Reagon ministri italian pas përleshjeve në Zveçan: 11 italianë u lënduan, 3 janë në gjendje të rëndë - NACIONALE

Reagon ministri italian pas përleshjeve në Zveçan: 11 italianë u lënduan, 3 janë në gjendje të rëndë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një postim të fundit në Twitter, Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, shprehu solidaritetin e tij me ushtarët e misionit të KFOR-it (Forca e Kosovës), të cilët u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë, ku në mesin e tyre ishin 11 ushtarë italianë. Ministri Tajani vlerësoi angazhimin e palëkundur të forave italiane për ruajtjen e paqes në rajon.

"Dua të shpreh solidaritetin tim me ushtarët e misionit të KFOR-it të cilët u lënduan në Kosovë gjatë përleshjeve ndërmjet protestuesve serbë dhe policisë kosovare. Mes tyre 11 italianë, 3 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Ushtria italiane vazhdon të angazhohet për paqen", - ka thënë Tajani në Twittter.


Radio Evropa e Lirë ka publikuar pamjet e ushtarëve të lënduar të KFOR-it në veri të Kosovës, pas përplasjes me serbët, të cilët eskaluan pak orë më parë.

Në fotografi shihen disa ushtarë të lënduar, të cilët i përkasin KFOR-it italian. Gjatë orëve të fundit, është raportuar se ka shumë ushtarë të lënduar të KFOR-it, të cilët u përballën me serbët në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok. Aty shihen edhe KFOR-i amerikan.

"Në pasditen e së hënës, disa pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë lënduar në kuadër të intervenimit kundër protestuesve serbë në Zveçan. Kameramani i Radios Evropa e Lirë, i ka parë disa prej tyre. Gjatë operacionit janë dëgjuar shpërthime me gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërsa në drejtim të ushtarëve janë hedhur gurë, shishe dhe kokteje molotovi." - ka shkruar REL.

Pamje: REL

Lajme të ngjashme