Na lë gojëhapur: Britania me impiant të ri nuklear për furnizim me energji
Qeveria britanike ka dhënë dritën jeshile për termocentralin e ri bërthamor Sizewell C në bregdetin Suffolk.
Ky projekt që do të financohet kryesisht nga kompania franceze e energjisë EDF, pritet të kushtojë rreth 20 miliardë funte, ndërsa kompania tha se do të gjenerojë rreth 7% të nevojave për energji elektrike të Mbretërisë së Bashkuar dhe do të funksionojë për 60 vjet.
BBC njofton se, impianti i ri do të ndërtohet pranë Sizewell B një impiant ekzistues, i cili ende prodhon energji elektrike dhe pranë Sizewell A, impiant i cili nuk është më në funksion.
Kompania EDF ka bërë të ditur se impianti i ri me dy reaktorë mund të gjenerojë 3.2 gigavat (GW) energji elektrike, të mjaftueshme për rreth gjashtë milionë shtëpi.

Ndërkohë, në vazhdën e negociatave me qeverinë për mbledhjen e fondeve, qeveria është zotuar të ndajë rreth 100 milion funte për zhvillimin e projektit dhe ka planifikuar të marrë 20% të aksioneve në fabrik, me një vendim që pritet të merret në vitin 2023.
Megjithatë, aktivistët lokalë anti-bërthamorë kanë kundërshtuar centralin për disa arsye, duke përfshirë se ai do të ndërtohej pranë rezervatit natyror Minsmere të RSPB-së dhe do të kishte një efekt negativ në jetën e egër.
Një zëdhënës i Stop Sizewell C është shprehur se do ta apelojnë vendimin për ndërtimin e tij.
"Jo vetëm që do të shikojmë nga afër apelimin e këtij vendimi, por ne do të vazhdojmë të sfidojmë çdo aspekt të Sizewell C," ka thënë ai.

Këshilli East Suffolk është autoriteti vendor i planifikimit, por nuk merr vendime për Sizewell për shkak të rëndësisë së tij kombëtare. Ndërkohë, këshilli i drejtuar nga konservatorët ka njoftuar se do të shqyrtojë miratimin e zhvillimit gjatë javëve të ardhshme.
Craig Rivett, nënkryetar dhe anëtar i kabinetit për zhvillimin ekonomik tha se ata do të punojnë me palët e interesuara të projektit dhe komunitetin lokal "për të ndihmuar në pakësimin e ndikimeve të projektit gjatë fazës së ndërtimit".
