“Shpresojmë të dëgjohemi”: Pas lutjeve amerikano-evropiane, paralajmërohen masa ndaj Kosovës - NACIONALE

“Shpresojmë të dëgjohemi”: Pas lutjeve amerikano-evropiane, paralajmërohen masa ndaj Kosovës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Për gati 1 muaj rresht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe Bashkimi Evropian, në shumë raste treguan nevojën për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës. Diplomatë të ndryshëm përdorën terme të llojllojshme si “shtëpia në flakë”, “shpresojmë të dëgjohemi” e të ngjashme, për të dërguar sinjale për të depërshkallëzuar gjendjen e trazuar në veri.

Por tashmë po flitet për masa të BE-së, ndërsa 8 senatorë amerikanë, të të dy partive (Republikane dhe Demokrate), i kanë shkruar një letër presidentin amerikan Joe Biden, ku kritikohej posacërisht Kosova. A ka përfunduar koha e “lutjeve amerikano-evropiane”?

Faza I: Këshilla alarmuese…dhe një sanksion “simbolik”

Në fund të muajit maj, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, në një intervistë për gazetarët kosovarë, u tregua jashtëzakonisht i shqetësuar dhe i drejtpërdrejtë. Në një formë këshille publike ndaj kryeministrin Albin Kurti, Hovenier zgjodhi një fjali brengosëse për mendjet e shëndosha për të përshkruar situatën në veri. Ambasadori amerikan theksoi se “shtëpia është në flakë”, një fjali që përçonte një alarm për kryeministrin Kurti për shtensionim të menjëhershëm.

“Mendojmë se kjo është çështje shumë urgjente. Krahasimi që kam marrë është ai me një shtëpi që po digjet. Prandaj, mendoj që duhet të hiqet së pari zjarri. Ne presim që Qeveria të ndërmarrë veprime tash... Besojmë që Qeveria nuk duhet të insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat e komunave. Qeveria duhet të gjejë vende alternative pune për ta. Nuk e dimë pse nuk po i përdor të njëjtat vende alternative ku janë betuar.” – vlerësoi ai.

Natyrisht, Hovennier kishte treguar edhe për një “masë ndëshkuese” ndaj Kosovës, pasi FSK-ja ishte përjashtuar nga stërvitjet e përbashkëta me NATO-n të quajtura “Defender 23”.

“Indikacioni i parë i kësaj gjëje ishte vendimi që mori Gjenerali i NATO-s për Europë Juglindore për të anuluar pjesëmarrjen e Koforës në Defender 2023, që ndodhi gjatë natës. Dhe siç e dimë, nuk kishte aktivitete sot dhe s’do të ketë. Për Kosovën ai ushtrim u krye. Po mendojmë edhe për të tjera pasoja, po ashtu.” – theksoi ai.

Faza II: Lutjet…

Faza e dytë përshkruhej nga një tendencë për lutje publike, teksa zyrtarë të ndryshëm amerikanë u përfshin në një “bisedë të hapur” me qytetarët e Kosovës. Në këtë fazë, Gabriel Escobar, emisar special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, përdori togfjalësh interesante, përfshirë “shpresojmë të dëgjohemi”.

“Shpresoj të dëgjohemi. Jemi në fillim të misionit. Erdha këtu si përkrahës i madh i Kosovës. Duam më të mirën për Kosovën, të arrijë të gjitha aspiratat. Jemi përkrahësit më të mëdhenj të sigurisë suaj, pavarësisë, sovranitetit, e integritetit territorial tuaj. Po kërkoj vetëm të dëgjohemi” – theksonte Escobar pas një takimi me Kurtin.

E lutjen për dëgjim, e shprehen edhe dy ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës.

“Shpresojmë që Qeveria e Kosovës i dëgjon miqtë e mirë dhe nuk po flas vetëm për vendet tona që ne përfaqësojmë këtu. Liderët tanë kanë shkruar shkresa duke i kërkuar Kosovës të na dëgjojë e nuk është mirë të ecët vetëm.” – theksoi ditë më parë ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Të njëjtën kërkesë e shfaqi edhe ambasadori francez, duke thënë se ata e shohin Kosovën në BE, megjithatë duhet dëgjim i ndërjsellë.

“Vendi im, Franca, pastaj Gjermania, e shohim gjithsesi vendin e Kosovës në BE dhe për këtë kërkohet dëgjim i ndërsjellë dhe kompromise.” – theksoi ai.

Faza III: Masa

Duket se tashmë aleatet e Kosovës kanë hyrë në një fazë të re, të cilën simbolikisht mund ta quajmë “faza III”. Në këtë fazë, pra të tretën fazë, ka paralajmërime për masa. Për masa ka folur ditë më parë Josep Borrell, shef i diplomacisë së Bashkimit Evropian.

Ndërsa edhe më i drejtpërdrejt për këtë temë ishte Gert Jan Koopman, drejtor i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së. Në një prononcim, ai ka theksuar se Komisioni Evropian do të ndërmarrë një numër masash, pasi autoritetet e Kosovës nuk i janë përgjigjur kërkesave të BE-së për shtensionimin e situatës në veri.

“Autoritetet e Kosovës nuk iu janë përgjigjur këtyre kërkesave fatkeqësisht, Komisioni Evropian sigurisht që do të ndërmarrë një numër masash që do të komunikohen pak më vonë në këtë javë dhe ato do të përfshijnë pezullimin e punës së në kuptimin e organeve të Stabilizim Asociim dhe do të pezullojmë programin e fondeve për Kosovën, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment, mbështetja e vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimi i kontratave po ashtu, do të pezullohen. Ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe po ashtu do të pezullohen. Tani më lejoni të theksoj se nuk i marrim me lehtësi këto veprime dhe këto duhet të shihen si të përkohshme dhe të kthyeshme kur të shohim hapat e vegjët të autoriteteve në Kosovë që të kthehen në dialog dhe për të implementuar zotimet që janë dhënë.” – tha ai, transmeton Koha.

Lajme të ngjashme