"Heshtja e çuditshme" e Vjosa Osmanit: S’flet për përjashtimin nga “Defender 23”, s’tregon me çka s’pajtohet me Kurtin
Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, është një nga figurat më të rëndësishme në skenën politike kosovare. Për më shumë, është politikanja më e votuar në historinë e Kosovës, pasi në zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021, ajo mori mbi 200 mijë vota. Por Osmani është treguar jashtëzakonisht e butë dhe pa qëndrim të qartë për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Zonja Osmani, pra shefja e shtetit, ka mbetur e heshtur për dy çështje: e para, për përjashtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga “Defender 23” dhe, e dyta, për mospajtimet me Kurtin rreth qasjes në veri.
Komandantja supreme e Kosovës nuk ka folur ende në lidhje me “përzënien” e FSK-së nga ushtrimet e përbashkëta me NATO-n, që u quajt “Defender 23” dhe që u organizua në Kosovë. Edhe në 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës, zonja Osmani nuk foli për këtë çështje, përkundër që gazetarja e Nacionales ia shtroi pyetjen rreth përjashtimit të FSK-së nga “Defender 23”.
Herën e parë, zonja Osmani nuk u deklarua fare, duke ecur nga ngjarja ku po merrte pjesë pas deklarimit të shkurtër për medie. E herën e dytë, ajo tha shkur “Kam një takim”, duke mos dhënë sërish përgjigje.
"Mospajtimet konfidenciale…"
Ditë më parë, zonja Osmani dha një intervistë relativisht të gjatë për agjencinë e njohur amerikane “Reuters”, ku foli për tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe marrëdhëniet e Qeverisë Kurti me ShBA-në.
Ajo u pyet edhe për qasjen e Kurtit rreth veriut dhe nëse ka ndonjë gjë me të cilën nuk pajtohet, por nuk u përgjigjë direkt, duke e tejkaluar thelbin e pyetjes.
“Tani, edhe kryeministri Kurti, edhe unë dhe liderët e tjerë të institucioneve, në fakt, besojmë që Kosova ka qenë shumë bashkëpunuese në shumë fronte, dhe unë dua t’i japë disa shembuj, të cilat qenë të mirëkuptuara. Zgjedhjet nuk u shkaktuan nga ne, zgjedhjet e jashtëzakonshme ndodhën sepse Vuçiqi i detyroi katër kryetarët të dorëhiqen. Kur i detyroi të dorëhiqen, Kushtetuta jonë dhe obligimet tona ligjore kërkonim për të shpallur zgjedhjet” – deklaroi zonja Osmani, duke treguar se Kosova e shtyu procesin e regjistrimit të kandidatëve serbë.
E pas insistimit të moderatorës, Osmani dha një shkëndijë se ka mospajtime me Kurtin,
“Do të ishte e pamundur, siç thash, edhe në mes miqve më të mirë, edhe mes familjeve, të mos ketë nganjëherë qasje të ndryshme mbi çështje.” – tha ajo.
Pas kësaj deklarate, ndërhyri gazetarja, e cila e pyeti se si do t’i qasej problemit në veri, por Osmani theksoi se s’dëshiron të deklarohet për të kaluarën.
“Tani nuk dua të flas për të kaluarën, për të qenë e sinqertë. Dua të flas se si do t'i qasemi për të gjetur një zgjidhje përpara dhe dua të theksoj që zgjidhja drejt veprimeve tona të qëndrueshme, po ashtu varet nga të siguruarit që aleancat me ShBA-në dhe BE-në janë të forta. Unë besoj që të punuarit bashkë me aleatët tanë është fuqi, nuk është dobësi.” – shtoi zonja Osmani.
Ndryshe, në një intervistë për gazetarët kosovarë, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, kishte pasur fjalë të mira për Osmanin. Në fakt, ambasadori amerikan e kishte veçuar Osmanin nga Kurti, duke thënë se presidentja kosovare e ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me ShBA-në.
“Besoj se kjo është diçka që ajo e trajton me seriozitet.” - deklaroi ditë më parë Hovenier.

