“Shtëpia është në flakë”: Ambasadori amerikan jep alarmin për raportet e Amerikës me Kosovën - NACIONALE

“Shtëpia është në flakë”: Ambasadori amerikan jep alarmin për raportet e Amerikës me Kosovën

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Nga një krizë në tjetrën. Nga një tension në tjetrin. Por, kësaj radhe duket se “shtëpia mori zjarr” siç na tha ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, në një bisedë ku pati fjalë brutale për situatën e fundit të krijuar në veri.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, nuk ka pasur pak ditë të lehta në Prishtinë këto dy vjet. E veçanërisht të vështira kanë qenë për të këto ditë. E vështirë me shumë gjasë ishte edhe ta shkruante dënimin më të ashpër ndaj Kosovës të premten. E e vështirë me gjasë ishin edhe fjalët që na i tha sot.

“Jemi shumë të shqetësuar për situatën në veri dhe besojmë që kjo krizë nuk ishte e nevojshme. Veprimet e ndërmarra të premten për të marrë qasje në ndërtimet publike nuk ishin të koordinuara me SHBA-të, dhe kur e morëm vesh fuqishëm thamë jo sepse parashikuam pasojat që po i shohim tash. Besojmë që kishte impakt negativ për imazhin e Kosovës dhe i dëmtoi përpjekjet për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe siç e kemi thënë (Sekretari Blinken) kryeministri po i afekton raportet mes Kosovës dhe ShBA-së.” – tha në hyrje të fjalës së tij, z. Hovenier.

Tashmë pasoja e parë kishte ardhur, dhe ambasadori ishte mjaft i drejtpërdrejtë në përshkrimin e saj.

“Indikacioni i parë i kësaj gjëje ishte vendimi që mori Gjenerali i NATO-s për Europë Juglindore për të anuluar pjesëmarrjen e Koforës në Defender 2023, që ndodhi gjatë natës. Dhe siç e dimë, nuk kishte aktivitete sot dhe s’do të ketë. Për Kosovën ai ushtrim u krye. Po mendojmë edhe për të tjera pasoja, po ashtu.”

Ai u shpreh se ShBA-ja ishte duke menduar se çfarë pasojash do të ndërmerrte kundër Qeverisë së Kosovës në vijim.

“Në këtë moment i kemi kërkuar kryeministrit Kurti në mënyrë që të bëjë deeskalimin e situatës, por ai nuk është përgjigjur në këto kërkesa. Kësisoji, po shqyrtojmë se cilat do të jenë masat tjera. Por, më duhet të them se në këto momente nuk do të gjeni entuziazëm te ShBA-të që të përgjigjen për interesa të Kosovës, siç është angazhimi për shtetet mos-njohëse, apo puna për të avancuar integrimin evropian të Kosovës.”

“Më vjen keq por më duhet të jem i sinqertë, kjo është situata.” - u shpreh z. Hovenier.

Ai u pyet se sa kohë kishte Kurti për t’u përgjigjur.

“Mendojmë se kjo është çështje shumë urgjente. Krahasimi që kam marrë është ai me një shtëpi që po digjet. Prandaj, mendoj që duhet të hiqet së pari zjarri. Ne presim që Qeveria të ndërmarrë veprime tash... Besojmë që Qeveria nuk duhet të insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat e komunave. Qeveria duhet të gjejë vende alternative pune për ta. Nuk e dimë pse nuk po i përdor të njëjtat vende alternative ku janë betuar.” – vazhdoi tutje ai.

“Ata nuk kanë mandat të fortë politik. Kanë vetëm përgjegjësi administrative. Nuk e kuptojmë pse ka ngulmim që të punojnë prej ndërtesave komunale.” – përsëriti qëndrimin ai.

Por, çka deeskalon situatën sipas tij konkretisht?

“I kemi kërkuar Qeverisë që të tërheq njësitë policore nga tri ndërtesat komunale (në veri). Besojmë se kjo bën deeskalimin.” - u përgjigj ai.

I pyetur nëse do të kishte pasoja edhe sa i përket vizitave që mund t'i bënin zyrtarët e Qeverisë Kurti në ShBA, ai tha se "do të ishte i çuditur nëse do të kishin ndonjë takim me zyrtarët amerikanë".

Së shpejti, Nacionale do të publikojë një video nga Berat Buzhala që ishte prezent në këtë takim me deklarata tjera shqetësuese nga ambasadori amerikan.

Lajme të ngjashme