A nisi formalizimi në heshtje i Zajednicës me zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit? - NACIONALE

A nisi formalizimi në heshtje i Zajednicës me zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit?

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Monitoruesit e procesit të dialogut me Serbinë kanë bërë me dije se Kosova në heshtje është duke e pranuar formalizmin e Asociacionit të komunave më shumicë serbe. Në anën tjetër, nënshkrimi i Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë shmangu precedentin e rinegocimit të marrëveshjeve – që ishte premtim i Vetëvendosjes. Çka po ndodh?

Njohësit e rrethanave politike kanë vlerësuar se zbatimi i disa marrëveshjeve të arritura në këtë proces po shkon në funksion të krijimit të këtij mekanizimi, i cili zyrtarisht po refuzohet nga Qeveria e Kosovës.

Sipas tyre, veçimi që po iu bëhet komunave të pjesës veriore me këto marrëveshje, në fund të procesit krijimi i asociacionit do të jetë vetëm formalizim.

Analisti politik Albert Krasniqi ka thënë për gazetën Nacionale se edhe pajtimi i Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë është në funksion të kësaj.

“Ndryshimi i qëndrimeve të LV-së në dialog ka krijuar pasiguri tek njerëzit për atë se çfarë është në gjendje të pranoi. Prej qëndrimit që nuk bisedojmë fare me Serbinë gjatë kohës sa ishte në opozitë, pastaj në fushatë zgjedhore duke e pranuar dialogun, por vetëm si prioritet të shtatë, dhe tash duke arritur marrëveshje. Veçimi që po i bëhet komunave me shumicë serbe nga pjesa tjetër e vendit në të gjitha fushat vitale të organizimit shoqëror, krijim i asociacionit është pastaj vetëm formalizim”, ka thënë Krasniqi.

Edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë se Asociacioni po bëhet në formë të heshtur.

Ai ka treguar për gazetën Nacionale se zbatimi i këtyre marrëveshjeve është pranimi i copëzave të asociacionit.

Arifi ka kritikuar Qeverinë e Kosovës që nuk është treguar aspak kreative në këtë drejtim.

“Asociacioni do të jetë gjithsesi pjesë e dialogut final mes Kosovës dhe Serbisë, apo do të diskutohet para marrëveshjes finale. Si do që të jetë, mendoj se qeveria është treguar jo kreative në këtë pikë, ose ndoshta e ka strategji që të mos thotë po në fillim, për ta shtyrë sa më shumë, që ta vendos pastaj në kornizën e marrëveshjes përfundimtare. Unë prapë mendoj se asociacioni në çfarëdo forme që të bëhet në të ardhmen e afërt, i cili duhet të bëhet sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mënyrë, në një farë forme ne po e pranojmë në formë të heshtur disa copëza të asociacionit, siç janë gjykatat në veri, kompetencat e komunave serbe përmes decentralizimit dhe se fundi marrëveshja me energjie. Këto janë copëza të asociacionit, sipas rregullave dhe ligjeve Kosovës në fuqi”, ka thënë Arifi.

Ai ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të bisedojë pa frikë për çështjen e formimit të asociacionit.

Sipas Arifit, çështja e asociacionit është një obligim ndërkombëtarë, i cili duhet të zbatohet nga institucionet e Kosovës.

“Sido qoftë mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të bisedojë pa frikë, sepse në fund të ditës është një marrëveshje ndërkombëtare që e kemi votuar edhe në Kuvendin e Kosovës. Por, marrëveshja për asociacionin normalisht nuk guxon që të ik nga korniza e rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, ka deklaruar Arifi.

Qeveria mohon çfarëdo asociacioni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mohuar çfarëdo mundësie të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai ka thënë se nuk do të lejojë formimin e asnjë asociacionit njëetnik. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese, e ka hedhur poshtë marrëveshjen për asociacionin.

Mirëpo, kryeministri ka pranuar marrëveshjet për energjinë, të cilat i kishte kundërshtuar fuqishëm sa ishte në opozitë.

Në lidhje me pranimin e këtyre marrëveshjeve, ai ka thënë se Qeveria e tij po mundohet të bëjë më të mirë në raport me atë që ka trashëguar nga Qeveritë e më hershme.

“Kemi trashëguar shumë gjëra që nuk kemi dashur. Po bëjmë më të mirën me atë çfarë kemi trashëguar. Siç jemi zotuar, pas 20 vitesh po e ndalim një padrejtësi dhe gjakderdhje financiare në atë pjesë të vendit dhe po përfundojmë një problematikë në sektorin e energjisë. Ky sektor është prioritar për Qeverinë e Republikës së Kosovës, pasi prek çdo aspekt të jetës së qytetarëve tanë”, ka thënë Kurti.

Muajin e kaluar, në Bruksel, Kosova dhe Serbia janë pajtuar rreth udhërrëfyesit për implementimin e marrëveshjeve të energjisë në veri të Kosovës. Marrëveshje parasheh që Zyra e Rregullatorit të Energjisë të lëshojë licencë për kompaninë “Elektroseveri”, e cila do të merret me furnizimin me energji të katër komunat në veri.

Subjektet opozitare kanë mirëpritur ndryshimin e qëndrimit të kryeministrit Albin Kurti ndaj procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Ata kanë inkurajuar Qeverinë që të mos e degradoi procesin, duke e kthyer në dialog teknik.

Sipas tyre, Qeveria duhet të tregohet e guximshme dhe të nis dialogun për marrëveshjen përfundimtare, e cila si synim ka njohjen reciproke.

Lajme të ngjashme