‘Rezervoni datën’: Qeveria thërret takim me kryetarët e komunave, një javë pasi Kurti tha se i kanë shpallur luftë - NACIONALE

‘Rezervoni datën’: Qeveria thërret takim me kryetarët e komunave, një javë pasi Kurti tha se i kanë shpallur luftë

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Të shtunën e 24 shtatorit, kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me disa ministra, do të mbajnë takim me kryetarët e komunave. Nacionale mëson se këtyre të fundit, u është kërkuar që ta rezervojnë këtë datë për shkak të rëndësisë së takimit, ani pse nuk u është bërë e ditur saktë se për çfarë do të diskutojnë.

Para pak ditësh, kryetarëve të komunave u ka shkuar një email nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ku iu është bërë e ditur se do të takohen me kryeministrin Albin Kurti.

Në emailin që ka siguruar Nacionale, shihet se nga MAPL-ja është bërë e ditur që në takim do të marrin pjesë edhe disa ministra, anise nuk është theksuar se për cilët bëhet fjalë.

“Ju njoftoj se më datë 24 shtator 2022 është planifikuar takimi i përbashkët ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Kryetarëve të Komunave, të organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Prezent në këtë takim janë të ftuar edhe ministrat përgjegjës që prekin temat e rëndësishme dhe sfidat e nivelit lokal”, thuhet në këtë email.

Tutje, është bërë e ditur se komunat do të njoftohen më vonë për detajet tjera.

Çka thotë ministria?

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ia konfirmoi Nacionales takimin që do të mbahet javën e ardhshme.

Nga ky institucion, i thanë Nacionales se takimi është ftuar pikërisht nga ata dhe se do të marrin pjesë edhe disa ministra “të linjës”.

“Gjatë këtij takimi do të diskutohen tema në fushën e nivelit lokal, duke përfshirë buxhetin komunal, projektet komunale, energjinë dhe agjendën e gjelbër, etj”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.

Veç tjerash, nuk dihet as lokacioni se ku do të mbahet ky takim.

Për herë të fundit, kryeministri dhe kryetarët e komunave u panë në qershor të këtij viti në një takim të organizuar nga zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ku folën për të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe investimet.

Takimi organizohet në kohë greve

Ky takim është thirrur pikërisht në kohën kur në Kosovë, po mbahen greva. Qeveria dhe sindikalistët nuk kanë arritur që të gjejnë kompromis që nga 25 gushti, kur edhe nisi mbajtja e grevës.

Sindikalistët po kërkojnë 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për Paga, por Qeveria refuzoi që të negociojë këtë kërkesë, duke prezantuar kështu një pako ekonomike prej 150 milionë euro.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë në vazhdimësi presion te komunat që të dorëzojnë listat e grevistëve, duke kërcënuar se ata që nuk dalin në punë, do t’u ndalet pagesa.

Komunat janë përballur me fjalë të rënda edhe nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili pretendoi këto se “i kanë shpallur luftë”.

Është papërgjegjësi totale, për ta bojkotuar shtetin për ta shkatërruar shtetin. Ju bëj thirrje mësuesve të japin mësim. Ju bëj thirrje edhe komunave të Kosovës, ta lënë me një anë bojkotin ndaj Qeverisë e Ministrisë së Financave. Kjo që po bëjnë komunat është me i shpallë luftë shtetit. E përkundër kësaj ne jemi racional. Në njërën anë e kemi situatën kur instrumentalizohen sindikatat, e në anën tjetër kemi sjellje anti-shtetërore nga komunat. Shteti nuk ndërtohen me shantazhe.”, përfundoi Kurti.

Ndërkaq sot, u raportua se komunat kanë dorëzuar listat e përditësuara për muajin shtator.

Ministri Murati mori reagime të ashpra nga opinioni publik, lidhur me ndaljen e pagesës. Madje, shumë punëtorëve të sektorit publik nuk iu doli fare paga e muajit gusht, pikërisht për shkak se respektuan grevën.

Këtu vlen të përmendet edhe aksioni i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, të cilët hodhën miell në drejtim të ministrit Murati, me ç’rast edhe Policia e Kosovës kishte dalë në vendin e ngjarjes.

“Nuk mund të normalizohet lufta e pa precedentë që Hekuran Murati u ka shpallur punëtorëve. Prandaj, aksion, ndërhyrje, rezistencë”, kishte thënë kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj në lidhje me këtë aksion.

SBASHK-u në anën tjetër, janë të sigurtë në qëndrimin se greva nuk ndalet dhe se do të vazhdojë deri në plotësimin e kërksave të tyre.

Vetë kryesindikalisti Rrahman Jasharaj, të martën bëri të ditur se ka tendenca për përçarje në këtë kohë, por se greva është “unike”.

Lajme të ngjashme