Veç një infermier për 80 pacientë me kancer, ana e dhimbshme e Onkologjisë së QKUK-së - NACIONALE

Veç një infermier për 80 pacientë me kancer, ana e dhimbshme e Onkologjisë së QKUK-së

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Në Klinikën e Onkologjisë së QKUK-së, çdo ditë rreth 300 pacientë marrin trajtim me kimioterapi, e terapi të tjera mbështetëse për luftimin e kancerit. Fatkeqësisht, për gjithë këta pacientë kujdesen vetëm 3 ose 4 infermierë. Pra, një infermier kujdeset mesatarisht 80 pacientë. Kjo po i stërngarkon infermierët, të cilët theksojnë se gjendja është demotivuese.

Përkundër mungesës së stafit, pacientët janë të kënaqur me punën e mjekëve.

“Kujdesi, ilaçet e këta personat me këto mantelet e bardhë”, mund të na shpëtojnë jetën.

Kjo ishte fjalia e parë që na e tha një pacient i cili kishte gati dy orë që po merrte terapi në klinikën e Onkologjisë së QKUK-së.

“Gjendja demotivuese”

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi, ka rrëfyer për gazetën Nacionale problemet me të cilat përballet stafi mjekësor në këtë sektor të QKUK-së.

Por mantel-bardhë në këtë Klinikë ka pak. Kur themi mantel-bardhë po flasim për stafin infermieror.

Nga kjo Klinikë i shpjeguan Nacionales për vështirësitë me të cilat ballafaqohen rreth mungesës së infermierëve.

“Sa i përket stafit mjekësor qëndrojmë shumë keq. E keni parasysh për një fluks kaq të madh të pacientëve nga 250 deri në 300 në ditë që marrin shërbime në kimioterapi, i kemi vetëm 5 infermierë. Nga këta ka që janë me shërbim në sportel e disa në pjesën e përgatitjes së medikamenteve”, i tha Nacionales, ud. drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi.

Ai shpjegon edhe për sfidat me të cilat ballafaqohen infermierët e kësaj klinike.

Kjo situatë është shumë e lodhshme e demotivuese dhe unë shpesh them se është problem që këta edhe të motivohen. Shpresoj shumë që do ta gjejmë përkrahjen me e rritë numrin e stafit sepse kjo do të reflektonte në punë. Kohëzgjatja e pritjes do të ishte më e vogël sepse nëse ke pak staf, shërbimet vonohen”, sqaroi ai.

E që puna të bëhet mirë, në këtë klinikë duhen së paku edhe dy-fishi i këtij numri të infermierëve sa janë për momentin.

Por në këtë klinikë shpesh-herë ka mungesë të medikamenteve mjekësore. Për këtë po ankohen edhe pacientët që po trajtohen aty.

Kam ardhë herët. U dashtë me pritë deri sa të lirohet ni shtrat më për i marrë terapitë. Prej terapive diçka po ka e diçka s’po ka”, thotë pacienti që po trajtohej aty.

Terapitë super të shtrenjta që mungojnë

Që ka mungesë të ilaçeve e ka konfirmuar edhe drejtori i Onkologjisë.

“Për momentin nuk jemi keq me furnizim, me ato ilaçet bazike të cilat ne i përdorim. Kemi ngecje në disa prej tyre. Ka qenë aktuale mungesa e një imunoterapie “Pembrolizumap”. Një medikament për të cilin ka qenë planifikimi fillimisht vitin e kaluar dhe aprovimi vetëm për melanoma. Këtë vit ka filluar të përshkruhet dhe të jepet dhe për patologji të tjera si për kancer të mushkërive apo edhe të qafës. Kjo na ka paralizuar sepse ka pak ilaçe dhe në anën tjetër është rritë gama e patologjive për të cilat përdoret. Për këtë tre-mujor ky ilaç është harxhua”, thotë ai.

Por në këtë klinikë mungon edhe një ilaç tjetër të cilin në barnatoret private, pacientët po e blejnë deri në 3 mijë euro.

Bëhet fjalë për tabletata ‘Zytiga’, të cilat tash e një muaj janë mungesë në Klinikën e Onkologjisë së QKUK-së.

E ky medikament nuk dihet nëse do të jetë i pranishëm në sirtarët e kësaj klinike. Kjo pasi ka qenë donacion.

“Ka qenë donacion. Tash të presim a do të mund ta sigurojmë prapë”, thotë ai.

Shifrat me rastet e reja të paraqitura me kancer në Kosovë po dalin të jenë shqetësuese. Sipas drejtuesve të Klinikës së Onkologjisë, në pesë mujorin e parë të këtij viti në të gjithë Kosovën, janë diagnostikuar 611 raste të reja me kancer e të cilët po trajtohen në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas të dhënave të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, kanceri i gjirit dominon, me 176 raste, ndërsa janë regjistruar 143 raste me kancer urogjenital./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme