“Duam të dëgjohemi; konfuzion total”: Qysh e përshkroi Escobari marrëdhënien e trazuar me Kurtin? - NACIONALE

“Duam të dëgjohemi; konfuzion total”: Qysh e përshkroi Escobari marrëdhënien e trazuar me Kurtin?

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Gabriel Escobar, i dërguar i posaçëm i ShBA-së, bashkë me Miroslav Lajçakun, emisar special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, kanë qëndruar në Prishtinë, ku janë takuar me kryeministrin Albin Kurti e presidenten Vjosa Osmani. Disa deklarata të Escobarit, janë ndoshta përshkrimi më i mirë i krejt situatës aktuale.

Konfuzion, mungesë e dëgjimit, sfida dhe marrëdhënie të lënduara, sanksione e ultimatume – pak a shumë kështu mund të përshkruhet raporti mes Kurtit dhe Escobarit. Ky i fundit, qysh dje e bëri të qartë se kërkesat e ndërkombëtarëve për shtensionimin e situatës nuk po dëgjohen nga Kurti. Andaj, dje në ora 23:00, para Qeverisë së Kosovës, Escobar deklaroi se shpreson të dëgjohet nga Kurti.

“Shpresoj të dëgjohemi. Jemi në fillim të misionit. Erdha këtu si përkrahës i madh i Kosovës. Duam më të mirën për Kosovën, të arrijë të gjitha aspiratat. Jemi përkrahësit më të mëdhenj të sigurisë suaj, pavarësisë, sovranitetit, e integritetit territorial tuaj. Po kërkoj vetëm të dëgjohemi” – theksoi Escobar mbrëmë.

E një ditë më vonë, ai foli gjerë e gjatë për marrëdhënien mes Kosovës dhe ShBA-së. Ai tha se ka mungesë të koordinimit të Kurtit me ShBA-në.

“Më duhet ta them që jemi në konfuzion total– edhe pse të bashkuar me BE-në – se pse kjo gjë po ndodh. Pse ka mungesë koordinimi dhe fleksibiliteti?” – tha emisari.

Kjo mungesë e koordinimit, sipas Escobarit, tregon se si e sheh Kurti partneritetin me ShBA-në dhe miqtë e tjerë të Kosovës.

“Pse këto ndërtesa, pse kur iu kërkuam koordinim, ata s’u koordinuan? Kjo na tregon se si na shohin neve si partnerë.” – u shpreh Escobari, i cili tregoi edhe shembuj se si ShBA-ja kishte punuar nëpër zyre alternative, por pa besuar që e kishte dorëzuar sovranitetin pasi e kishte bërë një gjë të tillë.

E për propozimet e ndërkombëtarëve, Escobar deklaroi se Kurti i ka dy ditë afat të përgjigjet në kërkesat e ndërkombëtarëve, të cilat përfshijnë edhe kërkesën për zgjedhje të reja në veri të Kosovës.

“Duhet të merremi vesh për këtë sot dhe nesër sepse të premten unë dhe Lajcak duhet t’u raportojmë eprorëve tanë se a ishim të suksesshëm apo jo.” - tha ai.

Pas u deklarua për raportet me “sfida” me Kurtin, Escboar deklaroi se kjo ndjesi nuk do të ndikojë në raportet e ShBA-së me Kosovën.

“Më duhet ta përsëris se raporti i Kosovës me Amerikën është raport mes popujve. Dhe ky është raport i fortë. Ne do të vazhdojmë të jemi partneri më i madh...Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se çfarë vështirësie që kemi me kryeministrin, nuk do ta ndikojë atë ndjesi.” – tha z. Escobar.

“Por, do të jem shumë i sinqertë. ShBA-ja ka qenë mbështetësi juaj kryesor. Më dhemb të shoh se njerëzit mendojnë se ne disi po e çojmë marrëdhënien tonë, dhe angazhimin në Kosovë, për favore të Serbisë.” – shtoi Escobar.

Megjithatë, Escbobari e bëri të qartë se ShBA-ja nuk do të qëndrojë në krah të një individi që nuk e ndan instiktin për të bashkëpunuar.

“Ne gjithmonë do të qëndrojmë krah popullit të Kosovës. Por kjo s’do të thotë që do të qëndrojmë krah një individi që nuk e ndan atë instinkt për të bashkëpunuar e për t’u bashkërenduar.” – tha ai.

Lajme të ngjashme