Prej "Kosova pjesë e familjes" te "do të marrim masa": Ndryshimi i qasjes nga takimi i fundit i Kurtit me zyrtarin evropian - NACIONALE

Prej "Kosova pjesë e familjes" te "do të marrim masa": Ndryshimi i qasjes nga takimi i fundit i Kurtit me zyrtarin evropian

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

“Kosova është pjesë e familjes evropiane” citohej të kishte thënë drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman në një takim me kryeministrin Albin Kurti. Kjo kishte ndodhur në maj - në qershor, fjalët ishin ndryshe. Ishte vetë ky zyrtar që do të lajmëronte se pikërisht gjatë kësaj jave, mund të bëhen të ditur masat e bllokut kundër Kosovës. Si ndryshoi gjithçka?

Më 17 maj në Kosovë qëndroi për vizitë zyrtari evropian, Gert Jan Koopman. Natyrisht, në agjendën e tij kishte qenë edhe një takim me kryeministrin Kurti.

Dhe në këtë takim, ai do t’i thoshte fjalët më të mira për Kosovën, madje duke theksuar se ky shtet është “pjesë e familjes evropiane”.

“Folëm për rëndësinë që Kosova të vazhdojë të realizojë reformat që ndërlidhen me BE-në. Ritheksova përkrahjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian në rrugën evropiane të Kosovës.”- kishte thënë ai.

Çka ndodhi më pas?

Rreth 10 ditë më vonë prej këtij takimi, kryetarët e rinj të zgjedhur në komunat veriore parashihej të fillonin punën nga zyrat e tyre. Kjo, shkaktoi tensione të shumta në veri të vendit.

Protesta, sulme ndaj policisë së Kosovës, sulme ndaj KFOR-it, një kryetar i ngujuar tash e një muaj brenda objektit të Komunës, situata vazhdon të jetë e përshkallëzuar.

Pas kësaj, reagimi i komunitetit ndërkombëtar, sidomos i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të ishte shumë i ashpër. Kosovës madje, i paralajmëroheshin pasoja, dhe disa prej tyre, veç u konfirmuan si përjashtimi nga ushtrimi ushtarak “Defender 23”.

ShBA e kërkoi disa herë që kryetarët të punojnë nga zyra alternative, kërkesë kjo që kryeministri Kurti në vazhdimësi e ka refuzuar.

Kërkesë të njëjtë ka pasur edhe Bashkimi Evropian, ku emisari i saj Miroslav Lajçak bashkë me emisarin amerikan, Gabriel Escobar, ia kishin prezantuar kryeministrit Kurti një plan tre pikësh për përshkallëzimin e situatës, i cili përfshinte edhe zgjedhje të reja në veri.

Kryeministri Kurti s’e pranoi këtë plan, kështu duke prezantuar një tjetër me pesë pika. Këtë ndërkohë, BE-ja e konsideroi si “dështim” për të adresuar përshkallëzimin në veri.

BE-ja në vazhdimësi paralajmëroi masa kundër Kosovës, politike dhe financiare.

Serbia në anën tjetër, kidnapoi tre zyrtarë policorë të Kosovës, për t’i liruar pas disa ditësh, pas presionit ndërkombëtar.

Dhe Kosovës, ende po i kërkohet që ta depërshkallëzojë situatën në veri. Në të kundërten, siç ka paralajmëruar edhe BE-ja do të ketë masa kundër saj.

Masat? Këtë javë?

Në fund, dalim te qasja. Për një muaj, qasja e BE-së ndaj Kosovës ndryshoi. Ishte pikërisht zyrtari që Kurti e takoi një muaj më parë, që do të paralajmëronte se masat do të bëhen të ditura gjatë kësaj jave.

Zyrtari evropian, Gert Jan Koopman konfirmoi se Komisioni Evropian mund të komunikojë gjatë kësaj jave masat që janë ndërmarrë kundër Kosovës.

“Autoritetet e Kosovës nuk iu janë përgjigjur këtyre kërkesave fatkeqësisht Komisioni Evropian sigurisht që do të ndërmarrë një numër masash që do të komunikohen pak më vonë në këtë javë dhe ato do të përfshijnë pezullimin e punës së në kuptimin e organeve të Stabilizim Asocim dhe do të pezullojmë programin e fondeve për Kosovën, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment, mbështetja e vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimi i kontratave po ashtu, do të pezullohen.” - u shpreh ai.

Tutje, Koopman dha edhe të tjera detaje rreth masave, duke u shprehur si vijon: “Ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalshe po ashtu do të pezullohen. Tani më lejoni të theksoj se nuk i marrim me lehtësi këto veprime dhe këto duhet të shihen si të përkohshme dhe të kthyeshme kur të shohim hapat e vegjët të autoriteteve në Kosovë që të kthehen në dialog dhe për të implementuar zotimet që janë dhënë.”

Lajme të ngjashme