Anulimi i aktiviteteve të “Defender Europe '23” është "ndër pasojat e para për Kosovën" për shkak të veriut - NACIONALE

Anulimi i aktiviteteve të “Defender Europe '23” është "ndër pasojat e para për Kosovën" për shkak të veriut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Eskalimi i situatës në veri të vendit, konkretisht, në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ka nxitur reagime të shumta të ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Qeverisë së Kosoëvs. Kundërshtimi i kryetarëve të rinj shqiptar nga serbët lokalë në komunat në veri, ka çuar në tensionim të situatës në veri të vendit.

Si pasojë e kësja situate, është konfirmuar se janë anuluar edhe aktivitetet nga ushtrimi më i madh ushtarak “Defender Europe 2023”, ku Kosova është nikoqire e këtij ushtrimi.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka bërë të ditur se për shkak të situatës në veri të vendit, janë anuluar aktivitetet e parapara për ditën e sotme në kuadër të ushtrimit “Defender Europe 23”.

Në njoftimin e Ministrisë së Mbrotjes thuhet se vetëm sot do të anulohen aktivitetet.

Ju njoftojmë se për shkak të situatës në veri të vendit, aktiviteti i paraparë për sot (DV DAY), në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe ’23”, anulohet.” – thuhet në njoftim.

Nuk dihet nëse aktivitetet e këtij ushtrimi ushatarak do të vazhdojnë nëser, por ajo që dihet është se anulimi i sotëm tregon që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë filluar masat ndaj Qeverisë së Kosovës.

Ish-kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, ka thënë se anulimi i aktiviteteve të sotme në kuadër të ushtrimit “Defender Europe ‘23” janë pasojat e para për Kosovën për shkak të situatës në veri të vendit.

Ajo beson që do që anulimi do të bëhet edhe ditëve në vazhdim.

Haradinaj-Stublla përmes Facebook, ka thënë se moszhvillimi i këtij ushtrimi e minimizon mundësinë e avancimit të Kosovës në Kartën e Adriatikut dhe Partneritetit për Paqe.

Anulimi i aktivitetit më të rëndësishëm për FSK-në “Defender Europe 2023” (për ditën e sotme e mesiguri edhe në ditët në vijim), në bashkëpunim me ushtrinë amerikane - është ndër pasojat e para për Kosovën nga situata e krijuar në veri të vendit. Kjo automatikisht minimizon mundësinë e avancimit të rrugës integruese të Republikës së Kosovës në Kartën e Adriatikut, Partneritetit për Paqe, dhe eventualisht të drejtën për Membership Action Plan (MAP) për NATO.” – ka shkruar ajo.

Ajo ka kërkuar koordinim me aleatët ose në të kundërtën do të ketë pasoja edhe më tej.

Nëse vazhdojmë të mos i koordinojmë hapat me aleatët tradicionalë - SHBA, BE, dhe QUINT në përgjithësi - pavarësisht se jemi plotësisht në të drejtën tonë të plotë shtetërore përballë agresionit të paprovokuar serb - pasojat për Kosovën do të thellohen edhe më tej.” – përfundon shkrimi i saj.

Çka është “Defender Europe 2023”?

Defender Europe 2023 është një stërvitje ushtarake e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe vendeve aleate.

Kësaj radhë Kosova është nikoqire e këtij ushtrimi.

Në këtë ushtrim, Kosova merr pjesë me 1 mijë e 400 trupa të FSK-së, si dhe është nikoqir në mesin e 25 shteteve pjesëmarrëse.

Në ditën e hapjes së ceremonisë së ushtrimit, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, kishte thënë se “Kosova po shndërrohet edhe në një eksportuese të sigurisë në rajon dhe botë.”

Kujtojmë se anulimi i këtij aktiviteti erdhi pas situatës së krijuar në veri të vendit.

Si shkak i protestave të dhunshme nga serbët lokalë, mbetën të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it.

Protestat po vazhdojnë të mbahen edhe sot.

Lajme të ngjashme