Ikja e mjekëve: Kurti thotë "të nisin menjëherë hapat e nevojshëm" për kthimin e tyre nga Diaspora - NACIONALE

Ikja e mjekëve: Kurti thotë "të nisin menjëherë hapat e nevojshëm" për kthimin e tyre nga Diaspora

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) është në alarm nga ikja e profesionistëve shëndetësor. Plot mjekë e infermierë po zgjedhin vendet perëndimor apo spitalet private që të vazhdojnë punën e tyre. Në anën tjetër, në mes të ikjeve të mjekëve, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që menjëherë të fillojnë hapat për sjelljen e mjekëve nga Diaspora.

Për të pasur dorë në punë e Shëndetësisë, Qeveria Kurti ka formuar një Komitetit Ekzekutiv për Shëndetësi bashkë me ministrin e shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ky Komitet në mbledhjen e tretë, vendosi që menjëherë të fillojë hapat e nevojshëm për sjelljen e mjekëve nga mërgata për të ofruar shërbime në Kosovë.

Anëtarët e Komisionit janë dakorduar që Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK-ja të nisin menjëherë hapat e nevojshëm për të planifikuar sjelljen e sa më shumë të mjekëve specialistë nga mërgata për dhënie të shërbimeve dhe ofrim të trajnimeve”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Kritika ndaj thirrjes së Kurtit

Mirëpo, nisma e kryeministrit Kurti dhe këtij komitetit nuk u prit mirë nga mjekët dhe opozita.

Doktori kosovar, Gani Bajraktari ka kritikuar kryeministrin Kurti për planin e tij që t'i ftojë në Kosovë mjekët nga Diaspora.

Bajraktari mes tjerash ka thënë se veç këta doktorë që momentalisht operojnë në vendlindje janë në gjendje që t'i kryejnë 8 stentime infarktesh akute pa gjumë në sy, duke nënkuptuar se Kurti duhet të rregullojë punën me mjekët këtu pastaj të kërkojë që mjekët nga mërgata të shërbejnë në Kosovë.

"Ata të mërgates janë shumë të mirë: ose i kemi shokë ose i kemi studenta! Ata kanë ardhë sa herë i kemi thirrë (kurrë s'kanë pasë problem për licenca- me emaila ua kemi rregullu licencat në Ministri), por ata janë nje hap përpara neve dhe juve: vijnë rrijnë 3 ditë (ditën e parë shkojnë pak në RTK në program të mëngjesit, ditën e dytë punojnë ndonjë pacient, dhe të tretën bëjnë një reklamë të mirë në një TV tjetër, për të mbajtur linjat reklamuese në media), … dhe pas 4-5 muajsh çelin një ordinancë diku, për të mbledhur edhe noj pare këndej si shtesë të rrogave të majme (meritore) që i kanë atje!", shkroi ndër të tjerash ai.

Ndërkohë, sipas deputetëve të opozitës, nisma e Kurti nuk pritet të sjellë ndonjë rezultat.

Sipas deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, kjo gjë nuk pritet të sjellë ndonjë rezultat. Ai ka thënë se nuk ka interesim nga mjekët e vendeve të tjera për të punuar në Kosovë.

Nuk ka kërkesa prej mjekëve nga Evropa që të vijnë në Kosovë është një situatë krejt tjetër. Ku mjekët nga Kosova po ikin drejt vendeve të BE-së. Qeveria duhet të fokusohemi për përmirësim të kushteve të mjekëve në Kosovë për tu a rritur pagat atyre dhe për tu’a plotësuar kërkesat të cilat ata i kanë që të qëndrojnë në Kosovë”, ka thënë Haxhiu, për Tëvë1.

Të njëjtin mendim e ndan edhe deputeti i partisë tjetër opozitare AAK, Shemsedin Dreshaj.

Nëse bëhet fjalë për procedura specifike diagnostike, terapeutike të cilat nuk kryhen në vend ata janë të mirëseardhur”, shprehet Dreshaj.

Ikja e mjekëve

Nacionale ditë më parë raportoi se veç për nëntë muaj, Kosovën e lëshuan mbi 600 infermierë e staf mbështetës.

Këto statistika po shihen dramatike për zyrtarët e Odës së Infermierëve kosovar. E thirrjet e tyre karshi institucioneve për këtë alarm, ata thonë se nuk o i dëgjon askush. Tutje infermierët kosovarë, në tetor pritet që të marrin oferta pune me shumicë nga Gjermania.

Për të rekrutuar stafin shëndetësor në Kosovë gjatë muajit tetor pritet të arrijnë edhe disa zyrtarë gjermanë.

Shoqata Evropiane për çështjet Kulturore dhe Sociale (EKSË)” do të organizojë për herë të dytë këtë event e përmes të cilit synohet rekrutimi i kosovarëve për të punuar në Gjermani.

Infermierë të angazhuar nga Kosova për Republikën Federale të Gjermanisë”, është titulli i njoftimit që kjo shoqatë ka shpërndarë për profesionistët shëndetësor kosovarë.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se edhe Greqia e Zvicra e kanë problemin me ikjen e mjekëve dhe anesteziologëve, duke mos treguar se si do të veprohet në Kosovë.

Pritet të shihet nëse mjekët nga mërgata do të pranojë që të punojë në sektorin e shëndetësisë në Kosovë.

Lajme të ngjashme