së Vetëvendosjes.
Vlera e përgjithshme e kontratës kornizë do t’i kushtojë UP-së 1.7 milion euro. Por, në bazë të kontratës, kompanisë i paguhen edhe puna shtës prej 200 mijë euro. Pra, daja i Vetëvendosjes mori 1.9 milionë euro nga UP.
Sipas Insajderit, një tender i ri u hap në gusht të të njëjtit vit, duke ia zotuar kompanisë së Jahajt afro 400 mijë euro jashtë vlerës fillestare të kontratës.
Daja i Vetëvendosjes, një figurë pak e njohur për publikun, u bë i famshëm muajin e kaluar pasi gazeta Nacionale zbuloi përgjimet autentike, teksa kompania e tij kërkonte “haraç” në emër të përfundimit të projektit të rrugës Dollc-Gjakovë.
Kujtojmë që në episodin e tretë të Ditarit të Buzhalës u shpërfaq një rast korrupsioni ku përmendej edhe emri i ministrit Liburn Aliu, dhe ku nuk munguan shumat astronomike, pushteti e ryshfeti, dhe daja e nipi.
Në këtë emision, autori Berat Buzhala zbuloi përgjimet autentike që dëshmojnë se si një kompani projektuese e lidhur me pushtetin e Vetëvendosjes, u zu “me pelë për dore” duke kërkuar ryshfet.
Kompania e dajës së Vetëvendosjes – siç quhej Halili nga aktivisti i shquar i partisë së Kurtit, Pajtim Demaj – kishte për detyrë që të shkruante raportin për punët e kryera nga kompanitë e caktuara. Dhe, në vend se të kryente punën siç e parashikonte ligji, përfaqësuesi i kompanisë dëgjohet duke keqpërdorur detyrën zyrtare, pra pushtetin, për të marrë përfitime financiare.
Për më keq, nga përgjimet nënkuptohet se edhe nëse kompania ndërtimore do t’i kishte kryer punët si duhej sipas të gjitha rregullave e standardeve të projektuesit, do t’i nënshtrohej ryshfetit në fjalë.
Por, kush është Halil Jahaj?
Vite më parë, Jahaj është quajtur “Daja i Vetëvendosjes” nga aktivisti i shquar i Vetëvendosjes, Pajtim Demaj. Se çka nënkuptohej specifikisht me një epitet të tillë, është e vështirë të kuptohet, por megjithatë mund ta marrim si një cilësor honorifik.
Në fotografinë e publikuar nga Demaj, “daja” shihet teksa pushon pas një loje basketbolli, gjatë fushatës së Vetëvendosjes për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.
Se “daja” është i afërt me VV-në, tregon edhe një fakt tjetër. Jahaj ka qenë financues i Vetëvendosjes, aktivistët e së cilës e nderuan me titullin e nderit “daja”.
Financimin që e bëri Jahaj, e ka njoftuar edhe vetë partia e kryeministrit Albin Kurti. Në njërën nga pasqyrat financiare të publikuara nga VV, “daja” shihet të ketë financuar këtë parti në vitin 2021, kur partia e Kurtit fitoi gjysmën e votave të elektoratit.
Në anën tjetër, dihet edhe se “daja i Vetëvendosjes” është dajë i këshilltarit të Liburn Aliut, Florent Ramqajt.
Halil Jahaj është edhe aktivist politik. Ai bën një numër shumë të madh postimesh politike në profilin në Facebook.
Në njërin prej tyre, pretendonte që gazetari Berat Buzhala kërkon ta amnistojë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Për më tepër, ai bënte nxitje të gjuhës së urrejtjes dhe mosdurimit.
Në kohën e krizës së rëndë energjetike, z. Jahaj kishte shkruar se kriza energjetike nuk ishte aq e rëndë dhe se “ende s’kishim parë gjë akoma”.
Jahaj në shumë statuse në Facebook e kishte shprehur publikisht përkrahjen për VV-në.
Madje për liderin e kësaj partie, “daja” kishte fjalë të mëdha miradie. Për “dajën”, Albin Kurti beson në dituri, dhe si i tillë struktura e tij e të menduarit është strategjike. Ndërsa për VV-në theksonte se është kryengritëse e lëvizjes që nuk e duron pabesinë.


