Reduktimet me rrymë, ekspertët e energjisë pesimistë: Është vonë të përmirësohet kriza - NACIONALE

Reduktimet me rrymë, ekspertët e energjisë pesimistë: Është vonë të përmirësohet kriza

1 vit më parë

nga Trina Zuka

Telashet me energjinë elektrike, më saktësisht me reduktimet, i kanë dhënë zjarrë debatit mbi atë se ku ka ‘çaluar’ qeveria e Kosovës, në menaxhimin e kësaj situate. Ekspertët e energjisë janë pesimistë se gjendja e krizës energjetike mund të përmirësohet.

Nga kjo e hënë, ka nisur zbatimi i reduktimeve 6 me rrymë e dy pa rrymë, pasi që siç njoftoi KEDS, ka mungesë të energjisë elektrike.

Por, në një përgjigje për Nacionale, KOSTT tha se ka siguruar energjinë e mjaftueshme, duke treguar se nuk ka reduktime sot më tutje.

Mungesa e përgatitjes

Ish-drejtoresha e Korporatës Energjetike KEK, Pranvera Dobruna, tha për gazetën se përgatitjet është dashtë të bëhen që nga shkurti apo marsi, ku edhe janë aprovuar tarifat e është ditur se çfarë e pret vendin me energjinë.

Ajo thotë se duhet të trajtohet çështja e tarifave, në mënyrë profesionale pa ndikim.

“Mospërgatitje për sezonë të dimrit është kjo, përgatitjet është dashtë me u ba prej shkurtit apo marsit kur janë aporvu tarifat, e kemi ditë çka na pret, kurrfarë programi s’është implementu. Nuk kam pa që është bë diçka për me zvogëlu konsumin. Menaxhimi i situatës nuk është në nivel, sepse kur është konsumi i vogël tash në gusht, me fillu reduktime, çka bëhet në dimër kur shumëfishohet konsumi. Sektori duhet me u menaxhu ma mirë, duhet me u trajtu çështja e tarifave në mënyrë profesionale pa ndikim”, tha Dobruna.

Konsumi i energjisë sipas Dobrunës dyfishohet gjithmonë në sezonën e ngrohjes, por as edhe për këtë nuk është gjetur alterantivë.

“Te na është shumë e kjartë se konsumi dyfishohet për shkak të sezonës së ngrohjes. Është ditë që për ngrohje me gjetë mënyra alternative është dashtë me punu, tashmë është vonë, sepse për dy muaj s’mundet me ba sen ky vend”, tha ish-drejtoresha Dobruna.

Energjia solare, zgjidhje e shpejtë

Njohësi i Energjisë, Hamdi Malushaj, thotë se gjendja e energjisë që po mbizotëron në vend është si pasojë e mosinvestimit dhe moszhvillimit të sektorit energjetik me kohë.

Ai thotë se në këto probleme aktuale, nuk mund të ketë ndërhyrje të shpejta, sepse ndërtimi i kapaciteteve prodhuese do kohë.

"Krejt kjo ka ardhë si pasojë e mosinvestimit, moszhvillimit të sektorit energjetik me kohë. Në këto probleme nuk mund të ketë ndërhyrje të shpejta sepse ndërtimi i kapaciteteve prodhuese do kohë, nuk është aq i shpejtë. Por, që nga koha kur është folë për energjinë dhe për krizën e mundshme të saj, ka mujtë me u ba diçka, në fakt ka mujtë me u ba shumë, sidomos në ndryshimin e bazës ligjore”, tha Malushaj.

Malushaj thotë se janë dhënë para kot për import të rrymës, e është dashtë me ato para të shkohet kah efiçienca e energjisë.

“Udhëzimet administrative që janë bë modë me punu me to, kanë mujtë me liberalizu tregun për me mujtë me prodhu energji të ripërtritshme dhe prodhues të vegjël. Sidomos me energjinë solare, kjo ka mujtë me qenë si zgjidhje e shpejtë. Kriza me energji edhe para luftës në Ukrainë ka fillu, atëherë është dashtë më shku ka efiçienca e energjisë, mos me dhanë pare kot për import të rrymës”, tha Hamdi Malushaj për gazetën.

S’ka më reduktime sot

Për ditën e sotme kanë përfunduar reduktimet. Kështu i ka thënë KOSTT, gazetës Nacionale.

Në një përgjigje për Nacionale, KOSTT ka theksuar se pas angazhimit të sektorit të energjisë është siguruar energjia e mjaftueshmë për konsum ditor.

Dhe për rrjedhojë, KOSTT ka kërkuar ndërprerjen e kufizimeve me energji elektrike.

Në ndërkohë, me angazhimin e akterëve të sektorit të energjisë është siguruar energjia e nevojshme për mbulimin e konsumit për ditën e sotme nga ora 14:00 dhe KOSTT ka kërkuar ndërprerjen e kufizimeve të konsumit për sot”, thuhet në përgigjen e KOSTT.

Lajme të ngjashme