“Drejt përplasjes katastrofale me SHBA-të”: Rriten shqetësimet për prishjen e raporteve me Amerikën
Tensionet e fundit në veri të vendit kanë tensionuar edhe raportet e Kosovës me partnerin kryesor, SHBA-të. Mosdëgjimi i kërkesave amerikane nga ana e institucioneve të Kosovës për shtensionimin e situatës në veri, mund të këtë pasoja për Kosovën. Një gjë e tillë është paralajmëruar edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Moskoordinimi i Qeverisë së Kosovës me aleatët për veprime me veri është parë më shumë shqetësim nga opozita dhe shoqëria civile.
Ata kanë bërë me dije se me këtë qasej kryeministri Albin Kurti po e çon Kosovën drejt një përplasje me Amerikën.
Sipas tyre, prishja e raporteve me SHBA-të do të ishte katastrofale për Kosovën.
Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka bërë me dije se kryeneçësia e Qeverisë mund të sjell pasoja të pariparueshme për Kosovën.
“Si po duket nuk jemi duke e kuptuar një gjë, dhe atë që nga konflikti me Serbinë jemi duke shkuar drejt përplasjes katastrofale me SHBA-të. Ditë të ngrysura janë para neve, dhe atë me pasoja te paparashikuara! Kurrë në jetë nuk kam menduar që do të vijmë në këtë ditë!”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
I shqetësuar me lëndimin e raporteve është shprehur edhe politologu Agon Maliqi.
Sipas tij, ajo çka po bën pushteti është populiste.
“Kritika më e mirë publike në Kosovë sot ndaj pushtetit është heshtja. Duhet me e lanë injorancën dhe mediokritetin e pushtetit popullist dhe reaksionar me vepru pa pengesa dhe me e çu trushpërlarjën dhe çmendurinë kolektive deri në fund. Hipnoza kolektive dhe hegjemonia e pushtetit është e padepërtueshme prej arsyes. Kisha rekomandu që kushdo që po e vëren se çfarë budallakie kolektive na ka kaplu, me e kuptu këtë gjendje të dehjes si një virus që duhet me u kalu. Dhe me vendos u marrë me projekte personale, sport, aktivitete në komunitet, etj - si formë e vetme e ruajtjes së shëndetit mendor prej hegjemonisë populliste dhe naivitetit të komandant tastaturave”, ka shkruar Maliqi në profilin e tij në “Facebook”.
Letër të hapur kryeministrit
Një ditë më parë, Lulzim Peci, Agon Maliqi, Enver Hasani, Leonora Kryeziu, Qëndrim Gashi, Ramadan Ilazi dhe Visar Ymeri kanë ftuar kryeministrin Albin Kurti të ketë kujdes me raportet me SHBA-të.
Përmes një letre të hupur, këta intelektual kanë vlerësuar se burimi kryesor i destabilitetit në Ballkanin Perëndimor, qëndron në politikën hegjemoniste dhe ambiciet territoriale të Beogradit.
Megjithatë, ata kanë bërë se kjo nuk e absolvon Qeverinë Kurti nga përgjegjësia, që nuk po koordinohet me aleatët.
“Kjo, megjithatë, në asnjë mënyrë nuk e absolvon Qeverinë Kurti nga përgjegjësia, e cila po e shmang koordinimin e ngushtë me SHBA-të, NATO-n dhe BE-në, përkundër faktit që KFOR-i ka përgjegjësinë kryesore për sigurinë në këtë pjesë të vendit. Për më tepër, kurthimi i trupave të KFOR-it në këtë dhunë të orkestruar nga Beogradi, dhe mospasja e një objektivi të qartë politik nga Qeveria e Kosovës për mundësimin e punës normale të kryetarëve legalisht të zgjedhur të komunave në veri në rrethana të mungesës së legjitimitetit, paraqet një rrezik për eskalim afatgjatë të situatës dhe rrezikim të jetëve të njerëzve në këtë pjesë të vendit, me pasoja që vështirë mund të parashikohen”, është thënë në letrën.
Ata i kanë bërë thirrje qeverisë që urgjentisht ta vendosin bashkëpunimin me aleatët.
“Qasja përfshirëse që i ka parasysh interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës si dhe partneriteti i palëkundur me SHBA-në dhe BE-në janë fundament për paqen, stabilitetin dhe progresin e vendit tonë, dhe për këtë nuk ka alternativë. Nga sa më sipër, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rivendos me urgjencë bashkëpunimin e ngushtë me partnerët tanë perëndimor, me të cilët i ndajmë si vlerat ashtu edhe të ardhmen tonë”, është thënë në letër.
SHBA-ja përmend pasojat
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë me të ashprat në dënimin e veprimeve të policisë për t`i dërguar kryetarët e rinj të premten në zyrat komunale.
Këto veprime i ka dënuar edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar se veprimet e policisë kanë qe masa të dhunshme.
“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit, Albin Kurtit, të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, ka shkruar Blinken.
Kurse, në reagimin e Departamentit të Shtetit janë përmendur edhe pasojat në raportet në mes të dy shteteve.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës. Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, është thënë në njoftimin e DASH-it.
Tensionet në veri kanë filluar të premten, pasi kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit te asistuar nga policia e Kosovës kanë hyr në zyrat e komunave. Kjo është kundërshtuar nga serbët lokalë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.
Këto tensione kanë eskaluar të hënën pasdite në Zveçan, ku turma e huliganëve serbë kanë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it me mjete të ndryshme. Nga këto sulme janë plagosur rreth 30 ushtarë të këtij misioni.