25 ushtarë të plagosur: Çka dihet deri tash për sulmin ndaj KFOR-it në veri?
Situata në veri, posaçërisht në Zveçan, para disa orëve ka eskaluar, teksa turme serbe ka sulmuar pjesëtarët e KFOR-it, të cilët po qëndronin përballë tyre. Nga e gjithë kjo situatë, kanë mbetur shumë të lënduar, ndërsa ka pasur edhe shumë reagime nga aktorë të ndryshëm. Çka dihet deri tash?
Tashmë ka edhe komunikatë zyrtare nga KFORI, që tregon se sa persona janë lënduar. Gjithsej 25 ushtarë kanë mbetur të lënduar, sipas KFOR-it.
“Rreth 25 të plagosur nga kontingjenti shumëkombësh gjatë ndalimit të demonstruesve protestues që ndodhi në komunën e Zveçanit.” – thuhet në komunikatën e KFOR-it.
Tutje, KFOR-i njofton se pjesëtarët e saj të lënduar janë duke marrë përkujdesje mjekësore.
“Duke iu kundërvënë pjesëve më aktive të turmës, disa ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it ishin objekt i sulmeve të paprovokuara dhe plagëve të marra trauma me thyerje dhe djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse.
Të trajtuar me kohë nga njësitë mjekësore të KFOR-it, aktualisht janë nën vëzhgim nga personeli mjekësor i cili po vlerëson gjendjen e tyre.” – vazhdohet tutje në komunikatë.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë të gjatë në lidhje me situatën në veri këtë të hëne të 29 majit. Në komunikatën e saj, Policia thekson se situata në veri ka qenë e tensionuar, teksa thotë se protestuesit serbë kane provokuar e sharë vazhdimisht. Tutje, thuhet se në drejtim të Policisë e KFOR-it janë hedhur mjete eksplozive.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi ka qenë e koordinuar me KFOR-in për të menaxhuar situatën. KFOR-i janë detyruar të veprojnë pasi nga dhuna e protestuesve është vënë në rrezik jeta e zyrtarëve, janë vënë në rrezik dëmtimi i automjeteve dhe prona publike.
Protestuesit në Zveqan nuk kanë zbatuar urdhrat zyrtar për largim, por kanë rezistuar dhe kanë filluar të hedhin mjete të ndryshme, koktej molotovi, shok bombë, mjete eksplozive si dhe janë dëgjuar gjuajtje me armë zjarri.” – shkruhet në komunikatë.
Në lidhje me sulmin ndaj KFOR-it, ka reaguar edhe Antonio Tajani, ministër i Punëve të Jashtme të Italisë, i cili ka treguar se gjithsej 11 pjesëtarë italianë të KFOR-it janë lënduar, ndërsa tre janë në gjendje më të rëndë.
Tajani shkroi se u shpreh solidaritetin e tij me ushtarët e KFOR-it.
"Dua të shpreh solidaritetin tim me ushtarët e misionit të KFOR-it të cilët u lënduan në Kosovë gjatë përleshjeve ndërmjet protestuesve serbë dhe policisë kosovare. Mes tyre 11 italianë, 3 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Ushtria italiane vazhdon të angazhohet për paqen." - shkroi Tajani në Twittter.
Sulmin ndaj KFOR-it e ka dënuar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohd.
"Çdo veprim i dhunshëm kundër NATO_KFOR-it dhe gazetarëve është absolutisht i papranueshëm dhe duhet të ndalet tani – nevoja e menjëhershme për deeskalim. Faleminderit të gjitha forcave të KFOR-it në terren. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë." - shkroi ai në Twitter.
Edhe PDK-ja e ka dënuar sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan, duke e dënuar dhunën dhe sulmet ndaj gazetarëve, Policisë së Kosovës dhe pjestarëvve të KFOR-it, gjatë tensionevë në protestat e sotme në Zveçan.
"Rikthimi i normalitetit është parakusht i fillimit të një qeverisjeje komunale të mirëfilltë, gjithëpërfshirëse dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunave në pjesën veriore të vendit. Në këtë mision, PDK vlerëson se duhet të jenë të angazhuar të gjithë, pa përjashtim, hisedarë relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë." - thuhet në komunikatën e PDK-së.


