Mbledhja e madhe: Përfundon takimi i Kurtit me Escobarin e Lajçakun, prezantohen tri kërkesa rrëth veriut - NACIONALE

Mbledhja e madhe: Përfundon takimi i Kurtit me Escobarin e Lajçakun, prezantohen tri kërkesa rrëth veriut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

E përditësuar (23:10):

Tashmë ka përfunduar takimi i Kurtit me Escobarin dhe Lajçakun. Dy emisarët ndërkombëtarë janë deklaruar për medie. Siç raporton Koha, Escobar ka treguar se i kanë prezantuar Kurtit kërkesat e njëjta.

“Është një unitet i madh transatlantik, mes SHBA-së, BE-së e NATO-s, që ka paraqitur kërkesat e njëjta. Shpresoj të dëgjohemi. Jemi në fillim të misionit. Një gja dua të them, erdha këtu si përkrahës i madh i Kosovës. Dam më të mirën për Kosovën, të arrijë të gjitha aspiratat. Jemi përkrahësit më të mëdhenj të sigurisë suaj, pavarësisë, sovranitetit, e integritetit territorial tuaj. Po kërkoj vetëm të dëgjohemi.” - tha Escobar.

Lajçak ka treguar se Kurtit i janë paraqitur tri kërkesa.

"E para është shtensionimi, e dyta zgjedhje të shpejta në veri dhe e treta rikthimi në dialogun për normalizim. Misioni ynë vetëm sa ka nisur." - u shpreh Lajçak para medieve.

“Është në interes të Kosovës dhe të gjithëve që të kemi kryetarë legjitimë...Mund t’ju them se shtetet anëtare po presin raportin tonë.” - shtoi Lajçak.

Çka raportoi Nacionale?

Tashmë ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të ShBA-së, Gabriel Escobar, dhe emisarit special të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak. Takimi ka nisur me 30 minuta vonesë, për shkak se Kurti ishte pjesë e ceremonisë së ndarjes së medaljeve në Kupën e Kosovës në futboll, ku fitues doli KF Prishtina. Ndryshe, ky takim, sipas zëdhënësit të Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, mund të zgjasë deri në dy orë.

Siç ka raportuar Nacionale para 1 ore, dy emisarët ndërkombëtarë janë parë teksa hynin në objetin e Qeverisë së Kosovës, ndërsa ata janë ndalur për pak çaste para gazetarëve për të bërë disa fotografi. Ata nuk janë deklaruar para takimit. Në delegacionin ndërkombëtar, pjesë ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili ditë më parë ishte jashtëzakonisht i ashpër karshi Qeverisë Kurti.

Ndryshe, në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, nuk tregohej se për çfarë do të takohet Kurti me dy mysafirët e rëndësishëm.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.” – thuhej në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Megjithatë, bazuar në kontekstin aktual politik, ky takim do të fokusohet në çështjen e shtensionimit të veriut dhe hapave të ardhshëm drejt themelimit të Asociacionit.

Siç njoftoi Koha, Kurti e ka njoftuar emisarin e BE-së dhe atë të ShBA-së rreth vendimit të kryetarit të Zveçanit, Ilir Peci, për të emëruar nënkryetare të kësaj komune, Slagjana Pantoviqin. Tutje, sipas këtij raportimi, Kurti dëgjohet t’u flet dy emisarëve për marrëveshjen për ulje të tensioneve në veri.

Shtensionimi...

Tensionet në veri kanë hyrë në ditën e dhjetë, teksa ndërkombëtarët po vazhdojnë komunikimet me Kosovës dhe Serbinë, në kërkim të zgjidhjeje të pranueshme për të dy palët. Sigurisht, kryefjala e krej kësaj ndërmarrjeje diplomatike është “shtensionimi”, ndërsa aty përmenden edhe puna për themelimin e Asociacionit.

Tashmë që nga java e kaluar janë kristalizuar kërkesat e ndërkombëtarëve. Zgjedhjet e reja, largimi i policisë speciale nga veriu janë parë si hapa të domosdoshëm dhe të menjëhershëm për shtensionimin e situatës në atë pjesë të Kosovës.

“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur.” – ishte deklarata e Emanuel Macron, president i Francës, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ku mori pjesë edhe kancerali gjerman, Olaf Scholz.

Ndërsa, Gabriel Escobar, i dërguar i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, e cilësoi si “shqetësuese” gjendjen në veri, duke thënë se urgjentisht duhet të fillojë puna për Asociacionin.

“Kurti duhet të tërheqë policinë nga objektet komunale, dhe urgjentisht, urgjentisht të fillojë punën për punën e Asociacionit.” – deklaroi Escobar.

Këto kërkesa, i përsërti sot ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, pas një takimit me Kurtin.

”Kryeministri Kurti prezantoi pikëpamjen e tij për zhvillimet aktuale në veri/në dialog. @Olivier_Guerot dhe DHoM-ja ime përsëriti qëndrimin tonë të qartë në përputhje me deklaratat e fundit të QUINT/🇪🇺. Nevoja urgjente për të punuar në objektivat e deklaratës së BE27. Mbështetje e plotë për@MiroslavLajcak.” – shkroi ambasadori gjerman.

Në lidhje me kërkesën për zgjedhjet e reja, presidentja Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë përgjigjur pozitivisht, por duke treguar edhe disa “kushte”.

“Nuk e përjashtoj mundësinë për zgjedhje të parakohshme, por ato duhet të jenë fer, demokratike dhe të lira.” – u shpreh Kurti për këtë ide, duke shtuar se nëse këto zgjedhje mbahen duhet të ketë fushatë të hapur.

“Beogradi do që Lista Serbe ta prezantojë komunitetin serb. Prandaj ne insistojmë që të ketë fushatë të hapur dhe ne shpresojmë që komuniteti ndërkombëtar do të na ndihmojë në këtë drejtim.” - ka thënë ai.

Ndërsa zonja Osmani vlerësoi se kurdo që organizohen zgjedhjet e reja, aty duhet të marrin pjesë edhe serbët e veriut.

"Ka qenë kërkesë e qartë e Gjermanisë dhe Francës që kurdo që organizohen zgjedhjet e reja të ketë participim, që të mos iu ndalohet serbëve që të participojnë. Brenda ligjeve tona, brenda kushtetutës tonë, ekziston mundësia që të ketë zgjedhje të reja.” - vlerësoi Osmani.

Lajme të ngjashme