Nga Brexit-i te skandalet – Çfarë karriere ndërtoi Boris Johnson-i - NACIONALE

Nga Brexit-i te skandalet – Çfarë karriere ndërtoi Boris Johnson-i

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ai ishte kryetari i kryeqytetit që e shijoi madhështinë e organizmit të Lojërave Olimpike, “Londra 2012”, dhe burri që i udhëhoqi konservatorët drejt një fitoreje të madhe në zgjedhje me premtimin se do ta largojë vendin nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, koha e Boris Johnsonit si kryeministër u njollos nga menaxhimi i pandemisë së koronavirusit dhe nga një varg i akuzave etike, nga ndejat qeveritare me pije alkoolike, me të cilat ishin shkelur rregullat e izolimit, deri te skandali për sjellje jo të duhur seksuale, në të cilin ishte përfshirë një ligjvënës i lartë i partisë së tij.

Agjencia “Associated Press” ka përmbledhur një historik të karrierës politike të Johnsonit:

2001 – 2008: Boris Johnson shërbeu në Dhomën e Ulët të Parlamentit.

2008 – 2016: Ai ishte kryetar i Londrës, duke i mbikëqyrur Lojërat Olimpike, “Londra 2022”.

2016: Bashkudhëheqës i fushatës për ta larguar Britaninë nga Bashkimi Evropian, kundër kryeministrit të atëhershëm, David Cameron, që ishte bashkëpartiak i tij. Cameron kishte dhënë dorëheqje, pasi shumica e britanikëve e përkrahën Brexit-in në referendumin e mbajtur më 23 qershor 2016.

2016 – 2018: Shërbeu si sekretar i Jashtëm në qeverinë e kryeministres Theresa May. Dha dorëheqje nga ky post në korrik të vitit 2018 për shkak të kundërshtimit të strategjisë së kryeministres May për të ashtuquajturin “Brexit i butë”, me të cilin do të mbaheshin lidhje të ngushta me BE-në.

Lexoni edhe: Johnsonit i kërkohet largimi i menjëhershëm: Qëndrimi deri në vjeshtë, rrezik për vendin

23 korrik 2019: Boris Johnson zgjidhet kryetar i Partisë Konservatore me votat e anëtarëve të partisë. Ai u bë kryeministër të nesërmen, duke trashëguar një qeveri të pakicës, të varur nga votat e Partisë Unioniste Demokratike të Irlandës Veriore për ta miratuar legjislacionin. Johnson këmbënguli se Britania do të largohej nga BE-ja më 31 tetor të atij viti, me apo pa marrëveshje.

6 nëntor 2019: Parlamenti britanik shpërndahet dhe zgjedhjet e parakohshme caktohen për muajin dhjetor. Johnsoni kërkoi një mandate për ta zbatuar strategjinë e tij për Brexit-in.

Dhjetor 2019: Boris Johnson fitoi shumicë me 80 ulëse në zgjedhjet e përgjithshme, duke e siguruar përkrahjen për miratimin e legjislacionit për Brexit-in.

Janar 2020: Marrëveshja për Brexit-in bëhet ligj pas miratimit nga Parlamenti. Parlamenti Evropian e miraton marrëveshjen gjashtë ditë më pas.

23 mars 2020: Johnsoni e vendos Mbretërinë e Bashkuar në izolimin e parë për shkak të koronavirusit.

5 prill 2020: Ai dërgohet në spital dhe më pas në repartin e kujdesit intensive për shkak të infektimit me koronavirus. Lirohet nga spitali më 12 prill.

Lexoni edhe: Boris Johnson pajtohet që të japë dorëheqje

30 nëntor 2021: Dalin në pah dyshime dhe akuza se zyrtarë qeveritarë kishin marrë pjesë në ndeja në zyra qeveritare në nëntor e dhjetor të vitit 2020 në kundërshtim me rregullat e izolimit në pandemi. Opozita e akuzon qeverinë për shkelje të ligjit, kur qytetarët e rëndomtë bënin sakrifica për t’u mbrojtur nga virusi.

9 prill 2022: Johnsoni takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Kiev, duke u zotuar për një pako të re të ndihmave ushtarake e ekonomike për shtetin e goditur nga agresioni rus. Ky veprim e shtoi përkrahjen për kryeministrin britanik.

6 qershor: Johnsoni për pak i shpëton një mocioni mosbesimi. Nga ligjvënësit konservatorë, 148 votuan kundër tij, duke ia dridhur themelet e pushtetit.

5 korrik: Ministrat e kabinetit, shefi i Thesarit, Rishi Sunak, dhe sekretari i Shëndetësisë, Sajid Javid, japin dorëheqje nga postet e tyre.

6 korrik: Mbi 30 ministra, ndihmës të tyre e zyrtarë të tjerë të lartë jepin dorëheqje nga qeveria.

7 korrik: Johnsoni pajtohet që të japë dorëheqje nga postet e kryetarit të Partisë Konservatore dhe kryeministrit.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme