"Hasta La Vista, baby": Boris Johnson mban fjalimin e fundit në parlament, përcillet me duartrokitje - NACIONALE

"Hasta La Vista, baby": Boris Johnson mban fjalimin e fundit në parlament, përcillet me duartrokitje

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Lideri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson ka mbajtur fjalimin e tij të fundit në parlament, duke e mbyllur me një frazë të famshme nga filmi Terminator.

Johnson, i cili njoftoi dorëheqjen e tij më 7 korrik pas një vargu skandalesh, e përfundoi paraqitjen e tij të fundit duke folur për arritjet e tij në Brexit, udhëheqjen e Mbretërisë së Bashkuar në kohën e pandemisë dhe mbështetjen ndaj Ukrainës kundër pushtimit rus.

"Kryesisht misioni është kryer," u tha Johnson deputetëve, ndërsa falenderoi stafin, kolegët dhe miqtë e tij.

"Dua t'i falënderoj të gjithë këtu, dhe hasta la vista, baby," e ka mbyllur ai fjalimin, ndërsa është duartrokitur nga deputetët konservatorë.

Fjalimi i Johnson erdhi ndërsa Partia Konservatore hyn në fazat përfundimtare të zgjedhjes së pasuesit të tij të mërkurën.

Parlamenti britanik do të nisë pushimet verore ditën enjte dhe konservatorët do të kalojnë gjashtë javët e ardhshme duke zgjedhur një lider të ri partie, e si rrjedhojë një kryeministër të ri.

Ditën e mërkurë, deputetët konservatorë do të zhvillojnë një votim përfundimtar eliminues për të ulur në dy numrin e tre kandidatëve të mbetur.

Në garë për kryetar partie janë ish-shefi i Thesarit Rishi Sunak, sekretarja e jashtme Liz Truss dhe ministrja e tregtisë Penny Mordaunt. E pas votimit të sotëm, dy finalistët do të shkojnë në një votim nga të gjithë 160,000 anëtarët e Partisë Konservatore, me fituesin që parashikohet të shpallet me 5 shtator.

Sunak është ai që ka udhëhequr çdo raund të votimit deri më tani dhe ka shumë gjasa të jetë një nga fituesit në votimin e sotëm, ndërsa Truss dhe Mordaunt, e cila ka shënuar rezultate të larta në sondazhet e anëtarëve të partisë, janë duke tërhequr mbështetje nga deputetët.

Edhe pse Truss ka dalë e treta në çdo votim të deritanishëm, parashikimet janë që ajo të fitojë kundrejtë Mordaunt.

Ndërsa, fushata e tyre e hidhur ka ekspozuar ndarje të thella në Partinë Konservatore në fund të mbretërimit tre-vjeçar të Johnson-it.

Të gjithë pretendentët tani janë në përpjekje për t’u distancuar nga Johnson, mandati i të cilit filloi në vitin 2019 dhe po përfundon tani – jo në mënyrën më të mirë.

E pavarësisht se Johnson vazhdon të jetë kryeministër, ai është larguar nga syri i publikut, duke mos marrë pjesë në asnjë mbledhje urgjente të qeverisë për valën e të nxehtit në vend që solli temperatura mbi 40 gradë.

Javën e kaluar Johnson bëri një udhëtim me një avion luftarak të Forcave Ajrore Mbretërore Typhoon, nga ku publikoi edhe pamje, më pas ai kishte organizuar një festë në Chequers, shtëpia që vjen bashkë me detyrën e kryeministrit.

Lajme të ngjashme