Si po tkurret Kosova: 42 mijë veta e lëshuan vendin veç më 2021, UP minus 14 mijë studentë - NACIONALE

Si po tkurret Kosova: 42 mijë veta e lëshuan vendin veç më 2021, UP minus 14 mijë studentë

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Viti akademik në universitetet publike rithekson edhe një herë një të vërtetë të hidhur, atë të tkurrjes së studentëve. Këtë vit, mbi 4 mijë e 100 studentë të rinj i janë bashkuar Universitetit të Prishtinës, që është më i madhi në Kosovë. Por, për një dekadë, UP ka humbur 14 mijë studentë, ashtu siç ka humbur qindra mijëra qytetarë të moshave të ndryshme, të cilët kanë zgjedhur ikjen nga vendi.

Në fakt, tkurrja e studentëve është rezultat i ikjes së madhe që ka ndodhur në Kosova përgjatë viteve. Madje, vetëm vitin e kaluar (2021), popullsia e Kosovës është zvogëluar për 24,215 banorë, sipas Agjenncisë së Statisikave, gjë e cila detyrimisht ndikon edhe në numrin e studentëve.

Gjersa në vitin akademik 2011/12, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Universiteti i Prishtinës kishte 47 mjë e 70 studentë, 10 vite më vonë ajo ka veç 32 mijë e 960 studentë.

Tash asaj i shtohen edhe 4100 të tjerë, ndërsa shumë të tjerë janë diplomuar ndërkohë ose kanë hequr dorë nga studimet.

Madje, i gjithë sektori i arsimit të lartë, nuk ka studentë aktualisht sa kishte veç UP në vitin 2011/12.

Në tërësi në universitetet publike në Kosovë, në vitin e fundit akademik 2021/2022, kanë studiuar 46 mijë e 470 studentë, apo 600 më pak se sa kishte vetëm Universiteti i Prishtinës në vitin 2012.

Megjithatë, UP është ndarë e kënaqur me suksesin e studentëve që kanë aplikuar.

Mbi 4 mijë e 100 studentë të rinj i janë bashkuar UP-së këtë vit, në dhjetëra programe studimore, të ofruara në 14 njësi akademike. Universiteti i Prishtinës edhe sivjet ka vazhduar me tërheqjen e nxënësve më të dalluar në nivel vendi. Mbi 45% të studentëve të pranuar në UP në vitin e parë të studimeve themelore kanë notën mesatare 5.0 gjatë shkollës së mesme”, thuhet në njoftim e UP-së ditë më parë.

Tutje, UP, që ka humbur 14 mijë, vlerëson se mbetet vatra e intelektualizmit në Kosovë.

E thëna e para 25 vjetëve e rektorit Ejup Statovci se ‘Universiteti është me studentët dhe studentët janë të universitetit’ vazhdon të jetë udhëzuese e ideologjisë së UP-së”, thuhet më tej në njoftim.

Ikja e njerëzve

Por, jo vetëm studentët si grup shoqëror është tkurrur me kalimin e viteve. Në fakt, e gjithë shoqëria kosovare ka pësuar rënie, si pasojë e ikjes së madhe që ka ndodhur gjatë dekadave të fundit.

Kohë më parë, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin për vlerësimin e popullësisë, e në të cilin ka shfaqur statistika aspak të mira për gjendjen e përgjithshhme.

Në Raportin e ASK-së i titulluar “Vlerësimi i Popullësisë”, e që është raport i rregullt vjetor, popullësia e Kosovës është zvogëluar gjatë vitit 2021.

Më saktësisht, 24 mijë vetë më pak jetojnë në Kosovë nga viti i kaluar. Sa për sqarim, në total 42 mijë qytetarë kanë ikur nga Kosova, ndërsa gjatë vitit 2021 janë shënuar rreth 30 mijë lindje të reja.

Gjatë vitit të kaluar, kohë kur Kurti filloi qeverisjen me Kosovën, dhjetëra mijëra qytetarë kanë vazhduar të ikin nga vendi. Saktësisht 42 mijë persona kanë emigruar nga Kosova, sipas ASK-së.

Sipas kësaj agjencie shtetërore, edhe bilanci i migrimit ndërkombëtar i Kosovës është negativ.

Bilanci i migrimit ndërkombëtar- në Kosovë për vitin 2021 ishte -38,606 banorë”, thuhet në raportin e ASK-së.

Tutje, ASK tregon që në total nga Kosova kanë emigruar 42 mijë persona, qoftë në rrugë legale apo ilegale.

Numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2021 është vlerësuar të jetë gjithsej 42,728 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë”, shkruan në raportin e publikuar dje.

ASK ka treguar se shumica dërrmuese e emigrimit ishte legal në vitin 2021, duke listuar shkaqet e kësaj ikje.

Pjesa dërmuese e emigrantëve për vitin 2021 ishin emigrantët legal. Emigrimi legal ishte për shkak të: bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi pune, shpërnguljes së përhershme (kryesisht në shtetet fqinje), studime afatgjata me punësim etj. Përveç vendeve të BE-së dhe EFTA-së një numër I kosovarëve kishte emigruar edhe në vende të tjera kryesisht në SHBA, Turqi, Kanada dhe vende tjera”, thuhet në Raport.

Vetëm në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë janë mijëra aplikime për një vizë pune, e që është bërë një nga metodat më të shpeshta për largimin nga Kosova.

Lajme të ngjashme