100 milionët e Kurtit për rrymën: KEDS kërkon paratë, Qeveria e akuzon se inkasantët “po vjedhin rrymë” - NACIONALE

100 milionët e Kurtit për rrymën: KEDS kërkon paratë, Qeveria e akuzon se inkasantët “po vjedhin rrymë”

4 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Kriza energjetike ka kapluar Kosovën më herët se paralajmërimet që ishin bërë nga zyrtarët përgjegjës të fushës. Reduktimet e energjisë elektrike po aplikohen që nga e hëna e 15 gushtit. Qytetarët po ballafaqohen me reduktime, ato do të jenë 6 orë me energji elektrike e 2 pa të. Teksa 100 milionë eurot e qeverisë për subvencionim, nuk i pamë akoma.

Vullnet Krasniqi

E për këto reduktime në mes të verës, po kritikohet Qeveria e Kosovës për mosveprimin e tyre duke e ditur së kriza energjetike këtë vit do të jetë çështje parësore si në vend por edhe në Evropë dhe botë.

Së fundi, në njoftimin për reduktime, kompania që merret me distribuimin e energjisë elektrike, KEDS, ka bërë të ditur se ka pranuar urdhëresë për reduktime me energji elektrike.

KEDS e ka arsyetuar vendimin për shkak të çmimit të lartë në tregjet ndërkombëtare të energjisë si dhe humbjeve financiare.

Prej nesër, vendi do të furnizohet vetëm nga prodhimi vendor. Deri te kjo situatë ka ardhur për shkak të çmimeve enorme që ekzistojnë në tregjet ndërkombëtare dhe mosmbulimit të kostos së sistemit. Kjo ka sjellë situatë të rëndë financiare edhe për KOSTT-in, të cilën ENTSO nuk e lejon më të bëjë devijime”, thuhet në komunikatën e KEDS-it.

Por përveç kësaj, KEDS-i ka akuzuar edhe Qeverinë e Kosovës për mosndarjen e 100 milionë eurove që ishin premtuar në fillim të këtij viti.

Sipas KEDS-it, kjo çështje ka rënduar edhe me shumë gjendjen.

Gjatë shqyrtimit të jashtëzakonshëm tarifor, rregullatori kishte marrë parasysh subvencionin e qeverisë prej 100 milionë eurosh. Asnjë cent nga ajo shumë nuk është shpërndarë te furnizuesi. Kjo, e ka rënduar gjendjen edhe më tepër. Sot, disa muaj pas, të gjitha mundësitë financiare janë shterruar. Dy kompanitë, pra KEDS dhe KESCO nuk mund të bartin më të vetme barrën e krizës botërore energjetike dhe pasojat e saj në Kosovë. Kërkohet me urgjencë edhe veprimi i akterëve tjerë në mënyrë që së bashku ta përballojmë këtë krizë”, thuhet në këtë komunikatë.

Në anën tjetër, Qeveria nuk është përgjigjur në pyetjen e Nacionale se pse nuk janë ndarë këto 100 milionë euro te furnizuesit.

Ndërkaq, reduktimet e rrymës e kanë shtyrë të reagojë edhe Ministrinë e Ekonomisë. Ministrja Artane Rizvanolli, ka thënë se prodhimi ditor i KEK-ut është rreth 507 MWh, ndërsa kërkesa për konsum deri në 750 MWh.

Ndërsa, ndër të tjera, Ministria ka pasur edhe akuza të rënda në drejtim të KEDS, duke thënë se kompania turke po e lejon vjedhjen e rrymës.

“Humbjet komerciale (të shkaktuara nga vjedhjet) dhe teknike të Kompanisë KEDS janë 19%. Këto humbje ende mbulohen nga të gjithë, pra prodhimi ose importi, jo nga vetë KEDS-i”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.

Në një deklaratë për Nacionale, ish-drejtoresha e KEK-ut, Pranvera Dobruna, ka thënë se mosndarja e fondeve për subvencionim të energjisë elektrike, ka ndikuar që reduktimet të fillojnë në muajin gusht dhe jo në sezonin e dimrit.

Rregullatori i ka përcaktu politikat në bazë të zotimeve. Ato mjete kanë qenë të dedikuara dhe me iu bartë dikujt që ka bë aplikim për rritje të tarifave. KEDS i kanë bë dy opsione të tarifave, një që rritet 43 për qind dhe tjetri me pasë subvencione. Operatorët e sektorit normal që i kanë pritë subvencionet dhe këto mjete nuk iu kanë ardhë, për ata kemi tash reduktime. Në kushte normale reduktimet kishin fillu në sezonën e ngrohjes, por kanë fillu tash sepse subvencionet nuk iu kanë ardhë tash, e ky është një gabim”, ka thënë ish-drejtoresha e KEK-ut.

Kutojmë se në janar të këtij viti ishin zotuar 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike, për shkak të rritjes së çmimit të tarifave nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë [ZRRE], por edhe disa ndajre të tjera buxhetore për KOSST, që arrijnë shifrën e 100 milionë eurove gjithsej.

Zotimi ynë për subvencion prej 75 milionë euro për të zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifat e propozuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) mundëson: - 0% rritje të tarifave për bizneset; - 0% rritje për të gjithë konsumatorët shtëpiakë për konsumin deri në 600 kWh (nivel që e mbulojmë me kapacitetet vendore); si dhe - zbutje të ndikimit në tarifat për konsumin mbi 600 kWh që duhet të përafrohet me çmim të importit”, kishte thënë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

E kryeministri i Kosovës para 8 muajsh pati thënë se ose do të ketë reduktime të energjisë ose shtrenjtim të energjisë elektrike. Prej atëherë, kjo situatë nuk ka ndryshuar.

Bile, Kurti në Kuvend e kishte përmendur subvencionimin, por deri më tani nuk është bërë.

Qytetarët kanë fantazi, mund të fantazojnë sa të duan, por nuk është e mundur të mos ketë as shtrenjtim, as subvencionim e as reduktim”, kishte thënë ai gjatë një debati për krizën energjetike në Kuvendin e Kosovës.

Kujtojmë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, më 8 shkurt të këtij viti, ka miratuar tarifat e reja e më të shtrenjta të rrymës, teksa kanë pranuar përsëri kërkesë për dyfishim të tarifave.

Lajme të ngjashme