ShBA me reagim të ashpër, Blinken: Albin Kurti t'i ndalojë menjëherë "masat e dhunshme" në veri - NACIONALE

ShBA me reagim të ashpër, Blinken: Albin Kurti t'i ndalojë menjëherë "masat e dhunshme" në veri

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, ka reaguar ashpër në lidhje me zhvillimet në veri, madje, duke u shprehur se “dënojnë fuqishëm” veprimet e Qeverisë së Kosovës.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ai e ka etiketuar kryeministrin Albin Kurti, duke i bërë thirrje t’i ndalojë menjëherë “masat e dhunshme”.

“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE.” – u shpreh ai.

Situata në veri

Tentimi i kryetarëve të rinj të Zveçanit dhe Zubin Potokut për të hyrë në objektet e komunave nuk ka qenë i lehtë.

Me të marrë këtë lajm, serbët lokalë kanë lëshuar alarmet dhe ka filluar grumbullimi i qytetarëve për t`i bllokuar hyrjet e objekteve të komunave. Kjo ka nxitur tensionimin e situatës, e cila ka çuar edhe në intervenimin e Policisë së Kosovës.

Intervenimi i policisë në shpërndarjen e trumave para objekteve komunave në Zveçan dhe Zubin Potok ka bërë që disa zyrtarë të lëndohen.

Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore. Po ashtu janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare, njërës prej tyre ia kanë vënë zjarrin. Dyshohet se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por që ende nuk dihet lokacioni i saktë." - është thënë në komunikatën e policisë.

Reagime të ashpra nga ShBA, “të çuditshme” nga Qeveria e Kosovës

Ndër të parët që reagoi në lidhje me këto zhvillime, ishte ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.

SHBA-ja dënon aksionin e ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës për t’iu qasur objekteve komunale në veri të Kosovës. Dhuna e sotme duhet të ndalohet menjëherë.” – tha ai në një shrkim në Twitter.

Ndërkohë, përpos Hovenier, një reagim mjaft te ashpër e ka bërë edhe senatori amerikan, Chris Murphy.

Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar se kur ishte në Kosovë, kryeministri Kurti nuk i kishte përmendur këtë plan.

Sapo pata telefonatë me Dereck Cholletin për këtë zhvillim shqetësues. Në takimin e të hënës në Prishtinë me kryeministrin Kurti, ai nuk përmendi ndonjë plan për të hyrë në ndërtesat komunale. Si mik i Kosovës, jam zënë totalisht në befasi dhe ai duhet t’i japë fund këtij provokimi menjëherë.” - ka shkruar ai.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është shprehur i bindur në vazhdim, derisa nuk foli fare për moskoordinimin me aleatët e vendit.

Ai ka bërë me dije se kryetarët e komunave pёrgjegjёsitё e tyre mund t`i ushtrojnë vetёm nga ndёrtesat e komunave.

“Kryetarёt e komunave tё Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, qё u betuan dje, e kanё obligim ligjor tё fillojnё punёn menjёherё. Institucionet publike e kanё obligim tё sigurojnё kushtet qё tё njejtёt tё ushtrojnё detyrat dhe pёrgjegjёsitё e tyre. Si kryetarё tё komunave, ata mund tё ushtrojnё pёrgjegjёsitё e tyre vetёm nga ndёrtesat e komunёs. Tё ardhur me votё, mund edhe tё rrёzohen me votё. Tё pёrzgjedhurit e qytetarёve si rregull rrallёherё gёzojnё mbёshtetjen e secilit qytetar. Por kjo nuk nёnkupton qё qytetarёt e pakёnaqur mund tё bllokojnё shkuarjen e tё pёrzgjedhurve nё vendet e tyre tё punёs.” - ka thënë Bislimi.

As ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla nuk e ka komentuar moskoordinimin me ndërkombëtarët, derisa u ka bërë thirrje qytetarëve që mos të bien “pre e manipulimeve”.

Ndërkaq kryeministri Albin Kurti, deri më tani nuk ka folur në lidhje me këto zhvillime, pasi tha që fjalën e tij do ta thotë nga Prishtina.

Lajme të ngjashme