Veç një infermier për krejt: Pritje torturuese në mot të nxehtë për pacientët e Onkologjisë në QKUK - NACIONALE

Veç një infermier për krejt: Pritje torturuese në mot të nxehtë për pacientët e Onkologjisë në QKUK

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Në temperatura të larta, para dyerve të Klinikës së Onkologjisë së QKUK-së, dhjetëra pacientë prisnin për të hyrë brenda për të marrë shërbimet mjekësore. Shumë nga ta, edhe pse në moshë të shtyrë duhej të duronin këtë regjim pritjeje. Nacionale gjatë ditës së sotme ka qëndruar në ambientet e kësaj klinike e nga atje ju sjellë rrëfimet e pacientëve.

Prisnin në radhë për t’iu liruar një krevat për të marrë terapinë medikamentoze. Shumë pacientë me sëmundje malinje madje qëndronin edhe në këmbë, disa në korridorin e disa jashtë Klinikës së Onkologjisë.

Në dhomën ku jepeshin terapitë, për diku rreth 30 shtretër, secili nga ta kishte pacientë, shërbente vetëm një infermier.

“O vlla, qet infuzion e kreva më doket”, ishte thirrja që infermieri i rreth të 30-ave po e dëgjonte thuajse çdo minutë nga pacientët që po merrnin terapitë.

“Erdha.. erdha”, kështu i drejtohej pacientëve me një buzëqeshje të lehtë, infermieri që po kujdesej për ta.

Por, këta pacientë dukshëm kishin nevojë edhe për staf mjekësor shtesë që të kujdesej për ta.

“Veç ky infermieri për krejt neve pacientët. Po presim kogja për me na i ndërru ilaçet e infuzionet. Po më dhimen ata jashtë (pacientët tjerë), që po presin për me ia lëshu rendin”, thotë ky pacientë i cili po i merrte sot terapitë në sallën e dytë të Onkologjisë.

Ka nga këta pacientë që terapitë radiologjike, nuk i kishin marrë qe dy javë. Kjo krejt për fajin e institucioneve.

Për t’i kryer këto rrezatime, A. Latifi ngaa Deçani kishte marrë rrugë për në Klinikën e Onkologjisë. Aty, zonja e rreth të 60-ave e ka të planifikuar që të nis me marrjen e rrezatimeve të cilat e luftojnë sëmundjen e kancerit me të cilën ka gati një vit që e ka diagnostikuar.

Por pas 8 seancave, asaj iu ndërpre trajtimi në këtë klinikë pas kanalizimit i cili i vërshoi aparaturat ku kjo zonjë e 100 të tjerët po i vazhdonin rrezatimet.

“Valla kur kam ardhë këtu, për me marrë terapitë e pashë që krejt kish qenë e mbushen me ujë. S’kisha ky hy. U dashtë me i ndërpre. Tash, sot erdha me i vazhdu. Po e pres doktorin me u kontrollu e me hy. I kam gjithsejt 30 qëso radiosh me i përfundua”, tha për Nacionalen kjo zonjë.

Por puna në bodrumin e klinikës së Onkologjisë, aty ku gjenden aparaturat radiologjike, pas dy javëve ka nisur të martën e kësaj jave. Ani se me kapacitete të kufizuara, trajtimin me radioterapi, të mërkurën parashihej ta kryenin 30 pacientë.

Në ‘Infinit’, këtë aparaturën që është instaluar vjet, kanë nisur që të kryhen radioterapitë për kokë, qafë e gji. Vetëm sot i kemi diku rreth 30 pacientë. Edhe shërbimi i CT-së është funksionalizu”, thotë infermierja që i priste pacientët që sot kishin të caktuar terminin për t’i marrë këto shërbime.

E për Nacionalen, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ardian Millaku, ka thënë se gjatë ditëve të ardhshme pritet që komplet të funksionalizohet sistemi i radioterapisë.

“Një pjesë është lëshuar që dy ditë. Pacientët kanë filluar që t’i marrin terapitë”

Këto shërbime i marrin rreth 80 pacientë të prekur nga sëmundjet malinje./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme