“Dhuratë për Vuçiqin”: Në favor të kujt po shkojnë tensionet në veri?
Tensionet e fundit në veri kanë nxitur reagime të shumta ndërkombëtare. Në kohen kur Kosova dhe Serbia janë në procesin e bisedimeve për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, këto tensione po shihen si pengesë për procesin e Brukselit.
Duke dënuar këto ngjarje, diplomatë e politikanë vendorë dhe ndërkombëtarë kanë dhënë vlerësimet e tyre se në favor të kujt shkojnë këto trazira.
Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Michael Kirby, ka thënë se këto ngjarje më së shumti e ndihmojnë presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai ka thënë se në kohën kur presidenti serb po përballet me preson të brendshëm këto tensionet e ndihmojnë atë.
“Zoti Vuçiq nuk është i pakënaqur kur sheh veprimet e zotit Kurti. Kundërshtimi i qeverisë në Prishtinë gjithmonë nxit përkrahjen e mbështetësve të zotit Vuçiç brenda Serbisë. Zoti Vuçiç ka nevojë për ndihmë pikërisht tani. Pas vrasjeve masive të njëpasnjëshme në Serbi, zoti Vuçiç është nën presion të madh të brendshëm pasi me dhjetëra mijëra serbë në mbarë vendin kanë dalë në rrugë duke kërkuar veprim kundër bandave dhe banditëve që kanë pllakosur Serbinë për vite me radhë”, ka thënë ai.
Sipas tij, këto veprime po ia ofrojnë një mundësi të artë.
“Shumë prej këtyre banditëve, përveç aktivitetit të tyre kriminal, i kanë dhënë zotit Vuçiç përkrahje për të frikësuar armiqtë. Demonstruesit kanë kërkuar gjithashtu t'i jepet fund mbulimit me lavdi të kriminelëve në televizionin privat serb, “TV Pink” dhe media të tjera të kontrolluara nga Vuçiç. Prandaj, veprimet e zotit Kurti i kanë ofruar zotit Vuçiç një mundësi të artë për t'i larguar njerëzit nga hallet e tij të brendshme duke u mbështetur tek serbët në Kosovë dhe shqiptarëve të pabesë në veri të Kosovës dhe në Prishtinë”, ka vlerësuar diplomati amerikan.
Të njëjtin mendim ka edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.
Ajo ka thënë se kjo që po ndodh në tri komunat veriore Kosovës është dhurata më e mirë për presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Në një intervistë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ajo ka thënë me veprimet në veri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e ndihmon presidentin serb.
“Siç e thashë më parë, krejt çka po ndodh në veri është një dhuratë për Vuçiqin. Si mund t’i bëni gjërat kështu kur Vuçiqi kishte organizuar tubimin në Beograd. Kjo ishte dhurata më e mirë për të. Dhe nuk dua ta konsolidoj pushtetin e Vuçiqit. Nuk dua ta fuqizoj pushtetin e tij dhe autoritetin e tij”, është shprehur Von Cramon.
Kurse, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë me dije se sa më shumë zgjatin këto tensione aq më shumë dëmtohet Kosova.
“Lëndimi i ushtarëve të KFOR-it ngarkon me përgjegjësi të drejtëpërdrejtë dhunuesit e tyre të verbër dhe fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e aleatëve e miqve të saj të pazëvendësueshëm! Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova”, ka shkruar Rama në llogarinë e tij në “Twitter”.
Sipas tij, nga situata aktuale dilet vetëm përmes dialogut.
“Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm”, ka shkruar ai.
Ndërkombëtaret kërkojnë shtensionimin e situatës
Tensionet që kanë filluar të premten në veri kanë eskaluar të hënën në Zveçan, ku turma e huliganëve serbë kanë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it me mjete të ndryshme.
KFOR-i përmes një komunikate për media ka njoftuar se rreth 25 ushtarë janë plagosur nga kontingjenti shumëkombësh gjatë ndalimit të demonstruesve protestues që ndodhi në komunën e Zveçanit.
“Duke iu kundërvënë pjesëve më aktive të turmës, disa ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it ishin objekt i sulmeve të paprovokuara dhe plagëve të marra trauma me thyerje dhe djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse. Të trajtuar me kohë nga njësitë mjekësore të KFOR-it, aktualisht janë nën vëzhgim nga personeli mjekësor i cili po vlerëson gjendjen e tyre.”, është thënë në komunikatë.
Përveç diplomatëve dhe liderëve evropianë, sulmet e djeshme i ka dënuar edhe NATO.
Kjo organizatë ka kërkuar prej palëve që dhurata të ndalet menjëherë.
“NATO dënon fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat kanë çuar në plagosjen e një numri prej tyre. Sulme të tilla janë krejtësisht të papranueshme. Dhuna duhet të ndalet menjëherë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që nxisin më tej tensionet dhe të angazhohen në dialog. KFOR-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.”, ka deklaruar zëdhënësja e NATO-së, Oana Lungescu.
Tensionet në veri kanë filluar të premten, pasi kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit te asistuar nga policia e Kosovës kanë hyr në zyrat e komunave. Kjo është kundërshtuar nga serbët lokalë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.

