Dhuna ndaj KFOR-it i trazon ndërkombëtarët: Qysh reagoi QUINT-i pasi u plagosën 25 ushtarë në veri? - NACIONALE

Dhuna ndaj KFOR-it i trazon ndërkombëtarët: Qysh reagoi QUINT-i pasi u plagosën 25 ushtarë në veri?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Situata në veri, posaçërisht në Zveçan, gjatë ditës ka eskaluar shumë, teksa turme serbe e huliganëve ka sulmuar pjesëtarët e KFOR-it, të cilët po qëndronin përballë tyre. Si pasojë e dhunës së serbëve, 25 ushtarë të KFOR-it mbetën të plagosur, gjë e cila u dënua gjerësisht nga ndërkombëtarët. Çka thanë shtetet e NATO-s?

I pari që reagoi në lidhje me dhunën serbe ishte Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonia Tajani, i cili tregoi se janë 11 ushtarë italianë që kanë mbetur të lënduar. Ai shkroi se solidarizohet me të lënduarit.

"Dua të shpreh solidaritetin tim me ushtarët e misionit të KFOR-it të cilët u lënduan në Kosovë gjatë përleshjeve ndërmjet protestuesve serbë dhe policisë kosovare. Mes tyre 11 italianë, 3 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Ushtria italiane vazhdon të angazhohet për paqen." - shkroi Tajani në Twittter.

E pas tij, reagoi edhe shefja e Tajanit, Giorgia Meloni, kryeministre e Italisë, duke shkruar se këto sulme janë absolutisht të papranueshme e të papërgjegshme.

“Kjo që po ndodh është absolutisht e papranueshme dhe e papërgjegjshme. Ne nuk do të tolerojmë sulme të mëtejshme ndaj KFOR-it. Angazhimi i qeverisë italiane për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është maksimal dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë. Konfirmoj afërsinë time me ushtrinë italiane dhe mirënjohjen e fortë të qeverisë për profesionalizmin e jashtëzakonshëm dhe shpirtin e lavdërueshëm të shërbimit që ata tregojnë në të gjitha rrethanat.” – theksoi zonja Meloni.

Sigurisht, me një reagim doli edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, e cila e dënoi sulmin e dhunshëm dhe të papranueshme në veri të Kosovës ndaj KFOR-it.

“Dënojmë fuqishëm sulmet e dhunshme të papranueshme në veri të Kosovës pasditen e sotme, duke shkaktuar plagosjen e dhjetëra ushtarëve të KFOR/NATO-s dhe disa civilëve. Mendimet tona janë me të lënduarit, të cilëve u urojmë shërim të shpejtë.”- thuhet në komunikatën e MPJ-së së Gjermanisë.

E gjatë mbrëmjes ka reaguar edhe NATO. Në një reagim të shkurtër, por shumë të qartë, NATO-ja ka theksuar se i dënon fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it.

“NATO dënon fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat kanë çuar në plagosjen e një numri prej tyre. Sulme të tilla janë krejtësisht të papranueshme. Dhuna duhet të ndalet menjëherë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që nxisin më tej tensionet dhe të angazhohen në dialog. KFOR-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.” – deklaroi zëdhënësja e NATO-së, Oana Lungescu.

Për krejt këto ngjarje në veri, foli edhe ambasadori i ShBA-së, Jeff Hovenieri, i cili u shpreh i shqetësuar për dhunën në veri ndaj KFOR-it.

“Ne jemi të shqetësuar rreth raportimeve për dhunë ndaj pronave zyrtare, ne kemi grafite mbi automjete të KFOR’it, Policisë, kemi dëgjuar edhe rreth sulmeve ndaj gazetarëve; edhe kolegu im nga BE shkroi një cicërimë për këtë. Ne dënojmë këtë. Ky nuk është reagim i përshtatshëm, në shoqëritë demokratike duhet protesta paqësore, të protestohet paqësisht, dhe që të zvhillohet paqësisht. Dhuna dhe kërcënimi i njerëzve nuk është i pranueshëm.” – theksoi ai.

Ndryshe, dhunën ndaj KFOR-it e kanë dënuar edhe institucionët e Kosovës, përfshirë Qeverinë, Kuvendin e Presidencën e Kosovës. Në lidhje me këto sulme ndaj KFOR-it ka folur edhe Shqipëria, përmes Edi Ramës, kryeministër, i cili e dënoi dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Lajme të ngjashme