“Pakoja ndihmëse si në Gjermani” - krahasimi banal që Murati zgjodhi t’ua “shesë” kosovarëve - NACIONALE

“Pakoja ndihmëse si në Gjermani” - krahasimi banal që Murati zgjodhi t’ua “shesë” kosovarëve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës, respektivisht kreu i saj, Albin Kurti, bashkë me ministrin e financave, Hekuran Murati dje publikuan masat e reja të qeverisë për luftën ndaj inflacionit.

Kjo masë ishte në kuadër të vazhdimësisë së Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

E njëjta kap shifrën prej 150 milionë euro.

Çudia

Megjithatë, një krahasim i çuditshëm erdhi sot pikërisht nga udhëheqësi i dikasterit mbase më të rëndësishëm aktualisht në vend. Murati, duke shfrytëzuar rrjetin social “Facebook”, krahasoi pakon ndihmëse të Kosovës me atë të Gjermanisë.

Madje, ai mori edhe mundin që t’i tregojë ngjashmëritë dhe jo vetëm. Duke shikuar në përqindje, pakoja e qeverisë kosovare është më e lartë për 0.2% të GDP-së respektive.

“Bashkë me Kryeministrin Kurti dje prezantuam pakon e re të masave për përballje me inflacionin, në kuadër të vazhdimësisë së Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Pakoja kap vlerën prej 150 milionë euro, që përkthehet në rreth 2% të GDP, pa llogaritur pakon e muajit prill, apo masat paraprake.

Qeveria Gjermane sot ka prezantuar një pako masash të ngjashme në vlerë prej 65 miliardë euro, që përkthehet në rreth 1.8% të GDP”, shkroi ndër të tjerash Murati.

Reagimet...

Të shumtë qenë reagimet ndaj kësaj deklarate. Ish-këshilltari i kryeministrit Kurti, Durim Berisha në mllefosje e sipër e apostrofoi Muratin edhe si “papak”.

“Wow wow wow... koka çu papaki t’u e krahasu Gjermaninë me Kosovën. I paska bë dëm mielli i PSD-së.A je more normal?”, tha Berisha.

Veç tij, edhe Petrit Zogaj ishte goxha kritik ndaj Muratit.

Zogaj kujtoi fillimisht deklaratën e Kurtit që thoshte se synojnë të zhvillohen sikur Kroacia.

“Vjet thanë që Kosova po bëhet sikur Kroacia. Sivjet po thojnë që po bëhemi sikur Gjermania. Ndërkohe, ministrat që heqin kapela për njëri-tjetrin kanë lënë mijëra punëtorë pa rroga të gushtit dhe gjithë Kosovën pa rrymë. Njëjtë sikur në Gjermani, rrymë s’ka e edhe punëtorët pa rroga të gushtit”, shkroi Zogaj.

Profesori i Ekonomisë ndërkaq, Muhamet Sadiku tha për Nacionalen se kjo pako është përpjekje e qeverisë të bëjë diçka në lidhje me inflacionin.

Por e njëjta nuk ndikon asgjë në ekonomi.

Kjo është një përpjekje e Qeverisë së Kosovës për t’u përballur me inflacionin. Kjo përpjekje mund të konsiderohet si infuzion i disa nga kategorive që janë tejet të rrezikuara. Si pako është pozitive veç që ka me u dhanë për një kohë më të gjatë kjo shumë e paraparë, për sektorin publik. Por, kjo shumë është e pamjaftueshme për të ndikuar ndonjë gjë në inflacion”, tha Sadiku për gazetën.

Masat

Kryeministri Kurti në konferencën e djeshme për media konfirmoi se përfitues nga kjo pako luftuese e inflacionit do të jenë qytetarët.

Gjithashtu, do të veçohen pensionistët, ata me asistencë sociale, zyrtarët publikë, punëtorët e ndërmarrjeve publike dhe sektori privat.

“Për pensionistët do të ndajmë shumë e njëhershme prej 100 euro. Familjet me asistencë sociale do t’i mbështesim duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj. Për zyrtarët publikë do të ndajmë shtesën prej 50 eurove duke filluar nga shtatori.Do të mbështesim secilin biznes që i rrit pagat e punëtorëve. Subvencionojmë 50 % të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë.Do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 eurove në nëntor edhe për studentët”, deklaronte kryeministri.

Kritikat ndaj këtyre masave ishin në numër të madh.

Sipas opinionistëve e njohësve të fushës së ekonomisë, këto më tepër ngjajnë me siç i kanë quajtur ata “vitra” sesa me pako prej vërteti.

Lajme të ngjashme