Ikja e mjekëve, drejtori i Spitalit të Ferizajt: Edhe në gjumë mendoj për largimin e tyre - NACIONALE

Ikja e mjekëve, drejtori i Spitalit të Ferizajt: Edhe në gjumë mendoj për largimin e tyre

1 javë më parë

nga Gentiana Hasani

Pagat e ulëta, kushtet jo të mira të punës, kujdestaritë e shpeshta e infrastruktura, janë vetëm disa nga arsyet që po i shtyjnë mjekët e infermierët kosovarë t’i braktisin institucionet shëndetësore shtetërore. Shumë mjekë po kalojnë në sektorin privat për shkak të kushteteve më mira. Drejtori i spitalit publik në Ferizaj thotë se as gjumin mirë nuk mund ta bëjë për shkak të ikjeve të mjekëve.

Shumë spitale rajonale tashmë po ballafaqohen me mungesa të mëdha të mjekëve. Gjendja është e njëjtë, pra alarmuese, edhe në spitalin e Ferizajt.

Ikja që po e shqetëson drejtorin

Muaji gusht ka nisur keq për Spitalin e Ferizajt. Nga aty tashmë kanë ikur edhe dy mjekë të tjerë.

Lumturije Lika, gjinekologe, Shahir Pireci neonatolog e kanë lëshuar punën në këtë spital për t’u transferuar në sektorin privat. Ndërsa vitin e kaluar, punën në këtë spital e braktisën edhe tre mjekë të tjerë.

Të gjitha sfidat me të cilat ballafaqohet ky spital rajonal, i ka shpjeguar për gazetën Nacionale, ushtruesi i detyrës së tij, Isa Berisha.

Ikja e mjekëve ka ndikuar edhe në shërbimin që e ofrojnë. Për shkak të mungesës së stafit, në sektorin e neonatologjisë punohet vetëm në orarin e paraditës.

Këtë muaj që kemi nisë, e kemi fillua pa dy mjekë, një neonatolog dhe një gjinekolog i kemi në mungesë. Pra nga viti i ri e këtej, këta dy kanë dhënë dorëheqje. Ndërkaq në tetor-nëntor të vitit të kaluar kanë dhënë dorëheqje tre mjekë. Këta, punën e kanë lënë për institucione private. Për momentin i kemi dy neonatolog. Me këta punojmë veç në shërbimin e paradites. Është e pamundshme me e mbajt shërbimin 24-orësh. Natën do të punojnë motrat e neonatologjisë bashkë me ekipin e gjinekologjisë. Në rast nevoje, asistojnë edhe mjekët e emergjencës”, ka rrëfyer doktori për vështirësitë me të cilat përballet ai në menaxhimin e spitalit të cilin e drejton.

Ai e sheh si shqetësuese këtë situatë, duke theksuar se gjendja është alarmante.

Me thanë të drejtën për mua është shumë shqetësuese e jo pak. Edhe pas orarit të punës, në shpi kur po vi, edhe në mbrëmje gjithmonë fle me atë se çka po ndodhë atje. Edhe tu pas mjekë e shërbim, në mjekësi, kur s'e ki mjekun është problematike. Me infermier për momentin jemi mirë. Për mjekë e kemi shumë problem”, thotë Berisha.

Ai sqaron se për zëvendësimin e neonatologëve që mungojnë në spitalin ku ai është drejtor, ka pak shpresa. Madje ai thotë se kanë dërguar kërkesë në SHSKUK, por ende s’kanë marrë përgjigje.

Në Kosovë nuk është asnjë neonatolog pa punë. Unë kam bisedua me drejtoreshën e Neonatolgjisë, sipas saj që diku 7 vite specializimet për Neonatologji nuk janë dhënë. Ne u kemi shkru SHSKUK-së, e kemi lypë një interpretim ligjor të kësaj pune. Që gati 10 ditë s'kemi përgjigje”, tha Berisha.

QKUK në të njëjtën situatë

E me mungesë të mantel bardhëve po ballafaqohet edhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Nacionale, ka raportuar ditë më parë se si tre anesteziolog e lanë QKUK-në vetëm për dy javë.

Si rrjedhojë e mungesës së tyre, në shumë klinika të këtij institucioni shëndetësor janë krijuar lista të pritjes.

Në të gjithë QKUK-në për momentin janë vetëm 51 anesteziolog të cilët duhet të shërbejnë për 40 njësi punuese, 3 njësi intensive dhe emergjencën.

51 anesteziolog i kemi. Para dy javëve, tre anesteziolog e kanë nënshkrua draftin me e lëshu punën. Po flitet edhe për të tjerë, por zyrtarisht nuk kam ende asnjë kërkesë. Po është shumë i vështirë menaxhimi, sepse me punu në 40 njësi punuese me i mbajt 3 njësi intensive, emergjencën e sallat operative po është shumë vështirë”, deklaron drejtori Gazmend Spahia.

Nga mungesa e këtyre specialistëve në Klinikat kosovare po krijohen lista të gjata të pritjes së pacientëve.

Afro 2 mijë pacientë e presin një anesteziolog në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare.

Aktualisht në këtë Klinikë vetëm një sallë është në shfrytëzim për shkak se tash e një muaj klinika ka vetëm një anesteziolog.

E shumë mantel bardhë të tjerë kosovarë, përfshirë këtu edhe specialistët e anesteziologjisë po e lënë punën shtetërore duke preferuar që të punojnë në institucione private.

Shumë prej tyre, tashmë kanë zgjedhur largimin jashtë vendit për të vazhduar punën e tyre në sektorin e mjekësisë./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme